fbpx
Lajme

Konjufca i del kundër Kurtit: Oliver Ivanoviq është kriminel lufte pa kurrfarë dyshimi

Kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufuca është pyetur sot për qëndrimet e tij karshi politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, të cilin kryeministri Albin Kurti në pesë vjetorin e vdekjes së tij i thurri lavde. Tha se “qenë një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

Konjufca nuk ka hezituar duke u përgjigjur se “Oliver Ivanoviqi është kriminel lufte pa kurrfarë dyshimi, këtë e ka vendosur edhe gjyqësia e Kosovës”, shkruan Insajderi. Tutje Konjufca ka tentuar ta arsyetojë Kurtin duke thënë se “Kryeministri ka dashtë të thotë se ai njeri është vrarë prej Aleksandër Vuçiqit. Kjo ma merr mendja se është mesazhi që ai ka dashtë ta përqojë. Unë mendoj se sa i përket përgjegjësisë që ka pas Ivanoviq kryeministri nuk ka ndryshuar qëndrim. Asnjë prej krimeve nuk e ka hequr prej biografisë së tij“, tha ai shkruan Insajderi.

Por kush ishte Oliver Ivanoviq dhe për çfarë akuzohej?

Oliver Ivanoviqi, i cili nga Gjykata Themelore në Mitrovicë u dënua me 9 vjet burgim për krime lufte në Kosovë ka një biografi interesante.

Ai ishte bërë kadet në Akademinë Ushtarake të Zagrebit, nga ku u kthye në Kosovë dhe u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Mitrovicë.

Ivanoviq ka folur mirë gjuhën shqipe, ndërsa aktivitetin politik e nisi, në vitin 1999, me një kërkesë nga “Rojat e Urës”

“Rojet e Urës” e ftuan Ivanoviqin për t’i trajnuar si mjeshtër i karatesë, si kampion që ishte në këtë fushë.

Në 1999 u bë anëtar i Këshillit Kombëtar Serb, SNV, e më vonë president i bordit ekzekutiv. U shkarkua pas dy viteve kur u bënte thirrje serbëve të Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet në Kosovë.

Në vitin 2001, ai nisi krijimin e Trupit Koordinues, organizata zyrtare e qeverisë serbe

Ivanoviq ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga 2001- 2004. Si deputet u bë edhe anëtar i kryesisë së Kuvendit.

Oliver Ivanoviq ishte lider i Partisë “Liri, Demokraci, Drejtësi”, ndërsa kur Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Ivanoviq tha: “Nëse Kosova bëhet e pavarur, ajo do të ngelet pa serbë”.

Në vitin 2008 Ivanoviq u bë Sekretar i shtetit në Ministrinë Serbe për Kosovën, derisa më 2013 kandidoi për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, ku humbi garën nga Krstimir Pantiq i “Listës Serbe”.

Ivanoviq u arrestua në vitin 2014 për krime lufte në vitin 1999 dhe 2000 në Mitrovicë. Ai akuzohej për vrasje, dëmtim prone dhe dëbim të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës. Aktakuza iu ngrit më 11 gusht 2014.

Sa ishte në paraburgim, ai hyri në grevë urie në kërkim të mbrojtjes në liri, në gjykimin ndaj tij dëshmoi edhe ish kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi

Ai u dënua për krime lufte të kryera në vitin 1999 me 9 vjet burgim.

Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës./Gazeta Insajderi/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close