fbpx
Sport

Lila bën premtim të madh për tifozët

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Andi Lila ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp ku ka folur për 2 përballjet historike ndaj Spanjës dhe Italisë.

Kavajasi nuk e ka fshehur besimin për një paraqitje dinjitoze ndaj Spanjës në transferë si dhe shpreson për një fitore me Italinë në “Loro Boriçi”. Lila tregon se tregon se të luash ndaj 2 skuadrave më të mira në botë, është një ëndërr për çdo lojtar, por megjithatë ai nuk e shikon inferioritet ndaj askujt.

Përballje me 2 skuadra kampionë bote

“Është fat i madh për brezin tonë që na qëlloi të luanim ndaj dy skuadrave kampione të botës. Çdo lojtar i ka ëndërr ndeshje të tilla të jashtëzakonshme, sepse nuk luan dot përditë me lojtarë nga më të mirët në botë. Në ndeshjen e parë luajtëm mirë taktikisht deri në momentin e pësimit të golit, sepse Spanja ka individë që bëjnë diferencën në çdo moment. Mendoj që bëmë një ndeshje të mirë në mbrojtje. Spanja ka lojtarët më të mirë, por ne gjithmonë do të dalim në lojën tonë, sepse çdo minutë në Kombëtare nuk përsëritet sepse është fat të luash ndaj Spanjës dhe Italisë dhe të bësh gjëra pozitive dhe t’i tregojmë të gjithëve se dhe ne jemi këtu.”

Motivimi në ndeshjen ndaj Spanjës

“Në çdo ndeshje, jo vetëm me Spanjën, çdo lojtar duhet të japë 200 për qind. Si në ndeshje të tjera me ekipe të forta. Spanja është ndër ekipet më të forta se ka qenë kampione bote dhe Europe. Nevojiten të gjithë komponentët bashkë për rezultat pozitiv. Ne do të bëjmë më të mirën për të dalë nga fusha me kokën lart.”

Përgatitja e ndeshjes

“Edhe Spanja si ndeshjet e tjera vlen tre pikë. Edhe lojtarët vetë e presin me shumë dëshirë këtë ndeshje të madhe dhe trajneri po e përgatit shumë mirë dhe shumë qetë. Presim me padurim të premten që të luajmë.”

Ndryshimi i punës së Panuçit me atë të De Biazit

“Gjithë trajnerët kanë filozofinë e tyre. Objektivi final është që të gjithë jemi për një qëllim të ecim përpara. Jemi në rrugën e duhur. Në Kombëtare nuk përfaqësojmë vetëm veten tonë, por përfaqësojmë një komb të tërë.”

Mungesa e entuziazmit

“Fati jo i mirë që na qëlluan në grup dy skuadra të nivelit të jashtëzakonshëm dhe duke llogaritur ndeshjen me Izraelin që ishte e çuditshme, normale që nuk ishte entuziazmi i periudhës së kualifikimit të Europianit kur ia dolëm, por ne mundohemi të lëmë gjurmët tonë në Kombëtare, vijmë këtu të japim më të mirën të ndihmojmë skuadrën dhe që Shqipëria të ecë përpara.

Kisha shumë dëshirë të ishim edhe ne pjesë e Botërorit, pasi përjetuam Europianin, që ishte gjëja më e bukur në karrierë. Por do shohim përpara. Do të japim maksimumin në dy ndeshjet e fundit dhe do të shijojmë çdo minutë.”

Dëshira për fitore ndaj Italisë

“Mendoj që në Shkodër mund të marrim tre pikë. Por, ne do të futemi në fushë të japim maksimumin. Siç e dinë të gjithë do të jenë dy ndeshje shumë të vështira, por nuk do të jemi inferiorë ndaj askujt. Nuk kemi çfarë të humbasim. Personalisht jam optimist se do të marrim rezultat, madje tre pikët e plota ndaj Italisë, për të shkruar historinë se kemi fituar përballë një kampioni të botës.”

Premtimi për tifozët shqiptarë

“Ne kemi tifozët më të mirë. E treguam në Europian se kush ishim dhe ndryshuan opinion për ne si popull. Kur fushë në fushë mundohem të jap 20 për qind edhe për tifozët. Ata na kanë mbështetur gjithmonë në çdo moment dhe i jam shumë mirënjohës. Do t’i thoja të vazhdojnë me këtë rritëm sepse janë më të mirët.”

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close