fbpx
Lajme

Pse presim rezultate të mira në PISA? | Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, bëri 10 vjet që t’i kryejë studimet master me notë mesatare 6.46

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Por, nuk është e çuditshme që Kosova ka shënuar këtë rezultat, sepse kryeministri Albin Kurti ia ka besuar Arbërie Nagavcit udhëheqjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, të cilës i janë dashur plot 10 vjet që t’i përfundojë studimet master.

Edhe kur i mbaroi ato pas dhjetë vjetësh, Nagavci nuk shkëlqeu, por i mbaroi këto studime me notën mesatare hiç më shumë se 6.46.

Demokracia.com muaj më parë e kishte publikuar diplomën e ministres Nagavci, të lëshuar nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, ku thuhet se ajo “u regjistrua në vitin akademik 2009/2010 në studimet master” dhe “studimet i mbaroi më 5 prill 2019”, pas plot 10 vjetësh.


Me mbrojtjen e temës së diplomës, Arbërie Nagavci kishte fituar titullin: Ma. Sc. i Shkencave Juridike Ndërkombëtare. Tema të cilën ajo e kishte mbrojtur kishte për titull: “Aspekti krahasimor i të drejtës martesore në Republikën e Kosovës me atë Republikën e Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë”.

Edhe pse Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i mbaroi studimet master me notë kaq të ulët, që është e zakonshme vetëm për studentët e dobët, asaj nuk i ka munguar guximi që të marrë drejtimin e këtij dikasteri qeveritar me rëndësi thelbësore për çdo shtet.

Në seancën e 22 marsit 2021 kur u votua Qeveria Kurti 2, kryeministri Albin Kurti e kishte prezantuar me shumë entuziazëm kabinetin e tij qeveritar, si një qeveri e ndryshimit dhe e shpresës. Në mesin e emrave që kishte përmendur ishte edhe “Arbërie Nagavci – Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”.

Detyrat që ka përsipër Ministrja e Arsimit janë me peshë të madhe, pasi kjo ministri ka për obligim të zhvillojë politika dhe të hartojë e implementojë legjislacionin për zhvillimin e arsimit, duke përfshirë zhvillimin e arsimit të lartë dhe shkencën në Kosovë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pas rangimit kaq të keq të Kosovës në PISA, tha se ka më shumë se një faktor që ka ndikuar në këtë rezultat të dobët.

“Nuk mund të them se cili saktësisht është një fajtor, por ka më shumë sesa një faktor që ka ndiku në këtë rezultat për një kohë të gjatë tashmë”, tha ndër të tjera ministrja Arbërie Nagavci në një konferencë për media.

Rezultatet e testit të parë janë publikuar në vitin 2016, kur Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

Rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, me Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit.

Testi PISA është paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për vitin e ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ky lloj testi bëhet çdo tre vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim, si dhe teston një mostër të nxënësve 15-vjeçarë në një vend. 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close