fbpx
Lajme

Ish shefi i OSBE: Udhëheqësit e UÇK-së s’kanë përgjegjësi për krimet individuale etnike

Ambasadori Dan Everts, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë në vitet 1999-2001, në pasthënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, shkruan se një propagandë që vazhdimisht përhap lajme të rreme e shpifëse, vazhdon të hedh magji të keqe mbi Kosovën dhe përfaqësuesit e saj.

Everts thotë se spastrimi etnik i serbëve nuk ishte rezultat i një fushate sistematike, të planifikuar dhe me vullnetin e autoriteteve më të larta, dhe që përfshiu edhe forcat e rregullta dhe vullnetarët.

“Nuk ekziston asnjë dëshmi e qëllimit të ngjashëm strategjik apo sistematik nga ana e shqiptarëve të Kosovës. As pretendimet për përgjegjësi personale për krimet individuale etnike që pretendohet të jenë kryer nga udhëheqësit e UÇK-së nuk bazohen në asgjë kredibile”, shkruan Everts.

Ai në pasthënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt Pavarësisë së Kosovës”, përmend krijimin e UÇK-së, masakrën ndaj familjes Jashari e deri tek shpallja e Pavarësisë.

“Duhet të njihet se përkundër armiqësive dhe veprimeve të ulëta nga të dyja anët, luftimet ndëretnike – në kuptim të persekutimit, viktimave dhe deportimeve – shqiptarët e Kosovës janë dëmtuar më shumë. Për fat të keq, kjo luftë ende nuk ka mbaruar. Përveç refuzimit kokëfortë të disa shteteve (numri i të cilëve është në rënie e sipër) që të njohin shtetin e ri – për arsye të tyre – Kosova ende vuan nga një problem perceptimi. Një propagandë që vazhdimisht përhap lajme të rreme e shpifëse, vazhdon të hedh magji të keqe mbi këtë shtet të ri dhe përfaqësuesit e tij. Qëllimi është, sigurisht, që t’i diskreditojnë ata në sytë e opinionit publik dhe udhëheqësve politikë. Kosova është, siç dihet fare mirë, një shtet që po ndërtohet me të gjitha të këqijat që zakonisht shoqërojnë këtë proces, autoritetet e dështuara ligjzbatuese, nepotizmin e korrupsionin”.

Çarmatosja

Marrëveshja e Rambujesë parashikoi shpërbërjen e UÇK-së si një forcë ushtarake. Kjo çarmatosje duhej të përfundonte brenda 90 ditëve. Kjo nënkuptonte se 15,000 luftëtarë duhej të bindeshin se veprimi i tyre për çlirimin e vendit të tyre po përfundonte dhe se ata duhej të kërkonin një jetë të re në një shoqëri në mes të një krize ekonomike. Është e qartë se kjo punë e madhe e çarmatosjes është kryer pa provokuar një revoltë të madhe. Shembuj të suksesit të tillë janë të rrallë. Kjo u jetësua në masë të madhe nga Hashim Thaçi, i cili ua shpjegoi luftëtarëve të tij – të cilët vendosmërisht besonin se mund të integroheshin në një ushtri të rregullt – se më e mira që mund t’u ofronte ishte integrimi i 3,000 burrave në një forcë të re (Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pa asnjë funksion ushtarak), plus 2,000 të tjerë rezervistë. Disa qindra të tjerë mund të trajnoheshin për t’u bërë policë, por pas një kohe dhe pas verifikimit. I vendosur ndërmjet çekanit dhe kudhrës, Thaçi duhej të manovronte me shkathtësi për të përmbushur angazhimet e tij dhe të mbetej i besueshëm në sytë e UNMIK-ut dhe KFOR-it, duke mbrojtur pozicionin e tij si shef i UÇK-së para luftëtarëve. Ai korri sukses në këtë sfidë, ndërsa në vende të tjera kjo do të kishte çuar në një cikël të ri të dhunës dhe madje edhe në luftë civile.

 Ekstremizmi dhe jotoleranca

Gjatë gjithë luftës për pavarësi, gazetarët dhe politikanët e së djathtës dhe majtës ekstreme, të gjithë armiqësorë ndaj Kosovës, e projektuan UÇK-në si esktremiste për ta diskredituar atë në sytë e botës. Në fakt, siç mësova nga takimet e mia të para, lidershipi i UÇK-së që nga fillimi zbatoi një politike të vendosmërisë së madhe për të mos u bërë peng i ndonjë ekstremizmi ideologjik apo fetar. Marksizëm-leninizmi kurrë nuk ishte pjesë e mendimit të saj dhe radikalizmi islam u mbajt në distancë. Këto ideologji ishin në kundërshtim të plotë me traditën e gjatë të harmonisë fetare shqiptare. Pak njerëz e dinë se Shqipëria ishte një strehë për hebrenjtë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e bërë atë të vetmin shtet në Evropë ku prania e hebrenjve u rrit ndjeshëm pas luftës. Shqiptarët e besimit mysliman kanë një interpretim të moderuar të Islamit falë kryesisht ndikimit të lëvizjes bektashiane dhe ideologjisë komuniste të së kaluarës. Sot, xhihadizmi është gjëja e fundit që do të mund të shoqërohej me UÇK-në. Ç’është e vërteta, ajo ka bërë gjithçka të mundur për të refuzuar ofertat e fondeve nga Lindja e Mesme që mund të kenë kërkuar të ndikojnë në këtë mënyrë. UÇK-ja refuzoi kategorikisht xhihadistët dhe kurrë nuk i lejoi ata t’u bashkoheshin radhëve të saj. Kosova ishte dhe mbetet në thelb një shoqëri laike. Është gjithashtu simbolike për të parë në Prishtinë statujën e madhe të Skënderbeut, i cili ngurronte midis krishtërimit dhe islamit, e cila qëndron në sheshin kryesor të qytetit që mban emrin e Nënë Terezës, një shenjtore katolike.

 Pajtimi

Krerët e Kosovës së re, para se gjithash Hashim Thaçi, nuk reshtonin së kërkuari pajtimin me serbët brenda dhe përtej kufirit. Fatkeqësisht, kjo thirrje nuk ka qenë e ndërsjellë. Serbët nga Serbia, por edhe nga veriu i Kosovës vazhdojnë të pendohen për humbjen e territorit të “tyre”. Deri në pikën që një nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, Olliver Ivanoviq, u vra në fillim të vitit 2018, sepse që nga përfundimi i luftës, ai po kërkonte një marrëveshje me Qeverinë e Prishtinës. Për fat të mirë, numri i serbëve që dëshirojnë ta lënë mënjanë të kaluarën, të ecin drejt integrimit evropian dhe që duan normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën vazhdon të rritet. Mediat dhe arsimi luajnë një rol kyç këtu, por deri më tani ata nuk e kanë përmbushur atë. Gazetat e Beogradit ende u bëjnë thirrje instinkteve më nacionaliste dhe të prapambetura, duke përhapur dezinformata të turpshme rreth personaliteteve dhe gjendjes në Kosovë. Nuk ka asgjë të krahasueshme në mediat kosovare. Detyra e parë Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, të themeluar nga presidenti Thaçi më 2016, dhe Dialogu Ndërfetar duhet ta luftojnë këtë propagandë të dëmshme që shtrembëron realitetin dhe ushqen paragjykimet. Një detyrë kjo e vështirë pas dekadave, madje edhe shekujve të grindjeve ndëretnike. Një politikë racionale, e kombinuar me mbështetjen dhe inkurajimin e Evropës, mund të japë një kontribut të madh. Jacques Baudouin dëshmon këtu se, nga ana kosovare, kushtet e nevojshme janë tashmë në fuqi.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close