Kryetari i LPK-së dhe LKÇK-së: Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e themeluan UÇK-në
Një nga njerëzit më të hershëm që ishte pjesë e organizimeve për liri dhe pavarësi, Avni Klinaku, në një intervistë të dhënë në vitin 2017 kishte konfirmuar se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ishin themeluesit e UÇK-së dhe që ata i takonin bërthamës së parë të saj. Njësoj po shprehet edhe ish Kreu i LPK-së z. Bedri Islami. Edhe ai ka thënë se ishte pikërisht Hashim Thaçi i cili në vitin 1993, në një mbledhje Kollare të Kërçovës e dha këtë ide.
“Hashim Thaçi i ka taku LPRK-së dhe i ka taku pjesës së pakënaqur të LPRK-së. Ka themelu UÇK-në. Ne i kemi pas kontaktet e para kur ata kanë qenë një grup krejt i vogël, 5 anëtarësh”, ka thënë Klinaku.
I pyetur nga gazetarët nëse ai i konsideron Thaçin dhe Veselin si themelues të UÇK-së, Klinaku ka konfirmuar se këta janë themeluesit dhe i takojnë bërthamës së parë.
“Prej bërthamës së parë e dimë. Dhe çka është e vërteta, Thaçi është treguar mjeshtër, se nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet me LPRK-në”, ka thënë Klinaku.
Klinaku thotë se sapo kanë themeluar LKÇK-në në vitin 1993, njerëzit e tyre të parë menjëherë i kanë nisur drejtë Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Avni Klinaku ka qenë pjesë e Frontit Nacional Çlirimtar gjatë periudhës 1982-1984. I burgosur politik në vitet 1984-1989.
Gjatë viteve 1993-1997, ai ka qenë kryetar i LKÇK-së, deri sa përsëri ishte burgosur nga viti 1997 gjerë më 2001.
Nga viti 2007 deri në vitin 2015, Avni Klinaku ka qenë Kryetar i Lëvizjes për Bashkim.