I burgosuri politik: Ja biseda me Kurtin në Nish, si u arrestua Kurti në banesë
“Ai është njeri i sëmurë dhe ka ardhur si ka ardhur në pushtet”, ka thënë Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, kur ka debatuar në emisionin Pressing rreth qasjes së kryeministrit të Kosovës në raport me veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare, të cilët po protestojnë në kundërshtim të Ligjit për pagën minimale, nga i cili janë lënë jashtë kjo kategori.
Përshkrimin e rëndë psikologjik me të cilin i është referuar kryeministrit, Klinaku e ka shpjeguar në një prononcim për Albanian Post.
Ai ka deklaruar se nuk bëhet fjalë për një lapsus të tij, pasi “kjo gjë është e thjeshtë, Albin Kurtit nuk i intereson asnjë ideologji; asnjë filozofi politike ose formacion politik. Por, të gjitha i përdor për sëmundjen e vet, për pushtet dhe marrëzinë e vet”.
Prandaj, pohon Klinaku, “e kam thënë (që është i sëmurë) në kuptimin që është i sëmurë për pushtet dhe për veten e vet”.
Në të njëjtin emision, duke vazhduar cilësimet e tij për kryeministrin, Klinaku ka shkëputur një episod të Kurtit gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Ai risolli në vëmendje se Kurti kishte refuzuar të ikte në mal dhe i priti autoritetet jugosllave për ta arrestuar në banesë.
I pyetur nga Klinaku sesi është e mundur që e ka pritur armikun në banesë, Kurti i kishte thënë se “e ka parim”.
“Po, kjo ka ndodhur në Nish pas bisedës dhe njoftimit që ai ma ka bë që është arrestuar në banesë. Do të thotë pasi që e ka lëshuar zyrën e përfaqësuesit politik (të UÇK-së). Unë jam habit me atë veprim dhe e kam pyet ‘pse i ke pritë në banesë se s’po të kuptoj?’. Më tha ‘unë e kam parim mos me ikë’”.
Klinaku tregon t’i ketë thënë atëherë se “pushtuesit duhet me i ikë, atë duhet me luftu dhe jo me qëndru në banesë dhe me pritë në banesë”. Tha “unë e kam parim” dhe siç kujton Klinaku, Kurti “u hidhërua goxha fort”.
Protestat e fundit të veteranëve që u zhvilluan para Kuvendit të Kosovës dhe ku pati edhe përplasje me policinë, veteranët thonë se do t’i vazhdojnë.
Ata duan që nga 170 euro sa marrin tani, të paktën të barazohen me pagën minimale, e cila pritet të jetë diku mbi 250 euro.
Kurti nuk dëshiron që ta lidh pensionin e tyre me këtë pagë dhe gjithashtu ka kërkesë që të pastrohen listat e veteranëve, sepse luftëtarë të vërtetë, sipas kryeministrit, kanë qenë diku rreth 20 mijë e jo 60 mijë sa janë zyrtarisht tani.
Edhe për Klinakun listat duhet të pastrohen, por pastrimi duhet të fillojë pikërisht nga kryeministri, meqë edhe ai, në llupën e tij, është veteran i rrejshëm.
“Do të thotë ka dhënë dorëheqje nga zyra politike. Adem Demaçi ka dalë nëpër rrugë të Prishtinës dhe ka sfiduar pushtuesin, ndërsa ai (Albin Kurti) i ka pritë në banesë dhe është arrestuar”.
“Është qartë si drita e diellit”, thotë ai për AP.
E qartë është edhe se zgjidhje nuk ka akoma. Ndaj veteranët kanë paralajmëruar se do të protestojnë përsëri, deri në trajtimin e tyre të dinjitetshëm, të cilin, aktualisht, thonë se nuk po e marrin. /Albanianpost.com