LDK – Vetëvendosjes: Numrat i kemi – protestat mbani lirisht
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova shprehet i bindur se LDK-ja i ka numrat për formimin e qeverisë së re pa shkuar fare në zgjedhje të parakohshme, shkruan GazetaBlic.Rugova për GazetaBlic tha se LDK-ja është duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për formimin e qeverisë, proces ky i cili sipas Rugovës do të përfundojë shumë shpejt.“Ne patjetër që numrat për formimin e qeverisë i kemi dhe ajo pritet të formohet shumë shpejt, jemi duke e pritur njëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pastaj menjëherë formimin e qeverisë”, tha Rugova për GazetaBlic.
Tutje Rugova ka komentuar edhe mbajtjen e protestave të mundshme nga Lëvizja Vetëvendosje në rast se Kushtetuesja vendos në favor të LDK-së.Ai thotë se është e drejtë e VV-së që të mbajnë protesta, por që të njëjtat duhet të jenë demokratike e jo demokratike.“Është e drejtë e Vetëvendosjes nëse dëshiron të mbajë protesta apo jo, nëse ato janë demokratike, është e drejtë të mbahen, por nëse nuk janë, atëherë nuk duhet të mbahen”, u shpreh Rugova.
Këtë të premte është paralajmërimi nga Gjykata Kushtetuese, për publikimin e vendimit se a do të shkojë vendi në zgjedhje të reja, apo do të formohet një qeveri pa proces zgjedhor.Presidenti Thaçi kërkoi nga përfaqësuesit politikë që ta lënë të qetë Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa kryeministrin në detyrë Albin Kurtin e quajti uzurpator të zyrave qeveritare.Gjykata Kushtetuese më 1 maj kishte vendosur si masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.Pas dekretimit të Hotit nga Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje menjëherë i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.