fbpx
Lajme

Nazim Bllaca i kishte tërhequr 80 mijë euro nga banka, iku pastaj në Serbi (Dokument)

Policia e Kosovës dhe ajo e UNMIK-ut, prej vitit 2006 ishin marrë me rastin e Nazim Bllacës. Ai gati dy vite ishte përgjuar nga organet e hetuesisë për shkak të shantazhit që ushtronte mbi biznesmenë.

Në këtë vit, Bllaca e kishte shantazhuar dhe kërcënuar edhe biznesmenin Fahredin Gashi, i cili e kishte lajmëruar rastin në policinë e Ferizajt. “Çdo ditë do t’i shfletoj gazetat ditore dhe çdo kund që shoh rast të vrasjeve të pazbuluara të policisë, unë do t’ia mveshi Fahredinit”, kishte shkruar në njërin prej mesazheve të tij, Nazim Bllaca, më vonë dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it.

Pas disa hetimeve të bëra dhe përgjimeve telefonike, policia kishte konstatuar se ka bazë të mjaftueshme kundër Bllacës dhe i ishte drejtuar prokurorisë që t’i fillojë zyrtarisht hetimet. Por, çështja ishte zvarritur disa muaj në Prishtinë dhe Bllaca ishte “zhdukur” përkohësisht pa gjurmë.
Të vetmen gjurmë që kishte lënë ishte tërheqja e 80 mijë eurove nga Raiffeisen Bank në Ferizaj, më 7 korrik 2006, përmes transaksionit me numër TT0618800838.

Republika ka siguruar konfirmimin e këtij transaksioni bankar, me përshkrimin e tij dhe të dhënat e tjera të fshira për shkak të mbrojtjes së të dhënave të palës tjetër.

Burime të afërta me rastin, konfirmojnë se Bllacës i deponoheshin mjete financiare nga disa banka në Serbi, ku edhe kishte shkuar për të jetuar pastaj përplot dy vite, deri në vitin 2009.

Më 29 nëntor 2009, Bllaca ishte rishfaqur për herë të parë në Kosovë pas ikjes rreth dyvjeçare dhe po këtë ditë ishte bërë shumë i famshëm me deklaratat e tij se ka qenë pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe ka bërë vrasje për llogari të kësaj organizate.

Prej kësaj kohe, Bllaca më asnjëherë nuk ishte vetëm.

Në mbështetje e kishte gjithnjë mikun e tij, zëvendësprokurorin për krime lufte në Serbi, Dragoljub Stankoviq, me të cilin koordinohej. Kurse në mbrojtje EULEX-in, si dëshmitar i tyre i mbrojtur.

Stankoviq dyshohet se është edhe personi, i cili e kishte përgatitur Bllacën për “revolucionin” në denoncimin e krimeve të UÇK-së, siç edhe deklaron vetë në e-mailin e mëposhtëm të tij.

Dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it, Nazim Bllaca, në e-mailet e siguruara shihet se për gjithçka e njoftonte zëvendësprokurorin për krime lufte në Serbi, Dragoljub Stankoviq. Në e-mailin e datës 19 shtator 2014, Bllaca i kishte shkruar edhe për pakënaqësitë e tij me EULEX-in.

Në këtë e-mail, Bllaca i kishte treguar se nga 16 prilli 2013 deri më 25 gusht 2014 kishte bashkëpunuar natë e ditë për një rast të shpronësimit të tokave me hetuesen austriake Zdenka Pumper dhe me amerikanin George Pleason, ku në fillim prokuror sipas Bllacës ishte Maurizio Salustro dhe më pas Diana Wilson.

Bllaca i tregonte zëvendësprokurorit për krime lufte në Serbi, Dragoljub Stankoviq, se në këtë proces po hetohej për shpëlarje parash dhe krim të organizuar dhe se pritej që të akuzohej, sipas tij, njeriu më i fuqishëm në Kosovë, Azem Syla.

Në këtë e-mail, dëshmitari i mbrojtur i EULEX-it, Nazim Bllaca, thotë se prokurorja i ka thënë se është duke u përpiluar dhe po shkon drejt përfundimit aktakuza kundër Sylës dhe së paku tetë personave të tjerë. “Në këtë rast prokurorja Diana Wilson ka qenë korrekte me mua, më ka thënë se do të jesh dëshmitar kyç i këtij rasti, sepse pa ty nuk do mundemi ta dënojmë Azem Sylën”, i kishte raportuar Nazim Bllaca, zëvendësprokurorit për krime lufte në Serbi, Dragoljub Stankoviq.
Më tej, në këtë e-mail, Bllaca i ankohet Stankoviqit për kushtet e këqija në burgun e Dubravës, duke i thënë se i ka dërguar edhe fotografi për t’i treguar se çfarë shtrati kishte dhe ku flinte. “Kam dërguar fotografi se çfarë shtrati kam dhe ku po flejë, e kam njoftuar edhe prokuroren dhe asgjë, vetëm telefonin ma ka sjell dhe asgjë më shumë”, thuhet në e-mailin e Bllacës.

Në këtë e-mail, Bllaca i tregon Stankoviqit se i kishte thënë prokurores që nëse se lirojnë deri më 1 tetor 2014, ai më nuk ishte i interesuar të ishte dëshmitar kundër Azem Sylës, sepse i frikësohej gjoja edhe helmimit në ushqim.

“Më 05.09.2014 ka ardhur në vizitë tek unë hetuesi amerikan George Plaeson me përkthyes Sherif Zeqirin, ku këta dy ka kohë që janë në rastin tim dhe më kanë thënë direkt për herë të parë që Xhonatan Ratel po e pengon rastin e pronave mos me hy unë si dëshmitar kundër Azem Sylës dhe kurrë Bllaca nuk do ta marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, do t’ia prolongojmë deri në maksimum”, i kishte shkruar Bllaca, Stankoviqit.

Sipas Bllacës, drejtësia e EULEX-it i kishte shkatërruar gjithçka dhe nuk e kishte marrë parasysh që ai ka qenë dëshmitar i çmuar për ta “… dhe nuk ka marrë parasysh që unë me dalje në publik më 29.11.2009 kam sjell revolucion lidhur me denoncimin e krimeve që nga viti 1998 e deri më sot”, i kishte shkruar Bllaca, Dragoljub Stankoviqit, duke kërkuar prej tij që t’i tregonte zyrtarëve të Brukselit për gjendjen e tij.

“I nderuar z. Stankoviq, unë kërkoj nga ju që t’i tregoni zyrtarëve në Bruksel që EULEX është duke e dërguar Bllacën drejtë vdekjes sikur Agim Zogajn”, kishte shkruar Bllaca në këtë e-mail.
Kurse në fund, Bllaca i tregon Stankoviqit që i kishte thënë prokurores, se ashtu sikurse kishte dalë në publik në vitin 2009, ashtu edhe pas datës 1 tetor 2014, të cilën ia kishte caktuar si “deadline” për t’u liruar, do të dalë dhe do t’i kërkoj falje publike Azem Sylës.

“Dhe në fund sikurse kam dalë në publik në vitin 2009, ashtu edhe pas datës 1 tetor 2014 kam me i kërku falje publike Azem Sylës”, i kishte treguar Stankoviqit, atë që ia kishte thënë prokurores, sepse, sipas tij, me ndërhyrjen e politikës e kishin sjellë në Dubravë dhe EULEX do duhej që të kundërshtonte dhe ta kthente te familja e tij për shkak të rrezikshmërisë.

“Nuk ha bukë të armikut e kundër të njëjtit me qenë dëshmitar”, i thotë krejt në fund Nazim Bllaca, mikut të tij, zëvendësprokurorit për krime lufte në Serbi, Dragoljub Stankoviqit./lajmi.net/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close