fbpx
Lajme

“Komploti” i AKI-së për ta shpëtuar Sadri Ramabajën, rasti po minohet nga pushteti i ri

Shokues ishte për shumëkënd raportimi i mediumit të ri Paparaci, për dy punonjës të AKI-së si “dëshmitarë fiktivë” lidhur me përfshirjen e Sadri Ramabajës në rastin “Syri i Popullit”. Ishte kjo një strategji e pushtetit të ri, e cila dëshmoi fushatën ndërhyrëse në drejtësi gjoja nën petkun e paligjshmërisë. Reaguan edhe avokatë të njohur, por askush nuk e ngriti pyetjen: si mundet një gazetar apo menaxhmenti i AKI-së të vlerësojë “paligjshmërinë e procesit të dëshmitarëve” apo “dëshmitarëve fiktivë”, kur kjo është kompetencë ekskluzive e Gjykatës? Pse nuk pamë asnjë reagim për cilësimin e këtyre dëshmitarëve të mbrojtur si “dëshmitarë fiktivë” dhe rreth dekonspirimit të tyre? Arsyeja e mbulimit të identitetit ka të bëj me mbrojtjen e dëshmitarëve, gjegjësisht punonjësve operativë të AKI-së, në një rast që kishte të bënte me tentimvrasje që u parandalua nga organet e sigurisë. Ky nuk është skandal gjyqësor dhe as skandal i AKI-së, por situatë shumë e rendë e ndërhyrjes në një proces gjyqësor dhe rrezik për sigurinë e vendit, sepse gazetarit i janë bërë të ditur edhe identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur.

Para disa kohësh e kishim një raportim medial të vetë mediumit ku ishte pjesë deri vonë gazetari Vehbi Kajtazi, për marrëveshjen konfidenciale të Ministrisë së Shëndetësisë me kompaninë “Pfizer”, ku policia reagoi menjëherë dhe iniciuan hetime. Ndërsa, në këtë rast zbulohen identitete të dëshmitarëve të mbrojtur dhe nuk kishim asnjë reagim. Ishte vetë gazetari Vehbi Kajtazi, i cili krerëve të OVL UÇK-së u thoshte nëpër studio që sikur të ishte ai prokuror, ata nuk do të ishin nëpër studio televizive, por në burg për dokumentet e klasifikuara që i publikonin, ndërsa tani vetë ai e bëri të njëjtën gjë.

Mediumi “Epilogu”, në kushte anonimiteti, ka biseduar me një punonjës të AKI-së lidhur me këtë rast dhe ai ka sqaruar që nuk ka asgjë të kundërligjshme në përfshirjen e dy punonjësve të AKI-së si dëshmitarë të mbrojtur apo edhe fiktivë dhe se për këtë ka qenë e informuar edhe gjykata, jo vetëm prokuroria.

“Kjo ishte strategji e sinkronizuar me Ministren e Drejtësisë dhe zëvendësministrin e saj, ku për qëllim kishte minimin e procesit të rastit “Syri i Popullit”, që aktualisht është në rigjykim dhe ta godisnin prokurorinë me praktikën e tyre “Shkon Lumezi, vjen Elezi”. Për më shumë, kjo tregon që pushteti aktual nuk kursen asnjë mjet për qëllime hakmarrëse dhe politike, qofte kjo edhe me shkatërrimin e sistemit të sigurisë dhe drejtësisë”, ka thënë ky burim brenda AKI-së për Epilogun.

Sipas tij, raportimi ishte tërësisht i servuar dhe i spinuar, ashtu siç ka pasur dëshirë vetë menaxhmenti i AKI-së, konkretisht Petrit Ajeti dhe Burim Ramadani, ndonëse ishte kontradiktor qysh në thelbin e tij. Madje, sipas tij, ata vetë do të duhej të shqetësoheshin për rrjedhjen e informacionit dhe shpalosjen e identiteteve të punonjësve të AKI-së që mbrohen me ligj.

“Pretendimi se përfshirja e dy punonjësve të AKI-së si dëshmitarë fiktivë është bërë pa dijeninë e Gjykatës demantohet nga vetë përpiluesi i atij artikull kur thotë se menaxhmenti i ri e ka kuptuar kur u ka ardhur ftesa e Gjykatës për të dëshmuar në adresë të AKI-së. Me vetë faktin që ftesa ka ardhur në adresë të AKI-së dhe jo në adresat e tyre private, nënkuptohet që gjykata e ka ditur kush janë dëshmitarët dhe që ata janë me identitete fiktive në përputhje me detyrimit ligjore që kërkohen për raste të tilla për punonjësit e mbrojtur të AKI-së”, ka thënë ai, duke shtuar se ndërrimi i identiteteve është bërë me konfirmim të gjykatësit, por që aktualisht menaxhmenti i ri nuk po i lejon më as të dëshmojnë për ta shpëtuar Ramabajën.

Punonjësve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, me konfirmimin e drejtorit të saj, u mundësohet me ligj që në rast nevoje gjatë punës së tyre ta ndërrojnë edhe identitetin e tyre. Po ashtu, bazuar në legjislacionin në fuqi, atyre u lejohet që të përdorin forma të ndryshme të mashtrimit operativ, duke përgatitur e përdorur edhe dokumente mbulesë për mbrojtjen e punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të saj.

“Pretendimi që gjykata nuk e ka ditur, sipas këtij artikulli që dukshëm është servuar nga inspektori, i cili vetëm pak javë më parë e kishte përfunduar hetimin e brendshëm rreth këtij rasti, siç vërehet nga lidhja logjike, nuk qëndron”, ka treguar ky punonjës i AKI-së duke mos guxuar të zbulojë identitetin e tij për shkak të ruajtjes së vendit të tij të punës.

Sipas tij, nga vetë raportimi i mediumit të ri Paparaci lidhur me raportin zyrtar, sipas punonjësve të AKI-së që janë të trajnuar në hartimin e raporteve, nënkuptohet që ata dy punonjës të AKI-së të përfshirë në këtë rast kanë qenë vetëm pjesë e ekipeve të vëzhgimit, të cilët nuk i njohin as shumica e personelit të AKI-së.

“Raporti të cilit i referohet gazetari duket sikur është vetëm një raport i pjesshëm i vëzhgimit, që të ngjashëm kanë mundur t’i dërgojnë më shumë se një raport, por në të tilla raste koordinimi zakonisht bëhet përmes telefonatave dhe në takime direkte me drejtorin e operativës ose drejtorin e AKI-së. Ndërsa, përgjigjet e tyre përtej atij raporti si dëshmitarë, janë përgjigje në pyetjet e prokurorisë dhe Gjykatës, të cilët kanë pyetur përtej shkresave që kanë pasur në dispozicion. Është tepër e thjeshtë për ta kuptuar këtë”, ka thënë ai.

Sipas këtij burimi brenda AKI-së, janë dy arsye pse është plasuar ky lajm i bujshëm në këtë periudhë kohore.

“Arsyeja e parë vjen si rrjedhojë e nevojës për ta menaxhuar skandalin brenda AKI-së, ku u arrestua një punëtor i IT-së, i cili u pasqyrua në publik sikur të kishte punuar moti në AKI. E vërteta është që zyrtari i IT-së, M.K., deri para 1 jave ka qenë punëtor i rregullt i AKI-së dhe ai është zënë duke u shërbyer grupeve tjera që punojnë kundër interesave shtetërore të Kosovës dhe një rrjeti kriminal që ka qenë objekt i hetimit të vetë institucionit. Ky është skandal i madh dhe nuk do të duhej të kalonte pa dorëheqje zinxhirore në AKI”, ka thënë ky punonjës i AKI-së në kushte anonimiteti për Epilogun.

Për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe ndonjë dorëheqjeje, sipas këtij burimi brenda AKI-së, menaxhmenti e plasoi në publik këtë dramë mediale, të përshtatur ashtu siç u pëlqen Kurtit e Osmanit, që të mos ua kërkojnë dorëheqje dhe ta fitojnë edhe më shumë besimin e tyre, sepse veçanërisht kryeministri Kurti mësohet se ka shumë rezerva ndaj menaxhmentit të ri që duket më i afërt me presidenten Osmani.

“Drejtori i ri është i papërvojë dhe ende nuk e ka kapur punën. Ai është duke u menaxhuar komplet nga inspektori i përgjithshëm dhe grupi i tij, të cilit ia ka imponuar edhe kabinetin e ngushtë për ta mbajtur nën kontroll të plotë”, ka thënë ky burim për Epilogun.

Arsyeja e dytë, sipas tij, mund të jetë si vazhdimësi e luftës politike kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së që po mbahen të paraburgosur në Hagë.

“Këto ditë u rritë presioni publik ndaj Policisë së Kosovës për t’u përgjigjur në kërkesën e Gjykatësit të Procedurës Paraprake rreth garancioneve që duhet t’i ofrojë Policia e Kosovës për lirimin e tyre me kusht. Në vend të ofrimit të garancioneve, këta ua ofruan edhe një rast të ri për ta përdorur kundër atyre në Hagë, që të mos lëshohen në liri me kusht”, ka theksuar ai.

Vetë Sadri Ramabaja, si i akuzuar në rastin “Syri i Popullit”, në një prej seancave gjyqësore kishte rrëfyer për një takim me agjentë të AKI-së.
Kur Ramabaja ishte pyetur rreth kalimit të kufirit disa herë me dokument të huaj, ai kishte deklaruar se kufirin e kaloi një herë në vitin 2017 me pasaportën e nipit të tij, sepse atij i ishte bllokuar pasaporta.
Ramabaja kishte thënë se kishte vepruar ashtu për shkak të panikut, sepse ishte paralajmëruar më 4 tetor për mundësinë e likuidimit të tij.

Ndërsa, i pyetur se kush e kërcënonte me likuidim, Ramabaja kishte deklaruar se ishte paralajmëruar nga një person, i cili është thirrur si oficer i AKI-së, shok me dy studentë të tij në AKI.
Shumë prej familjarëve të Sadri Ramabajës jetojnë në Gjilan prej kah vjen edhe drejtori i ri i AKI-së, Petrit Ajeti.
Sapo Ajeti ishte emëruar Drejtor i AKI-së, sipas këtij punonjësi të AKI-së që ka folur në kushte anonimiteti për Epilogun, ai e kishte ndërruar edhe zyrtarin përgjegjës në Gjilan, duke e emëruar aty një zyrtar të mëhershëm të AKI-së, person i afërt me z. Sadri Ramabaja në një pozitë udhëheqëse.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close