Ish agjenti i UDB-së Çegrani: Si iu shit Mehmet Kraja falas UDB-së dhe si u bëra unë agjent
Nafi Çegrani në faqen 129 – 130 të librit “Ballë për ballë me vdekjen“ shkruan: “Edhe pas Plenumit të Brioneve dhe rënies së Rankoviqit, vazhdon spiunazhi në mes shqiptarëve si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri.
Gati të gjitha redaksitë e gazetave dhe të radiotelevizioneve në Maqedoni dheKosovë shndërrohen në qendra rezidente, me të cilat SDB-ja ( UDB-ja – Sh.B) vite me radhë e sinkronizonte veprimtarinë e vet të errët kundër shqiptarëve. Në kohën kur në SDB të Kosovës vrisnin e prisnin Mehmet Shoshi, Xhevdet Hamza, Mehmet Maliqi e Selim Brosha, këtij shërbimi sekret iu “shitën” falas edhe shumë gazetarë të ”Rilindjes”, Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, ndërsa në Televizionin e Prishtinës, Riza Alaj, Fahredin Gunga, Agim Zatriqi, disa të punësuar në Arkivin Historik të Kosovës etj.”
Nafi Çegrani në vazhdim thotë se „në redaksin e emisioneve në gjuhën shqipe pranë Televizionit të Shkupit tregohen mjaftë aktivë Luan Starova dhe Alush Kamberi,…“ dhe „në radhët e tyre hynë ndërkohë edhe majori rezerv Menduh Ajdini, dhëndër i Meti dhe Nushi Kërliut *, si edhe dhëndri i tyre Ali Aliu“. (Për më tepër lexo te libri i N.Çegranit fq.130).
* Nushi Kërliu është një mik i Ibrahim Rugovës, në shtëpinë e të cilit ka ndenjur për dhjetë vjet rresht, gjatë shkuarje-ardhjeve të tij nga Shkupi apo Tirana, për në vendet perëndimore.)
Si u bëra agjent sekret i UDB-së:
Nafi Cegrani ka lindur në vitin 1947 në fshatin Cegrenjë, afër luginës së Pollogut, rrëzë Malit të Thatë në Maqedoni. Të parët e tij janë vendosur aty pasi janë shpërngulur shumë kohë përpara nga Mati (Burreli). Kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, i nisur dhe nga propaganda komuniste e Jugosllavisë së Titos (siç thotë edhe vetë) pranoi dhe hyri si oficer në radhët e Shërbimeve Sekrete Shtetërore të Maqedonisë (UDB) me gradën e majorit, pasi u specializua në disa kurse. Duke parë situatën dhe gjendjen e vështirë të tij si shqiptar në ato shërbime, pas pak kohësh i braktis dhe emigron në SHBA. Kur kthehet nga emigracioni i kushtohet publicistikës e gazetarisë, duke qenë dhe kryeredaktor i gazetës “Fjala Jonë”.
Për shkak të dezertimit nga shërbimet sekrete jugosllave, në vjeshtën e vitit 1981 arrestohet dhe torturohet nga organet policore, duke u akuzuar si terrorist dhe atentator i Presidentit kinez Hua Kuo Fen, që asokohe bëri një vizitë në Jugosllavi. Lidhur me të gjitha këto ai ka shkruar librin “Ballë për ballë me vdekjen”, pjesë nga i cili po i botojmë në këtë shkrim, duke parë se drama që ka kaluar Nafiu në burgjet e Jugosllavisë, është një dramë që vazhdojnë ta vuajnë ende me dhjetëra mijëra shqiptarë nën regjimin e Millosheviçit, në atë çka ka mbetur nga Jugosllavia e Titos. Nafi Cegrani Gjendesha në shtëpi, në fshat. Nxënësit i kishim lëshuar me pushime dimërore. Papritmas më thirrën një ditë dy njerëz të panjohur, që as si kisha parë dhe as si kisha takuar ndonjëherë.
Nga veshja dhe sjellja linin të kuptohej se ishin njerëz me ndonjë funksion të lartë në shtet. “Jemi të Sigurimit Shtetëror, të UDB-së”, më thanë, dhe pastaj më informuan se kishin ardhur nga Shkupi, nga Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim të caktuar, të bisedonin për punësimin tim në radhët e këtij shërbimi sekret. I habitur pa masë, ua bëra me dije se isha regjistruar albanologjinë me korrespondencë në Shkup, dhe se më pëlqente më tepër të merresha me shkrime për t’u bërë gazetar. Zotërinjtë pastaj, pasi hynë direkt në temën e bisedës, për të cilën kishin ardhur, nisën të më flasin për udhëtimet fantastike nëpër meridianët e Botës, dhe fjetjet nëpër hotelet e lokalet luksoze e vendet e tjera, ku do të zhvillohej veprimtaria ime si njeri i autorizuar i këtij shërbimi sekret. Më premtuan pastaj dhe banesën shumëdhomëshme të shtruar me mobilje luksi në Shkup, perfeksionim profesional në Beograd…! Më thanë se atje do të mësoja se si bëhen analizat dhe si përpunohen informatat sekrete, si bëhen hulumtimet dhe si shkruhen raportet apo informatat zyrtare, si udhëhiqen operacionet sekrete dhe mënyrat e metodat e tjera të këtij lloji shërbimi. Unë sërish ngula këmbë dhe ju thashë se isha vetëm një arsimtar i ri dhe se nuk kisha prirje dhe aftësi për atë detyrë më përgjegjësi aq të madhe dhe delikate. Me vete mendoja se nuk ishte e lehtë të punoje në atë vend. Po kështu mendoja atëherë se edukata komuniste e kishte bërë ndikimin në trurin e logjikën tonë.
Më pyetën në e kisha kryer shërbimin ushtarak, dhe më thanë se kjo nuk përbente ndonjë problem të madh, pasi kjo gjë bëhej dhe pa kryer shërbimin ushtarak. “Nëse vendos që të punësohesh në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, do të çojmë në shkollë speciale për oficer rezervë, ndërsa rrogën do ta marrësh njëlloj sikur të punosh në zyrë. Kështu e ke rrogën, plus shpenzimet e harxhime të tjera në qoftë se shkon për nëntë muaj për specializim në Beograd. Këta dy agjentë dinin çdo gjë për mua, deri dhe hollësi. Duket se kishin bërë analiza speciale, duke më survejuar gjatë gjithë kohës. Me siguri ata kishin mbledhur “biseda informative” me persona të ndryshëm.
Ata e dinin se si ecja dhe se si e mbaja kapelen, me çka merresha dhe çka më linte në zemër. Po kështu, dinin dhe shumë gjëra nga jeta ime intime, si me sa vajza kisha kontaktuar dhe cila ishte simpatia ime më e madhe. Më në fund, pas shumë bisedave dhe pyetjeve e provokimeve që më bënë, më porositën që të mendohesha mirë, dhe të mos harroja lehtë UDB-në, në qoftë se nuk do ta pranoja ofertën për punësim në Shërbimin Sekret Shtetëror të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë në Maqedoni, në Shkup. Atëherë isha i ri 22 vjeç dhe nuk ngurroja që të hyja në radhët e këtij shërbimi. Motoja e atij shërbimi sekret ishte që të kryhej me besnikëri dhe sinqeritet puna, sepse vetëm ajo i shërbente qëllimeve të popullit, shtetit e atdheut, dhe për atdheun duhet të jepnim dhe jetën… Kështu na edukonin atëherë në entet speciale në Shkup dhe në qendra të republikave të tjera me seli në Beograd. Mars 1969 me UDB-në, në Shkup Pas dy ditësh më thirrën që të shkoja në Shkup. Në të vërtetë më kishin dërguar dy operativë të UDB-së që të më merrnin. Në Shkup më vendosën në një apartament modern me mobilie të bukura. Aty u njoha me njerëz që venin e vinin dhe prezantoheshin si kryeshefa të sektorëve të ndryshëm të këtyre shërbimeve, të cilët më bënin provokime të ndryshme. Të nesërmen më dërguan në kabinet për bisedë me Arso Arsovskin, e pas tij iu nënshtrova një komisioni special testimi që zgjati plot tetë orë. Më pas më dërguan me veturë speciale që të haja darkë në një hotel luksoz të Shkupit i shoqëruar nga një oficer (i veshur civil) i UDB-së. Kur u zgjova ishte ora tetë e mëngjesit dhe nga receptori i telefonit dëgjova një zë femre që më tha se ishte sekretarja e sektorit ku unë do të filloja punë. Takimin e parë e bëra me Stevco Filipovskin, që ishte kryeshef i sektorit për ndjekje dhe përcjellje të spiunëve dhe agjentëve të shërbimeve sekrete dhe të diplomatëve e atasheve ushtarakë të shteteve të ndryshme që qëndronin e vepronin në territorin e Maqedonisë.
Ai më caktoi detyrat që duhet të kryeja, më foli për përgjegjësitë e vendit të punës, për disa aspekte specifike të shërbimit sekret dhe aftësitë që duhet të kishte operativi që do t’i kryente ato. Ditët e para gjithnjë i shoqëruar nga inspektori i sektorit përkatës më shpunë që të shikoja dhe të njihesha me zyrat, instrumentet dhe aparatet, me programet e metodat që do të punoja dhe administratën e atij shërbimi. Po kështu u njoha me punën analitike dhe arkivat e dosjet sekrete e komunikimin special…! Gjëja që ma ra më tepër në së aty, dhe më bëri përshtypje ishte komunikimi që bëhej ndërmjet njerëzve. Aty flitej vetëm me shifra dhe nuk përdoreshin emra konkretë. Të nesërmen më ftuan që të shkoja e të shikoja se si punohej në Qendrën informatike-kompjuterike, që ishte vërtet një kompleks mahnitës i pajisur me të gjitha aparaturat moderne që kishte koha. Specializimet dhe lufta me mafien Gjashtë muajt e parë nuk merresha me gjë tjetër, veçse me njohjen e veprimtarisë dhe punës që do të kryeja në këtë shërbim sekret. Ndërkohë aty lexoja dhe materiale të ndryshme nga arkivi special dhe nga dosjet sekrete, të cilat ishin vendosur në arka të mëdha hekuri.
Sa herë që merrja të lexoja ndonjë material, personi i autorizuar i sektorit përkatës më detyronte të shënoja në formularë kohën e marrjes e kthimit të materialit. Kështu atë fillimmarsi të vitit 1969, unë fillova karrierën time në Shërbimin Sekret të Sigurimit Shtetëror pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë. Pas një viti më rekrutuan në shkollën e oficerëve në Bileqë, ku kalova plot nëntë muaj. Si punëtor operativ më duhet të kaloja në disa kurse speciale, të mësoja shkathtësinë ushtarake-teknike të domosdoshme, “për sulm e mbrojtje” si dhe për përdorimin e armëve klasike (revoles, automatikut e bombës) dhe të armëve speciale (snajperit). Të gjitha këto i ushtrova në shkollën e oficerëve rezervë në Bileqe. Në vitin 1970, pasi kreva me sukses me rezultate të shkëlqyeshme shkollën e oficerëve në Bileqe, u ktheva sërish në Shkup pranë shërbimeve sekrete. Aty kryeja punët që më ishin besuar si shqiptar. “Luftoja” me njerëz që i përkisnin mafies në pushtet. Megjithkëtë isha “i papërshtatshëm” për disa individë të Sigurimit në Gostivar, Tetovë dhe Shkup.
Arsyen e vërtetë të kësaj nuk e kam mësuar as sot e kësaj dite. Si punëtor operativ i këtij shërbimi sekret, fronti im i konflikteve me njerëz të tillë sa vinte e zgjerohej e ashpërsohej. Kjo gjë filloi aty nga viti 1972, kur u konfrontova me mafiozë të brendshëm e të jashtëm. Ç’është e vërteta, atëherë në mbarë udhëheqjen e organeve të Punëve të Brendshme në Gostivar qenë bërë ndryshime të mëdha. Shefi i atëhershëm i Shërbimit Publik të Punëve të Brendshme në Gostivar, Trife Matevski (në kohën e vet kapo i mafies gostivarase dhe bos i fuqishëm, i cili me vete mbante mjerisht dhe disa shqiptarë nga Negotina, Cegrani, Dobërdolli, Cajla etj.) nga komisioni që e udhëhiqja unë ishte larguar nga puna dhe ishte dërguar në ndërmarrjen auto-transportuese “Radika”. Ky njeri që kishte lidhje me filialet e veta në Turqi e Gjermani, ishte shpesh nën kontroll të rreptë të shërbimeve sekrete të Maqedonisë në Shkup. Ne dinim për lëvizjet e tija, dhe jetën që bënte nëpër apartamentet dhe dhomat e hoteleve luksozë, ku kishte rrjetin e tij të kontrabandës së arit e armëve, të cilin kur qëndronte në Gjermani e mbanin disa shqiptarë të mjerë. “Atentati” ndaj Presidentit kinez në Jugosllavi Atë ditë vere me vapë, Shkupi digjej e përvëlohej. As Vardari nuk mund ta shuante etjen e tokës së zhuritur. Kur u ktheva nga redaksia e gazetës “Nova Makedonija” (ku punoja pas kthimit nga SHBA-ja) për në shtëpi, bashkëshortja ime më hapi derën e banesës dhe e pashë që ishte tepër e shqetësuar. “Të kërkuan me telefon ish-kolegët e tu të shërbimit sekret, dhe thanë që të paraqitesh atje posa që të vish në shtëpi”.
Mora telefonin dhe i lajmërova. Më thanë që të prisja shoferin që do të vinte të më merrte. Po sa hyra në zyrat e tyre më zuri syri grupin e operativëve ish’kolegë të mi. Në mesin e tyre ishin dy persona dikur shumë të përzemërt me mua. Një tjetër Bexhet Bexheti dëshironte të më shtynte në akull të hollë. Në sytë e tij hetova një smirë dhe ftohtësi. E pyeta: “Çfarë ka ndodhur? Ku qëndron arsyeja që më thirrët këtu? Mos keni bërë ndonjë gabim rastësisht?”. Ai m’u kthye: “Jo, jo kështu nuk duhet ta ndihmosh veten… Ne kemi marrë një letër anonime, në të cilën shihet qartë që je duke përgatitur një atentat kundër kryetarit të Kinës, Hua Kuo Fenit, i cili këto ditë pritet të vijë për një vizitë në Shkup. “Unë, me gjakftohtësi u thashë se nuk e kisha të qartë për ato çka më akuzonin. Letrën anonime, për të cilën më kishin sjellë aty, më thanë se ua kishte sjellë një shqiptar. Unë ngula këmbë se ata duhet të ma vërtetonin atë për të cilën akuzohesh. “Dyshimet tuaja dhe ato që më ngarkoni nuk kanë asnjë lidhje me mua”, iu thashë unë. Ata thanë se po përgatitej një lojë perfide dhe shumë e rrezikshme. “Po përgatitet një atentat kundër burrështetit kinez… Do të merren të gjitha masat e sigurisë. Ne patjetër do t’ja dalim ta pengojmë atë më të keqen”, tha kryeshefi i tyre, ai zeshkani që dikur më kishte mësuar që të punoja në Sigurimin Shtetëror. Ai ishte profesor në zanatin e tij. Unë isha në shënjestrën e tyre dhe duhej t’ju shpëtoja dyshimeve, duke i sqaruar gjithçka. Biseda zgjati tërë natën, pastaj me veturën e policisë më kthyen në shtëpi. Kryetari i Kinës erdhi dhe shkoi nga Shkupi. Më vonë e mësova të vërtetën dhe aktorët që kishin shpifur për mua. Anash saj qëndronin injoranti Vullnet Presheva dhe debili Bexhet Bexheti. Më vonë Vullnetin e dërguan në ambasadën jugosllave në Turqi, kurse Bexhetin si shef në SDB (shërbimët sekrete) e Shkupit. Arrestimi Një mëngjes vjeshte të vitit 1981, rreth orës 5.30 të mëngjesit më erdhën katër civilë dhe një oficer e më arrestuan në shtëpinë time. Pa më thënë se kush ishin filluan kontrollin e shtëpisë që zgjati dy-tre orë. Bashkë me gruan dhe fëmijët na kishin ulur rrafsh në dysheme dhe nuk na linin të çoheshim. Gjatë kontrollit morën shumë nga fotografitë e mia.
Më pyetën se mos kisha armë. Unë iu përgjigja se armë mbaja kur punoja në shërbimet sekrete, e ato tani nuk më duheshin më. Nga Shkupi në Sarajevë më shpunë me aeroplan. Në aeroplam dëgjova se Ante Bërnada i thoshte stjuardesës se unë isha njëri nga ata që kishin rrëmbyer aeroplanin e JAT-it. Më pyetën se a e dija se ku po më çonin. U thashë se në Bosnjë kisha kaluar atëherë kur kisha bërë shkollën e oficerëve rezervë. Ata më provokonin, duke më thënë se kishin të dhëna se unë kisha qenë disa herë atje. Në një dhomë të shërbimeve sekrete të Bosnjes më lidhën me pranga pranë një kasaforte, dhe ishin të gatshëm që të më rripnin. Ata mbanin në duar shkopinj gome dhe silleshin rreth meje si ujq të uritur që donin të më gëlltisnin. Që në fillim filluan torturat dhe provokimet, duke më thënë se babai im kishte qenë ballist, e se unë kisha punuar në Shërbimet Sekret Shtetëror, por në të vërtetë paskësh vepruar për interesat e “Frontit të Kuq” dhe “Sigurimit” shqiptar në Tiranë. Ato ditë ishin arrestuar dhe një grup shqiptarësh që akuzoheshin si terroristë. Në mesin e atyre isha dhe unë. Hetuesit e mi e dinin dhe pranonin se unë nuk isha fajtor, por duhet të shkoja bashkë me të tjerët vetëm për faktin se dija shumë gjera, pasi dikur kisha punuar në shërbimet sekrete (UDB). Kështu, ata thoshin se duhet të më shkonte koka së bashku me sekretet. Kështu u bëra pre e të pashpirtëve, duke ndenjur 34 muaj në hetuesi, për të përfunduar më pas në Qelinë e Vdekjes i lidhur me pranga. Pas një gjygji të gjatë e të montuar, kryetari i tij Sulejman Kapitenoviq më shpalli fajtor për vrasje dhë sipas ligjit aktdënimi ishte: Nafi Cegrani, me vdekje, me pushkatim. Mbase e deshi fati që unë me vuajtjet e mia t’i bashkangjitem tragjikes së madhe kombëtare si shqiptar. Tragjedia e shqiptarit, si e atij që jetoi në Jugosllavi, dhe atij në Shqipërinë staliniste, është tragjedi e Ballkanit dhe e Evropës së shurdhët. Këtë duhet ta dijë bota e qytetëruar. /Shqiptarja.com https://shqiptarja.com/lajm/Si-u-bra-agjent-sekret-i-UDB-s