fbpx
Lajme

Ibrahim Kelmendi: Kjo ishte dëshmia para hetuesit gjerman për rastin Gërvalla

Komplotet pas vrasjeve

Shkruan: Ibrahim Kelmendi

Vrasjen e udhëheqësve Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka dhe bashkëveprimtarit Bardhosh Gërvalla e përjetuam si goditje e tronditje të rëndë. Në mëngjesin e 18 janarit 1982 udhëheqësi i hetuesisë, zotëri Odaischi, më mori në shtëpi të vëllezërve Gërvalla dhe, në ndërtesën e policisë së Heilbronnit me intervistoi më shumë se dy orë. Ende nuk dija për fajësimin dhe porosinë që kishte lënë Jusufi, si: “UDB-a na vrau!”, “Nëse dorasit janë shqiptarë, mos u zbulofshin kurrë!”. Gjatë intervistës, pyetjes se në kë dyshoja si vrasës, iu përgjigja duke deponuar emrin e Riza Salihut, pasi shpjegova shkurt të kaluarën e tij.

Ditën vijuese shtabi i hetuesisë gjermane, i quajtur komisioni i veçantë (Sonderkommission), i përbërë nga prokuroria, policia hetimore etj., shpalli publikisht kërkimin e Riza Salihut, meqë ndërkohë ishte analizuar dosja e tij, ishte bërë fantom-fotoja në bazë të dëshmisë së një fqinji gjerman etj. Ndërkohë kisha përshtypjen se hetuesisë gjermanë më shumë po i interesonte ta zbulonte veprimtarinë tonë sesa t’i zbulonte vrasësit.

Derisa po kujdeseshim për ceremoninë mortore (që zgjati tre javë, duke pritur lejen për t’i bartur të ndjerët për varrim në Kosovë), në prapashpinë po na ndodhnin komplotet. Edhe në shtëpi të familjes Gërvalla ishin pozicionuar të paktën dy njerëz të UDB-së, me urdhër të Sabri Novosellës. Dyshoja te Xhafer Durmishi, i cili erdhi enkas nga Kosova për ta zënë “vendin” e Jusufit; e Nuhi Sulejmanin, si informator e përçarës, por edhe te Hafiz Gagica, i cili duhej të ishte rekrutuar ndërkohë nga Selim Brosha.

Në Stamboll, më 17 shkurt 1982, takohen (ish-oficeri i UDB-së,) Avdullah Prapashtica (kryetar i “Partisë Komuniste Shqiptare Marksiste-Leniniste të Kosovës”) dhe Sabri Novosella (udhëheqës i LNÇKVSHJ). Ata vendosin të bashkohen në “Lëvizje…”.

Pak ditë pas vrasjeve ndodhi “arratisja” e Xhafer Shatrit nga Burgu i Prishtinës. Ai, “në emër” të OMLK-së, i bashkëngjitet “Lëvizjes…” së Sabri Novosellës e Avdullah Prapashticës, më 5 maj 1982. Nuk vonon dhe fillojnë zënkat ndërmjet këtyre tre “krerëve”, duke na imponuar që, në vend të punës e veprimtarisë së mirëfilltë, të merreshim me zënkat dhe armiqësitë mes tyre.

Në vitet 1982-1984 nga Kosova arratisen veprimtarë të sprovuar dhe angazhohen në Lëvizje. Kjo bëri që nga Lëvizja të ikin fillimisht Avdullah Prapashtica e Sabri Novosella. Pastaj edhe Xhafer Shatri. Ikja e tyre mundësoi zgjerimin e konsolidimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, duke e vënë atë në themele të Bashkimit të 17 janarit 1982.

Edhe shumë e shumë vite pastaj nuk pati luftime mes grupeve në Gjermani, nuk ndodhnin vrasje, siç gënjen Jusuf Buxhovi (përjashto vrasjen e dy shqipucëve, në Hamburg, më 25 maj 1985). Në rastin fatkeq, bashkëveprimtari Ramazan Lazami (nga Tetova) vret në vetëmbrojtje dy viktima, të cilët i kishte angazhuar konsullata jugosllave në Hamburg ta vrisnin atë. Pas dy javësh burg hetues, Ramazani lirohet, meqë hetuesia konstaton vetëmbrojtjen dhe se viktimat ishin angazhuar nga ajo konsullatë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close