“Krematoriumi i gëlqeres në Kleçkë”, fakte tronditëse qysh Serbia e inskenoi ngjarjen për ta dëmtuar imazhin e UÇK-së
Një nga inskenimet më të rënda gjatë kohës së luftës për të goditur imazhin e UÇK-së ishte edhe krematoriumi i gëlqeres në Kleçkë.
Në komunikatën zyrtare, Serbia kishte pretenduar se ishin vrarë 22 serbë e pastaj ishin djegur në furrën e gëlqerës. Po ashtu, Serbia i kishte përmendur edhe dy shqiptarë të vrarë në 1998, ku në fund ishte zbuluar se njëri kishte bërë vetëvrasje në vitin 1981, ndërsa tjetri ishte gjallë dhe kishte vdekur në vitin 2000.
Fondi për të Drejtën Humanitare kishte publikuar një analizë juridike për gjyqin e vëllezërve Mazreku. Në analizën e tyre bazuar në rrjedhën e procesit gjyqësor ishte konstatuar se nuk kishte prova për dënimin e tyre, por ishin dhënë edhe shumë detaje tronditëse sesi ishte inskenuar i gjithë rasti, i njohur ndryshe si “krematoriumi i gëlqerës në Kleçkë”.
Si ndodhi inskenimi i rastit?
Dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Mazreku, të paraqitur si “ushtarë të UÇK-së”, u arrestuan dhe “pranuan” që së bashku me disa ushtarë të tjerë kishin vënë në radhë disa dhjetëra serbë dhe i kishin pushkatuar. Trupat qenkëshin hedhur pastaj në furrë dhe duhej të zhdukeshin në gëlqeren e pashuar.
Më vonë do të mësohej se vëllezërit Mazreku ishin arrestuar më 2 gusht 1998, thuajse një muaj përpara asaj shfaqjeje të zbulimit të “krimit” të tyre në Kleçkë. Ata u paraqitën të lidhur e para kamerave më 27 gusht 1998. Pasi u burgosën në Serbi, ata në fund u liruan në mars të vitit 2002. E gjitha ishte një trillim, që më pas rezultoi se ishin droguar kur u nxorën para kamerave për të dëshmuar dhe pranuar gjoja për krimet e UÇK-së. Ata pas lirimit nga burgu i Serbisë e pranuan se të gjitha deklaratat e tyre ishin dhënë pas rrahjeve e torturave brutale nga ana e forcave serbe.
Aktakuza zyrtare ndaj vëllezërve Mazreku pretendonte se ata e kishin pranuar se kanë vrarë dy shqiptarë: Agim Thaqin dhe Faik Bitiqin. Mbrojtja kishte arritur të vërtetonte se Agim Thaqi kishte kryer vetëvrasje në vitin 1981 e nuk ishte vrarë në vitin 1998, ashtu siç pretendonte aparati shtetëror i Serbisë. Serbia përmes strukturave të saj kishte manipuluar edhe me kufomat, duke u munduar ta inskenoi këtë rast, por pas zbulimit se Agim Thaqi kishte vdekur në vitin 1981, prokuroria ishte nxituar për ta larguar nga aktakuza.
Mazreku kishte rrëfyer se kishte rrëmbyer një burrë që kreu vetëvrasje shumë kohë përpara se ta “rrëmbente” dhe një tjetër që vdiq për shkaqe natyrore në vitin 2000, pothuajse dy vjet më pas. Të gjitha këto deklarime u bënë pas torturave ekstreme që kishin përjetuar.
Vëllezërit Mazreku në fund u liruan. Pas lirimit ata pranuan se deklaratat e tyre ishin dhënë pas torturave ekstreme që kishin përjetuar nga ana e forcave serbe.
Luan Mazreku kishte treguar në detaje edhe për Gjykatën në Serbi sesi ishte droguar me dy injeksione për ta mësuar përmendësh atë çfarë thoshin zyrtarët e sigurisë të shtetit serb, përcjell Demokracia.com.
Deklarata e Luan Mazrekut para Gjykatës
Kur na arrestuan, na rrahën me shkopinj natën. Na çuan nga Malisheva në Gllogoc, ku na rrahën policët, ushtarët, madje edhe civilët. Aty qëndruam rreth dy orë dhe më pas na dërguan në Prishtinë. Na rrahën derisa erdhën inspektorët e policisë. Aty u ndamë dhe nuk u pamë më. Dy ditë më vonë, më dhanë disa letra dhe më detyruan t’i firmosja, duke më premtuar se do të më linin të shkoja nëse do ta bëja. I firmosa letrat me duar të lidhura. Më pas më dhanë një letër me makinë shkrimi dhe më thanë se duhej të mësoja përmendsh se çfarë thoshte. E lexova tekstin dhe pashë se ishte e njëjta gjë e manipuluar dhe refuzova ta mësoja. Më bënë dy injeksione për të mësuar tekstin. Ata vazhduan të më rrihnin dhe të më kërcënonin se do të më vrisnin; ma prenë veshin e majtë. Pas kësaj torture, pranova të mësoja tekstin që më kishin dhënë. Të nesërmen më çuan mua dhe Bekimin në Kleçkë, ku me rrahje dhe kërcënime më bënë të them para kamerave tekstin që kisha mësuar.