fbpx
Lajme

“Në 1993 Xhavit Haziri nga burgu ua dërgoi një mesazh Thaçit e Veselit: shtëpinë që kemi nisur të ndërtojmë, ta lini tani për tani”

ATDHETARË APO UDBASHË

Buxhovi del nga hija ( pjesa V) Bedri Islami

Në të gjithë lumin e pafund që derdhi pa asnjë lloj brejtje, Buxhovi akuzoi njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare se ishin, as më shumë e as më pak, të lidhur me UDB-në dhe, shkoi më tej, edhe me KGB-në ruse. Ky ishte tërbimi i tij politik, ose më saktë maja e këtij tërbimi. Më është kujtuar menjëherë se që në ditët e para të arratisjes së Jusuf Gërvallës, bashkë me të, edhe pëshpërima se ai nuk duhet besuar, pasi është agjent i UDB-së dhe, jo rastësisht, një lëmsh i zjarrtë shpifjesh u hodh mbi figurën e tij, e kur e ndjenë se ata nuk zunë vend dhe se ishin të pamjaftueshme për ta ndalur, i bënë pritë dhe e vranë. Pastaj më është kujtuar se të njëjtët, kështu si Buxhovi, tinëzisht dhe mjerueshëm, përhapën fjalët se Adem Jashari nuk ishte asgjë tjetër veçse një njeri i shërbimit të fshehtë serb, duke shkuar edhe më tej se, “po të mos ishte, nuk do të linte Serbia të bridhte i lirë, ku do e si po do”. “Mendja” e tyre e kishte “parë Adem Jasharin edhe duke pirë me shefin e zyrës sekrete në Drenicë dhe kjo hidhej edhe në mediet zyrtare të Prishtinës. Kur u pa se e gjithë kjo nuk mund të zinte vend mbi figurën e një njeriu si Adem Jashari dhe familja e tij, pasi e kishin rrethuar dy herë pa sukses, ngritën një pritë të trefishtë në natën e 5 marsit 1998 dhe e vranë së bashku me 54 anëtarë të familjes dhe të fisit të tij.

Mund të shkojmë edhe më tej; vetë ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kanë akuzuar se ishte vegël e Arkanit, e kësaj here jo vetëm “legalistët” e Prishtinës, por edhe një njeri që hiqet sikur i qan zemra për Kosovën dhe që ishte presidenti i asaj kohe në Shqipëri, Sali Berisha. Kaq shumë baltë u hodh mbi këtë strukturë, çdo ditë të premte në konferenca shtypi, sa do të mjaftonin për të nxirë disa herë çfarëdo ushtrie të rregullt. Dhe kur e gjithë kjo nuk zuri vend, atëherë ngritën komisionin e famshëm të verifikimeve të krimeve të luftës, nga i cili u hartuan dosjet e luftëtarëve të UÇK-së, por asnjë dosje për krimet serbe.Buxhovi, por edhe të tjerë para tij, nuk janë mjaftuar vetëm me lidhjen e shpikur mes Lëvizjes Çlirimtare dhe UDB-së, por kanë shkuar më tej, deri tek KGB-ja. Lidhjet mes UDB-së dhe KGB-së jam i bindur se ai dhe të tjerë rreth tij i dinë fort mirë sepse, në mos tjetër, i ka studiuar dhe e di se të dy shërbimet, në kohë të ndryshme, sidomos kundër shqiptarëve, kanë qenë jashtëzakonisht të lidhur. Zaten shkolla e UDB-së ishte KGB-ja, por ata e rrinë në një shkallë më të lartë perfeksionin e dhunës kundër shqiptarëve.Vërtet çfarë ishin këta njerëz, vizioni i të cilëve ishte Kosova e së ardhmes, ishin atdhetarë apo udbash, ishin në vazhdën e idesë së lirisë apo të nënshtrimit, ishin republikanë apo autonomistë? Më duhet ta pranoj të vërtetën se ka pasur raste kur në mesin e Lëvizjes Çlirimtare ka pasur bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb.

Kjo ka qenë e pritshme dhe logjike, sepse ku do të synonte të penetronte ky shërbim, në mos në lëvizjen klandestine? Në “Rilindja” nuk i duhej gjë, pasi më shumë se gjysma ishin njerëz të saj dhe mbi 90 për qind ishin anëtarë të lidhjes komuniste serbe; në Institutin Albanologjik, që në vitin 1981 njihej si kështjella e nacionalizmit, nuk kishte pse, pasi sekretari i lidhjes komuniste, Rugova, ishte flamurmbajtësi i procesit të diferencimit; në Akademinë e Shkencave, ku kishte dhjetëra figura të ndritura, nuk kishte pse, sepse kishte Mark Krasniqin, akademik që ende nuk i dihen veprat, deputet i parlamentit serb; në qeverinë hije të Kosovës, po ashtu nuk kishte përse, sepse veç Rrahman Morinës, kishte edhe të tjerë si Isa Mustafa, të cilët e bënin punën e tyre edhe pa qenë të rekrutuar; në qeverinë Bukoshi, po ashtu nuk kishte përse, sepse aty shërbimi i fshehtë serb kishte vënë vend mjeshtërisht dhe se çfarë bëri kjo qeveri kur filloi lufta e pas saj, e ka dëshmuar numri dy i qeverisë, Shatri. Atëherë i mbeteshin dy vatra ku i duhej të futej: në Lëvizjen Çlirimtare dhe në Lëvizjen Studentore, sidomos pas vitit 1996, kur liderët e saj, e jo vetëm liderët, u lidhën me Lëvizjen Popullore të Kosovës, edhe si drejtues të saj.

Pra, në vite të ndryshme, shërbimi i fshehtë serb ka arritur të ketë të ketë njerëz të infiltruar te lëvizja çlirimtare. Jo të shumtë, jo në nivelet e larta, por mjaftueshëm për të bërë dëme të ndjeshme. Dikush është futur qëllimisht, që në ditët e para, duke u bërë pjesë e Lëvizjes pastaj, pasi ka marrë një pjesë të informacionit dhe duke e ditur se nuk mund të ecë më tej, ka bërë denoncimin e tij. Dikush tjetër, këto edhe më të paktë, gjithsejtë katër raste në 30 vjet aktivitet (të paktën këto janë të njohur), janë thyer gjatë torturave, nuk kanë arritur ta durojnë dhunën mbi to dhe kërcënimet ndaj familjes dhe kanë pasur çastin e zhvlerësimit të tyre.Kjo ka sjellë edhe dëmtime të radhëve, sidomos pas Mbledhjes së IV të Përgjithshme, në vitin 1993 dhe në janarin e vitit 1997. Kanë qenë dy nga dëmtimet më të mëdha, më të ndjeshme dhe të cilat kanë ndikuar në një periudhë ringritje të domosdoshme. Jo gjithnjë pa dhimbje, nga qelia e burgut, ku ishte i arrestuar Xhavit Haziri, një nga tribunët dhe liderët e Lëvizjes, do të dërgonte fjalë në vitin 1993, se “shtëpinë që kemi nisur të ndërtojmë, ta lini tani për tani, studentët le të vazhdojnë studimet. Ky ishte mesazhi i njeriut kryesor në ngritjen e strukturave të UÇK-së, të cilin ua dërgonte shokëve të tij, mes të cilëve edhe studentët Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

Por, këta të infiltruar apo të thyer më vonë, nuk ishin Lëvizja e as nuk ishin pjesë e saj. Ata ishin agjentë serboshqipfolës, të cilët nëpërmjet miqësive apo shfaqjeve atdhetare, dalëngadalë, por këmbëngulës, arritën të bëheshin përkohësisht pjesë. Këtë më mirë se kushdo e dinë njerëzit e “Rilindjes”. Ashtu si në “Rilindja” ka pasur edhe njerëz, gazetarë që kanë ditur shumë gjëra, ndoshta edhe detaje, por kurrë nuk janë bërë pjesë e sistemit informues. Një prej tyre, Ramush Tahiri, që kur ishin student, ishte në dijeni të grupit klandestin të Fehmi Lladrovcit, i njihte të gjithë, me emër e adresë, studentë apo ushtarakë, i dinte familjet e tyre, miqtë e shokët që kishin, por asnjë e dhënë, dhe ai dinte jo pak, nuk u bë e njohur nga ai. Pra, ka pasur edhe shembuj të tillë, por jo nuk e përjashton faktin se në “Rilindje” kishte më tepri bashkëpunëtorë të shërbimit të fshehtë serb.

Ashtu si qenia e pranishme e një apo e pak vetëve, të infiltruar apo të thyer nga shërbimi i fshehtë serb, nuk e bën Lëvizjen as pjesë të UDB-së apo të KGB-së.Lëvizja çlirimtare, edhe kur ishte në vështirësi, sidomos pas goditjeve të vitit 1993 dhe të vitit 1997, kishte qindra veta, të cilët edhe sot janë pjesë e jetës politike në Kosovë. Dhe duhet thënë se shumica e tyre, më shumë se 80 për qind, ishin me vite të gjata dhe të rëna në burgjet serbe.Në vitin 1998, sipas një vendimi të posaçëm të Lëvizjes çlirimtare, u ngrit një Komision i veçantë për hetimin e Ngjarjeve të Luftës. Si drejtues i Organizatës, me miratim unanim, më takoi të kryesoja këtë Komision, i cili verifikoi gjithçka që ishte e mundur, intervistoi e ballafaqoi njerëz e ngjarje, në Kosovë dhe jashtë saj, bëri ndërlidhjen mes ngjarjeve dhe informacioneve të ardhura. Së bashku me anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, Sejdi Gega dhe Naser Idrizi, për disa muaj, intensivisht, u bë çfarë ishte e mundur për t’i zgjidhur ato enigma që mund të ishin të rënda por që, në fakt, pas ndriçimit të tyre, çdo gjë ishte lehtësisht e besueshme. He në të gjithë luftën çlirimtare, sado e rëndë dhe e vështirë ishte ajo, nuk ka pasur asnjë rast të shpërfilljes apo të përhapjes së të dhënave, megjithëse asokohe nuk ishte vetëm shërbim i fshehtë serb që synonte t’i kishte ato.Fakti që me Lëvizjen Çlirimtare, LPK, punuan ngushtë, deri në fund dhe pa asnjë ekuivok, shërbimet diplomatike të vendeve më të zhvilluara perëndimore, por edhe shërbime të tjera të këtyre shteteve, duke pasur besimin e jashtëzakonshëm te Lëvizja, deri në partneritet, dëshmon se gjithçka ishte e pastër, vitalisht e besueshme dhe, mbi të gjitha, pa asnjë lloj hije që mund të nxihej me kalimin e viteve.

Të gjithë njerëzit që Lëvizja Çlirimtare ka ofruar për bashkëpunim me diplomacinë ndërkombëtare, shpesh edhe të shkallës së lartë, apo për të bashkëpunuar me shërbime të tjera perëndimore në favorin e luftës, janë miratuar pa asnjë lloj ngurrimi. Dhe, dua të besoj, si kam besuar edhe asaj kohe, se secili prej nesh ka qenë i kaluar nëpërmjet rrezeve iks të politikës dhe të diplomacisë së dyfishtë. Në takimin e parë në Londër, me ndërmjetësinë e ambasadorit shqiptar, Agim Fagu, me një zonjë, përfaqësuese e rëndësishme e botës perëndimore, i ofrova lidhjen me njërin nga shokët tanë në Zvicër. Më kërkoi dy ditë kohë për të më dhënë përgjigje, por që të nesërmen më telefonoi për të më thënë se ishte dakord. Kështu, dua të besoj se ka ndodhur edhe me shokët e tjerë dhe thuajse të gjithë ata që përfaqësuan mendimin diplomatik të UÇK-së në Perëndim kishin qenë të burgosur politik; që nga Bardhyl Mahmuti, drejtues i Trupës, Jashar Salihu, Bilall Sherifi, Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Xhevat Bislimi, Agush Buja, Mehmet Bislimi, por edhe të tjerët, Ibrahim Kelmendi e Pleurat Sejdiu, që nuk kishin kaluar nëpër burgje, kishin besimin e plotë të niveleve të larta diplomatike.

Çfarë nuk kishte ndodhur e nuk do të ndodhte asnjëherë me “gazetarët” e dyfishtë të “Rilindja”, veçse në rastet kur ishin të nevojshëm si informatorë. Ky është dallimi i madh mes dy ndarjeve: njëra ishte nën shënjestrën e shërbimit të fshehtë serb, por kishte mbështetjen e botës diplomatike e jashtë saj, tjetra, mjerisht, ishte e përkëdhelura e shërbimit të fshehtë serb, shpeshherë pjesë e saj dhe e pazëshme në botën diplomatike. Me fillimin e luftës ata ishin në askund.Të duket e çuditshme… nëse do të besonim këtë sajesë të buxhovistëve. Atëherë duhet të “besojmë” se shërbimi i fshehtë serb na paska qenë “shqiptaromadh”, bile edhe më shumë sesa vetë shqiptarët sepse, pa asnjë lloj hezitimi, bashkëpunëtorët e tij dhe të KGB-së, si thotë trupërisht Buxhovi, njerëzit e Lëvizjes Çlirimtare, i burgos, i torturon, i djegë, i zhduk pa asnjë gjurmë, i vret sheshazi dhe fshehtas, i burgos pjesëtarët e familjes, ia vret edhe ato, ndërsa ata, “nacionalistët” dhe “irredentistët” e tipit Buxhovi, përkundrazi, megjithëse e di se janë “atdhetarë” të mëdhenj, i përkëdhel, i pranon në lidhjen komuniste serbe, si ishin buxhovët, i bën deputetë në parlamentin serb, i dërgon si gazetarë jashtë shtetit, si në Gjermaninë Perëndimore, i mbush me dhurata.

Ndërsa ata, “agjentët” e Lëvizjes, sipas Buxhovit, njerëzit e Lëvizjes, kalben nëpër burgje, buxhovët i kalojnë pushimet jashtë shtetit, jetojnë në banesa luksoze, për të cilat nuk paguajnë asgjë, bredhin nëpër lokalet e natës, kur të burgosurit politikë merren në pyetje në mesin e natës dhe, si mos më keq, lihen të lidhur gjithë natën e gjithë ditën.E përsëris, sipas buxhovistëve, ata, gazetarët, anëtarët e Lidhjes Komuniste Serbe, në filialin e saj në Kosovë, të përkëdhelurit, bashkëpunëtorët e vërtetë të UDB-së, himnizuesit e bashkim-vëllaznimit, përsëri shiten si nacionalistë, kur e kanë harruar edhe fjalën atdhe.27 të burgosurit politikë, vetëm një pjesë e Lëvizjes të burgosur në vitin 1986, u dënuan së bashku me më shumë se 320 vjet burgim të rëndë, shumica e tyre studentë, asnjëri nuk ishte më shumë se 30 vjet, ende në lulen e rinisë; ndërkohë që buxhovistët i denigronin në medien e tyre si njerëz pa moral, pa dinjitet, irredentistë, por asaj kohe, asnjëherë, nuk mund të shpifnin se këta të burgosur ishin agjentë të UDB-së dhe të KGB-së, sepse UDB-a ishte ende aty, në zyrat e tyre, në mendjen e tyre, në vetëdijen e tyre, ku është edhe tani. Është një kohë kur mjerimi kërkon zërin e vet, edhe në politikë. Njërin prej tyre e ka gjetur tashmë, një ish-gazetar i “Rilindjes”, anëtar i Lidhjes Komuniste Serbe, gjysmë publicist e gjysmë hetues i policisë së fshehtë serbe e, ndoshta, edhe më shumë se kaq! Kohë e mjerueshme. Çakejtë duan të rikthejnë atë që shkoi. Është një mundim i kotë. Nuk do të munden. Dhe si për të dashur të mbyll këtë cikël, në numrin e ardhshëm, në vend të rezymesë, do të rikthehem në vendin që zë Lëvizja Popullore e Kosovës dhe përtej saj, Lëvizja Çlirimtare, në historinë moderne të kombit tonë. (VIJON)(Autori ishte kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në vitet e luftës

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close