Ministri Aliu i sheh ujin e pamjaftueshëm, mbeturinat dhe ndotjen e ajrit si sfida për ministrinë
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë raportimit para Komisionit për Mjedis, ka thënë se sfidat e këtij dikasteri janë kapacitetet e vogla ujore, ballafaqimi me mbeturinat, dhe ndotja e ajrit nga deponitë e mëdha në vend.
Aliu tha se rezervat e ujit në Kosovë janë vetëm 50 milionë kub ujë, të cilat qëndrojnë në rezervarët e ndërtuara shumë moti.
“Targetet kryesore të ministrisë janë çështja e ujërave, sepse kapacitetet ujore në vendin tonë janë mjaft të limituara. Rezervat tona të ujit janë jashtëzakonisht të vogla pasi lumenjtë dalin nga vendi ynë. Kemi 50 milionë metra kub ujë të rezervuar në vendin tonë në rezervarët e ndërtuara nga e kaluara”, tha ministri.
Tutje Aliu tha se krahasuar me Shqipërinë, Kosova ka rreth 80 për qind më pak kapacitete ujore.
“Aspekti tjetër me fokus është mjedisi, e që ka të bëjë me ajrin dhe me helmimin e tokës. Kur flasim për tokën e keni parasysh mbeturinat, ato të rrezikshme dhe në veçanti mbeturinat urbane. Dua të theksoj se gjendja në vendin tonë është mjaft e rëndë, sepse bëhet në deponi e të cilat synojnë të zgjerohen dhe kanë ndikime të shumta në helmimin e tokës dhe degradimin e ambientit. Ka qenë praktikë që të hapet deponi të reja e të kapsullohen e ky trend duhet me u përfundu me një përfundim i cili duhet të jetë në harmoni me politikat e Bashkimit evropian. Sipas kësaj, prioritet i jepet riciklimit, ripërdorimit të tyre, prodhimit të energjisë nga to, e deponimi i tyre”, u shpreh ai. /EO