fbpx
Lajme

“Jack Smith më falënderoi dhe më tha, arrestimi i Thaçit nuk mund të ishte bërë pa ndihmën time” tregon dëshmitari i Hagës

Në SHBA ishte top lajm. Gjithandej në mediumet amerikane kishte analiza dhe mendime të ndryshme sa i përket skandalit të Jack Smith e Faik Imerit të përshkruar në dosjen e ish-agjentit federal amerikan, John Moynihan.

Së fundmi, mediumi amerikan dougbillings.us, ka dhënë detaje nga dosja 151 faqesh.

Faik Imeri ishte pikë kontakti dhe koordinator i dhjetëra dëshmitarëve për Gjykatën Speciale, tregon dosja amerikane.

Ai kishte bërë planin e futjes së dosjeve nga Serbia në Kosovë për të përshpejtuar arrestimin e krerëve të UÇK-së. Dëshmitari i cili kishte dhënë dëshminë kundër Thaçit e Veselit në 2020 dhe më pastaj e kishte tërhequr dëshminë e tij në 2022, kishte treguar detaje interesante. Pas trajnimit të Faik Imerit për dëshminë e tij, sipas dosjes së ish-agjentit federal John Moynihan, Jack Smith përmes Faik Imerit e kishte falënderuar dëshmitarin dhe i kishte dhënë se pa ndihmën e tij s’ do të mund të bëhej arrestimi i Thaçit

Më 7 nëntor 2020, Floriani telefonoi. Ai tha se kam dikë që dëshiron të flasë me ty. Më pas, Jack Smith mori në telefon. Ai tha se është shumë mirënjohës për ndihmën time në Kosovë. Smith tha gjithashtu se ata nuk mund t’i kishin bërë arrestimet pa ndihmën time” tregon dëshmitari i cili ishte pjesë e ekipit të Faik Imerit.

Tutje, njeriu i cili ishte pjesë përbërë e ekipit të Faik Imerit, ka treguar se si Faik Imeri i kishte zhvatur në emrin e CIA-s amerikane disa oligarkë rusë, thuhet në dosjen të cilën e ka publikuar edhe mediumi amerikan dougbilling.us.

Javë më vonë, mora një telefonatë nga ndërmjetësi im me dy oligarkët rusë. Ndërmjetësi më tha se kontakti im i CIA-s kishte zhvatur 16,000,000 dollarë në USD nga rusët. E pyeta se si e kishte bërë këtë CIA. Ndërmjetësi më tha se Michal Prochorov kishte paguar shtatë milionë dhe Vladimir Potanin kishte paguar nëntë milionë. Ndërmjetësi më tha se Prochorov tha se unë e di se i kam borxh shtatë milionë dollarë“, thuhet ndër të tjerash në dosjen e ish-agjentit federal amerikan i cili e implikon rëndë Faik Imerin dhe Jack Smith.

Si erdhën dosjet?

Ai dosjen ia ka dërguar Inspektorit të Përgjithshëm të SHBA-ve, inspektorit të CIA-s, inspektorit të Departamentit amerikan të shtetit dhe inspektorit të departamentit amerikan të Drejtësisë.

Dëshmitarët që janë mashtruar nga Faik Imeri i cili paraqitej me pseudonimin “Floriani” si agjent i rrejshëm i CIA-s, kanë filluar të rrëfejnë historitë e tyre. Dosjen e ka përgatitur konsulenti i DEA-s, John Francis Moynihan” dhe aty kanë dhënë dëshmitë e tyre njerëzit që janë shantazhuar nga Faik Imeri. Faik Imeri ka bashkëpunëtorë të cilët arrijnë deri tek majat e institucioneve të Kosovës.

Së fundmi, në dosjen 151 faqesh që tani iu ka dorëzuar edhe inspektoratit të CIA-s, dëshmitari H.S ka treguar edhe për dosjet e famshme të Hagës të cilat erdhën në zyrat e veteranëve e të cilat i kishte përgatitur në Beograd Faik Imeri, zyrtari i lartë i BIA-s serbe Bojan Dimiq dhe krimineli Milan Radojçiq. Dëshmitari H.S ishte pjesë e këtij takimi duke menduar gjithnjë që Faik Imeri “Floriani” ishte agjent i CIA-s, pasi ky i fundit i ka prezantuar kartelën e CIA-s, dosjet e dokumentet e tjera. Qëllimi i dosjeve ishte dëmtimi i krerëve të UÇK-së. Po ashtu, përgjimi i zyrtarit të lartë të BIA-s serbe Bojan Dimiq tanimë ka dalur në mediat vendore, ku ai shprehet i gëzuar për arrestimin e krerëve të UÇK-së.

H.S ka dëshmuar se si Faik Imeri në emrin e CIA-s e kishte ftuar për ta asistuar në operacionin e dosjeve.

Një ditë në fund të korrikut ose në fillim të gushtit, ne po flisnim në telefon nëpërmjet aplikacionit të njohur si Signal. Floriani më pyeti nëse isha gati të asistoja në operacionin në Kosovë. Dy-tri ditë më vonë, ai më thirri përsëri dhe më tha se “zyra jonë nga Agjencia dhe Prokurori Jack Smith” kishte vendosur të më përfshinte në operacion. Ai tha se kanë përgatitur disa dosje të kriminelëve të luftës që ndodhen në Kosovë. Dosjet ishin në Beograd. Florianit i duhej që dosjet të dilnin ilegalisht në Kosovë. Ai tha se prokurorët kishin shpenzuar shumë para për hetimin e tyre të krimeve të luftës. Unë iu përgjigja: “Si mund të ndihmoj?” Ai tha se kur të dalin dosjet në Kosovë, do të jetë alarm i madh. Ai tha se këto janë dosje sekrete nga Prokuroria për krimet e luftës. E pyeta se cili do të ishte roli im në operacion. Ai tha se prokurori Jack Smith tha se ne nuk kemi ende prova të mjaftueshme për të arrestuar njerëzit dhe ata duhet të ndryshojnë taktikën e tyre. Ai shpjegoi se roli im në operacion do të ishte t’i ndihmoja ata të merrnin provat që u nevojiteshin. Floriani tashmë kishte nxjerrë informacione në Kosovë përmes asistencës serbe. Mendova se ishte me shërbimet e inteligjencës serbe. Kur do të publikoheshin dosjet dhe personat në dosje filluan të panikohen, detyra ime do të jetë t’i afrohem këtyre njerëzve dhe t’u kërkoj para për të hequr emrat e tyre nga dosjet dhe akuzat për krim. Floriani shpjegoi se kjo do të ishte taktika që do të përdorej. Nëse populli do të pranonte të paguante paratë, Prokuroria do ta dinte se ata ishin fajtorë. E pyeta Florianin: Po sikur të na japin para? Floriani shpjegoi se unë do të merrja 10% të të gjitha parave që ishin paguar dhe se 90% e mbetur do të hynin në llogarinë e tyre të zezë për të financuar operacionet e ardhshme në Kosovë nga zyra e Prokurorit” thuhet në dëshminë e tij.

Më tutje, ai ka treguar se si e kishin organizuar një takim në Beograd, ku pjesëmarrës ishte edhe Milan Radojçiq, Bojan Dimiq e komandanti i Xhandarmërisë.

Një ditë pasi mbërritëm në Beograd, do të shkonim për një drekë. Unë supozova se do të takoheshim me disa njerëz amerikanë. Në vend të kësaj, ne u takuam me përgjegjësin e dytë të inteligjencës serbe, Bojan Dimiq, komandantin e Xhandarmërisë dhe Milan Radojcic, një politikan i njohur radikal serb i lidhur me mafian. Gjatë takimit që zgjati dy orë e gjysmë, Floriani më tha afërsisht njëzet herë të dilja dhe të pinte një cigare që të flisnin privatisht. Kur mbaruam, kthehemi në hotel. Në hotel e pyeta Florianin se kur do të takoheshim me amerikanët. Ai tha ndoshta të nesërmen“, thuhet ndër të tjerash në rrëfimin e dëshmitarit H.S i cili i ka rrëfyer të gjitha këto edhe në Gjykatën Speciale dhe tek konsulenti i DEA-s amerikane.

Çka përfshihet në skandalin e Gjykatës Speciale?

Po ashtu, platforma amerikane ka publikuar detaje të hollësishme edhe për Faik Imerin i cili realisht ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret serb (BIA) dhe paraqitej si agjent i CIA-s për të mbledhur dëshmitarë të rrejshëm kundër UÇK-së. Faktet tanimë në bazë të dokumenteve janë dërguar edhe tek Inspektorati i CIA-s në SHBA, Departamentit amerikan të shtetit dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë. Faik Imeri ka bashkëpunëtorë të cilët arrijnë deri tek majat e institucioneve të Kosovës.

.S ishte dëshmitar i prokurorisë i cili dëshmoi kundër Thaçit, Veselit e të tjerëve në tetor të vitit 2020. Ai ishte përgatitur totalisht nga Faik Imeri për të dëshmuar në Hagë. Faik Imeri (Floriani) e kishte trajnuar atë për të dëshmuar duke e mashtruar se zyra e CIA-s dhe personalisht Jack Smith qëndron mbrapa tij.

Kur e kuptoi dëshmitari H.S se ishte mashtruar nga Faik Imeri, me 22 prill 2022 shkoi dhe e tërhoqi dëshminë e tij dhe tregoi se e gjithë dëshmia ishte e sajuar dhe e montuar.

Në dosjen amerikane është publikuar biseda dhe dëshmia në Hagë, mes dëshmitarit H.S dhe njeriut të dytë të prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Alan Tieger. Alan Tieger ishte zëvendës i Jack Smith.

Në dëshminë e tij të cilën e kanë publikuar mediumet amerikane, bisedë kjo e incizuar nga dëshmitari H.S, ai tregon se gjithçka që ka dëshmuar në Hagë ishte përgatitur nga Faik Imeri.

Kështu që doja të them, të gjithë dëshminë që ju dhashë në Hagë, unë u përgatita nga agjenti i CIA-s“, i tregon dëshmitari H.S, prokurorit Alan Tieger.

Një pjesë nga dëshmia e dëshmitarit H.S me prokurorin Alan Tieger e publikuar në mediumet amerikane.

Tieger: A qëndroni pranë kësaj, apo thoni se ju është thënë ta thoni atë nga personi juaj i CIA-s?

H.S: Kështu që unë besoj se ky person i CIA-s është shumë i besueshëm, sepse, nëse nuk do ta mendoja se ai ishte i besueshëm, nuk do ta thoja këtë dhe nuk do ta jepja atë informacion.

Tieger: Dhe informacioni që dhatë në tetor të vitit 2020, erdhi nga një sërë burimesh të ndryshme, apo vetëm nga ky person i CIA-s?

H.S: Vetëm nga CIA, zotëri, vetëm nga agjenti i CIA-s.

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari H.S tregon se fillimisht i kishin thënë se nuk ka fakte për ta arrestuar Thaçin dhe duhej ndihma e tij për ta nxitur arrestimin e tij. Në fund ai tregon se e gjithë dëshmia ishte e sajuar.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close