Profesori Mejdi Bektashi pretendon se libri i tij nuk është plagjiaturë
Profesori i Fakultetit Juridik, Mejdi Bektashi është njëri ndër 16 profesorët të cilët janë etiketuar si plagjiatorë në raportin e publikuar nga organizata ADMOVERE.
Ai akuzohet se libri i titulluar “Ekonomia”, në të cilin është bashkautor me Nysret Gacaferrin, është rezultat i përvetësimit të librit të autorëve Paul Samuelson dhe William Nordhaus, i botuar në gjuhën kroate me titull “Ekonomija”, prej nga edhe këta dy autorë kanë marrë paragrafë të cilët i kanë përkthyer me gabime.
Nysret Gacaferri tashmë është në pension, ndërsa Mejdi Bektashi vazhdon të jetë profesor në Fakultetin Juridik.
I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Mejdi Bektashi tha se raporti i kësaj organizate nuk ka bazë dhe se për ta vërtetuar se libri i tij nuk është plagjiaturë, propozoi që të krahasohet libri i këtyre autorëve me librin e tij.
“Nëse nuk i besoni këtij vendimi merrni librin në fjale dhe librin e autorëve amerikanë që tani është përkthyer edhe në gjuhën shqipe dhe krahasoni, për t’u bindur se gjithçka është e cituar dhe citimet janë në thonjëza”, ka thënë Bektashi.
Ai gjithashtu pohoi që posedon dokumente të tjera që e vërtetojnë se nuk ka kryer plagjiaturë, por që është i gatshëm t’i bëj publike vetëm nëse përballet me financuesit e raportit të organizatës ADMOVERE.
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në vitin 2007, kishte marrë vendim në të cilin thuhej se “libri “Ekonomia” i autorëve, Mejdi Bektashi dhe Nysret Gacaferri nuk është plagjiat në kuptim të vendimit të senatit të UP-së mbi mbrojtjen intelektuale”.
Profesori Mejdi Bektashi pas publikimit të këtij raporti dhe kontaktimit nga Gazeta Jeta në Kosovë, ka paditur për shpifje organizatën ADMOVERE dhe drejtorin ekzekutiv të KFOS-it, Luan Shllaku.
“Raporti i sipërtheksuar, përveç të tjerash, ka përmbajtje shpifëse në relacion me personin tim, duke ngritur pretendime të pabazuara për kinse përvetësimin në formë të moscitimit nga teksti im universitar “Ekonomia” të librit të autorëve Paul Samuelson dhe William Nordhaus”, thuhet në reagimin e profesorit.
E rreth kësaj padie ka reaguar edhe organizata në fjalë ADMOVERE, ku mes tjerash thuhet se nëse do ta gjenin raportin nga rektori i atëhershëm i UP-së, Enver Hasani ku thuhej se punimi i Bektashit dhe Gacaferrit nuk është plagjiaturë, atëherë do ta citonin në raportin e tyre .
“Për hir të vërtetës, duhet thënë se vendimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës, të datës 10 maj 2007, thotë se libri i Bektashit e Gacaferrit nuk është plagjiat në kuptim të vendimit të Senatit të Universitetit të Prishtinës nr. 112, datë 12 janar 2007 mbi mbrojtjen e pronësisë intelektuale. Është ky vendimi që thotë se vetëm librat e vjedhur mbi 70% nga i njëjti libër, konsiderohen plagjiaturë. Ky është legalizim i plagjiaturës.”, thuhet mes tjerash në reagimin nga ADMOVERE.