fbpx
Lajme

“Politico” për Kurtin: Në Ballkan, një përçarës i gatshëm për pushtet

Albin Kurti s’mendon se i ka fituar thjeshtë zgjedhjet. Ai thotë se ishte një revolucion.

Kurti, ish-protestues, i burgosur dhe provokues, pritet të bëhet kryeministër i Kosovës pasi Lëvizja e tij Vetëvendosje foli e para në zgjedhjet parlamentare të tetorit.

E inspiruar nga lëvizjet majtiste anti-kolonialiste në botën në zhvillim, organizata e Kurtit është goxha e ndryshme nga partitë që kanë udhëhequr Kosovën dhe shtetet tjera në Ballkan në dekadat e fundit. Dhe qëllimi i tij i deklaruar është të shkatërrojë modelin e tyre të qeverisjes – një sistem i nepozitmit dhe korrupsionit endemik, i shoqëruar me lidhje të ngushta me krimin e organizuar.

Nëse 44 vjeçari ia del, ai do të nxiste lëvizje të ngjashme nëpër Ballkan, duke paraqitur kështu një sfidë të rrallë për elitat politike të krijuara gjatë konflikteve në të ’90-tat.

“Po e nisim një epokë të re ku qeveria është e vetëdijshme se nuk i ka paratë e veta, por se ajo thjesht menaxhon me paratë e njerëzve”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Politico” nga selia e lëvizjes së tij në Prishtinë. “Kjo kulturë e re e qeverisjes së mirë është çelësi i fitores sonë revolucionare, për çka unë besoj se është dita kur e ardhmja nisi për Kosovën”.

Rrugëtimi i Kurtit do të jetë boshtor në përcaktimin e jo vetëm të së ardhmes së Kosovës por edhe për konfliktin e saj të ngrirë me fqinjin e saj verior, Serbinë. Nëse marrëdhëniet mes dy vendeve përshkallëzohen, stabiliteti i tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor me gjasë do të pësojë një goditje tjetër, transmeton Koha.net.

Asgjë nga ato që i thotë Kurti nuk janë të lehta për t’u arritur. As ai e as partia e tij nuk kanë udhëhequr me qeverinë qendrore. Dhe elitat që kanë udhëhequr skenën politike Kosovës, me lidhjet e tyre të thella përgjatë institucioneve publike, nuk do të tërhiqen lehtë për të hequr dorë nga pushteti.

Dialogu mes Prishtinës e Beogradit u ndërpre më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, mbi tërë Ballkanin Perëndimor po qëndron një hije pasi BE-ja këtë vit refuzoi kërkesat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të nisur bisedimet për anëtarësim.

Megjithatë, Kurti thotë se politikat e lëvizjes së tij do të kenë një efekt pozitiv të zbutjes së varfërisë, të përmirësimit të shërbimeve publike dhe të luftimit të korrupsionit. Ai zotohet se do t’i japë fund një sistemi ku “populli mbijetonte në bazë të nepotizmit dhe aleancave partiake”.

“Besoj se nuk kemi asgjë për t’u frikësuar”, thotë Kurti. “Për këtë arsye, transparenca radikale është mënyra për të shkuar përpara, në mënyrë që të kemi mbështetjen e popullit”.

Që kur është kyçur në politikë rreth 2 dekada më parë, Kurti është burgosur nga Serbia dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga autoritetet e Kosovës. Ai ka hedhur gaz lotsjellës brenda parlamentit të Kosovës dhe është shmangur nga qeveritë Perëndimore për shkak të kritikave të ashpra ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë dhe për avokimin që i ka dhënë një referendumi për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Por, gjatë fushatës zgjedhore, Kurti i zbuti këto tone të radikalizmit, që bëri që ai të fitonte mbi 26 për qind të votave. Lëvizja që nga ajo kohë ka nisur bisedimet për koalicion me një parti tradicionale, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar qeverinë. Bisedimet kanë hasur në pengesa por sipas të gjitha gjasave do të prodhojnë një koalicion brenda këtij viti, me Kurtin në krye.

Që nga fitorja e tij, ambasadorë Perëndimorë në Kosovë e kanë përqafuar Kurtin dhe ai është parë në vizita zyrtare nëpër kryeqytetet kryesore evropiane për t’u takuar me zyrtarë të lartë.

Por ai insiston se do të nis një qasje të re të marrëdhënieve të Kosovës me fuqitë perëndimore.

“Do ta ndryshojmë këtë duke refuzuar dy pozicione kyçe, se me komunitetin ndërkombëtar ose duhesh të jesh ose servil ose i hidhëruar me ta”, ka thënë Kurti për “POLITICO”.

“Ka pasur një sjellje servilizmi që ka karakterizuar qeveritë e kaluara sepse kemi pasur zyrtarë të korruptuar dhe liderë partiakë që dëshironin të kënaqnin çdo zyrtar ndërkombëtar në këmbim të imunitetit për ndjekje penale për përfitimet paligjshme të pasurisë së tyre”.

Aktivizmi i hershëm

Kurti nisi aktivizmin e tij si student në kulmin e goditjes së shqiptarëve të Kosovës nga Sllobodan Millosheviqi në ditët e fundit të Jugosllavisë socialiste.

Protesta e tij e parë ishte më 1997, kundër autoriteteve serbe se ua kishin ndaluar studentëve shqiptarë shkollimin në shkollat e mesme publike dhe në universitete.

Gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, forcat serbe ndaluan Kurtin, babanë e tij dhe dy vëllezërit e tij më të rinj, të cilët më pas u dënuan nën akuzat e lidhura me aktivizmin e tij. Kurti kaloi dy vjet e shtatë muaj në burg, transmeton Koha.net.

“Kur u dënova me 15 vjet burgim, mendova se kurrë nuk do të dalë më jashtë”, kujton ai. “Natën e parë kur shkuam atje, një i burgosur vdiq nga torturat. Zakonisht njerëzit që vdiqën ishin të moshuar apo dikush që kishte probleme shëndetësore. Por ata na rrihnin e na torturonin të gjithëve”.

Derisa Kurti ishte në burg në Serbi, Kosova nisi hapat e parë për themelimin e shtetit të pavarur nga sundimi serb. Gjatë asaj periudhe, zyrtarë të OKB-së dhe paqeruajtës të NATO-s morën fillimisht drejtimin e vendit, para se të organizoheshin zgjedhjet dhe t’u dorëzohej pushteti politikanëve lokalë, shumë nga ta pjesëtarë të UÇK-së.

Kurti thotë se gjatë kësaj periudhe janë bërë shumë gabime, përfshirë edhe privatizimin e dyshimtë që i ka bërë disa persona shumë të pasur ndërsa ka lënë me mijëra të tjerë të papunë në një prej vendeve më të varfra në Evropë.

“Kemi kaluar nga një regjim shtypës në kaos”, thotë Kurti, transmeton Koha.net.

“Kemi pasur privatizim brutal”, shtoi ai. “Na thanë: ‘Treg i lirë, mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo është liria’”.

Emri i lëvizjes së tij reflekton mbi idenë se qytetarët e Kosovës s’kanë qenë asnjëherë vërtet të lirë për të përcaktuar të ardhmen e tyre – si pasojë e represionit serb dhe si pasojë e sundimit ndërkombëtar dhe “kapjes” së shtetit nga elitat e korruptuara.

Diplomatët Perëndimorë e kundërshtojnë fuqishëm këtë tezë, duke thënë se trupat e vendeve të tyre rrezikuan jetët e tyre për të stabilizuar Kosovën dhe se qeveritë e huaja kanë investuar shumë në ndërtimin e institucioneve të reja demokratike.

Kurti është zotuar se do të punojë shumë për të ndërtuar sundimin e ligjit, duke e bërë prokurorin e shtetit njeriun më të famshëm në Kosovë, e jo ndonjë politikan.

Megjithatë, sfida e tij më e madhe mund të bie mbi menaxhimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me pakicën serbe në Kosovë.

“Si kryeministër, do t’i detyrohem të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thotë Kurti kur pyetet për serbët e Kosovës, të cilët mbajnë lidhje të forta me Beogradin. “Për shumicën e popullit të Kosovës, dy brenga të mëdha janë të njëjtë – vendet e punës dhe drejtësia”.

Por shumica e serbëve që jetojnë në Kosovë nuk e shohin veten si qytetarë të shtetit të ri dhe më me dëshirë do të mbeteshin si pjesë e Serbisë. Aktualisht, mënyra e vetme për t’i angazhuar ata politikisht është përmes Beogradit – një ide që është anatemë për Kurtin.

“Kosova nuk është një problem në zgjidhjen e të cilit duhet ta përfshijmë Serbinë. Kosova ka një problem dhe emri i tij është Serbia”, tha ai.

Kur bëhet fjalë për t’u marrë me Beogradin për çështjen e statusit të Kosovës, Kurti së paku ka disa gjëra pozitive në raport me liderët e Serbisë dhe me opinionin publik atje. “Ai nuk i ka duart e përgjakura, për dallim nga paraardhësit e tij që ishin pjesë e luftës, dhe nuk është korruptuar”, thotë Millivoje Mihajloviq, gazetar dhe analist politik në Beograd.

Për sa i përket agjendës së tij të brendshme, i tërë Ballkani do ta shikojë për të afërmi.

“Nëse del e suksesshme në Kosovë, kjo mënyrë e politikës mund të përshkojë edhe ambiente politike në rajon”, thotë Shpetim Gashi, analist politik në Këshillin për Qeverisje Inkluzive, një OJQ me qendër në SHBA.

Nëse Kurti ia del të shkatërrojë korrupsionin dhe ta forcojë sundimin e ligjit, kjo do të “përshpejtonte tranzicionin demokratik në rajon”, thotë Gashi.

“Natyrisht, nëse bën atë që thotë se do ta bëjë”, shtoi ai.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close