fbpx
Lajme

Mediumi nga Shqipëria: Njerëzit e Kurtit kanë treguar, nga puna e keqe e Arben Vitisë, VV ka rënë 15% në sondazhe

Mediumi nga Shqipëria, pamfleti.net ka goditur figurën e Arben Vitisë. Sipas gazetarit Valon Syla, ky portal është i afërt me Vetëvendosjen dhe sipas tij këto goditje Arben Vitia është duke i marrë nga Albin Kurti.

Poju sjellim shkrimin e mediumit shqiptar dhe videon:

Përditë e më shumë, të dhënat drastike të pandemisë së Covid 19 në Kosovë po tregojnë se kontrolli i ekipit të Albin Kurtit në luftën ndaj koronavirusit, ka humbur shumë terren.

Në një kohë kur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është edhe kandidat i Vetëvendosjes për kreun e Prishtinës, pikët e tij politike po bien gjithnjë e më tepër këto ditë kur shifrat e fatalitetit dhe të infektuarve me Covid 19 janë rritur ndjeshëm.
Zërat opozitarë janë egërsuar në sulmin ndaj Vetëvendosjes, duke i vënë përsipër numrin e të vdekurve që janë shumë.
Këto ditë pritet që Albin Kurti të largojë Arben Vitinë, i cili formalisht do të japë dorëheqjen me logjikën që do të kandidojë për kryetar i Prishtinës, ndërsa në krye të Ministrisë pritet të emërohet Dafina Gexha.
Ajo është e besuara e Albin Kurtit në Ministrinë e Shëndetësisë, e prej kohësh ka qenë e margjinalizuar nga Arben Vitia pikërisht prej kësaj çështje, pasi ka menduar se është dërguar për të dubluar Ministrin.
Megjithatë, ajo që shqetëson njerëzit, më shumë se intrigat e pallatit, janë aktet, veprimet e mosveprimet për të zgjidhur emergjencën e rëndë që po kalon Kosova. Kjo situatë mund të dalë nga duart, edhe si pasojë e agresivitetit të virusit, sidomos variantit ‘Delta’ që është shumë i përhapur. Ka edhe vende të tjera që janë zënë gafil nga pandemia, por Kosova është në një situatë mjaft të rëndë.

Ministria e Shëndetësisë nën drejtimin e Vitisë, bëri parashikime krejt të gabuara për Covid 19. Ajo nuk kishte në dispozicion vaksina për popullsinë, e ndërkohë lejoi në mënyrë masive dasmat, që në Kosovë janë një mjedis i madh grumbullimi si pasojë e traditës dhe numrit të madh të njerëzve që ftohen. Në një nga këto dasma shkoi edhe vetë Arben Vitia, bashkë me qindra persona që kërcenin së bashku me koronavirusin. Një shembull natyrisht i keq për njerëzit dhe për administratën që do të duhet të tregohet më spartane se të tjerët.

Nga ana tjetër, pjesa më thelbësore e çështjes, është se prej Shkurtit, Arben Vitia nuk ka ndryshuar asgjë nga nëntoka e dyshimtë e dallavereve në shëndetësi, por përkundrazi ka bashkëjetuar me meduzën e vjetër.
Kështu ndërsa ka mbajtur në punë Naser Ramadanin, shefin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, i cili është edhe bashkëfajtor i rezultateve skandaloze në luftën kundër Covid në vitin e shkuar e në fillim të këtij viti, ka emëruar në Ministrinë e Shëndetësisë si Sekretar të Përgjithshëm, Naim Bardiqin, një person të lidhur me Kadri Veselin e aferat e elitës së vjetër.

Bardiqi është një vegël e Shuaip Mujës, personi që u bë i famshëm për akuzën e transplantit të klinikës ‘Mdiukus’.
Njerëz të rëndësishëm në Vetëvendosje kanë informuar për të gjitha këto Albin Kurtin, i cili ka bërë të ditur se vetëm nga puna e Vitisë, Lëvizja ka humbur 15 pikë në sondazhet e brendshme që zhvillon ekipi i tij.
Vitia ka kryer mjekësi të përgjithshme në Shqipëri, Universitet që e ka mbaruar për 10 vjet, ndërkohë që cikli është pesë. Edhe pse ka mbaruar mjekësi të përgjithshme, në karrierën e tij asnjëherë nuk ka shkruar ndonjë recetë për pacientët. Gjithmonë ka punuar si burokrat në disa kompani, e më pas edhe në stafin e Shpend Ahmetit në mandatin e parë.
Në lidhje me sektorin e produkteve farmaceutike dhe medicinale, pra “ lobit të barnave”, Vitia nuk ka ndryshuar fare status-quo-në e vjetër të Thaçit e Veselit, pasi ky sektor është ende në duart e ish-ëve.
Realisht fuqia në Ministrinë e Shëndetësisë është në duart e Naim Bardiqit, e sidomos kur Vitia ka nisur dhe fushatën për kryetar të Prishtinës, të gjithë njerëzve që kanë punë me të për çështje të shëndetësisë u thotë që ‘merruni me Bardiqin’.
Ndërkaq, ka zëra se Bardiqi e ka shantazhuar Ministrin me një kinse “skandal seksual”, ç’ka ka shtuar dyshimet se Arben Vitia është i kapur nga mafia e barnave.

Kurti është i informuar për të gjitha këto, nga njerëz brenda sistemit, të cilët janë çuditur pse Kryeministri nuk po vepron për të shkarkuar Vitinë e të gjithë njerëzit e tij. Rezultati për një qytet të vetëm, qoftë edhe Prishtina, nuk vlen sa shëndeti i njerëzve. E rëndësishme është që t’u flitet hapur, edhe sikur të ketë gabuar stafi i ngarkuar për të luftuar pandeminë.
‘Dielli nuk mbulohet dot me shoshë’, por as nuk mund të çorientohet kush nga vallja e Dr.Vitisë, i cili bëri 10 vjet për të mbaruar fakultetin, por sot i pëqen të quhet “njeriu më sharmant i Prishtinës”.
Po me 30 të vdekur në ditë, a mund të mbahet ende mindili në setër për të shitur mend? /Pamfleti

VIDEO: https://www.youtube.com/watch?v=CNg6DXF6s2E&feature=share&fbclid=IwAR0biafmSoVJtwr9pRNPR7RTlqxebHQFRqFNWqEs84Csaa3RDir00312aJI

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close