fbpx
Lajme

Pse vetëm AAK-ja i realizoi pritjet e saj në këto zgjedhje lokale?

Zgjedhjet lokale të këtij viti Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i rezultuan më të suksesshmet që nga themelimi i partisë. AAK-ja do të udhëheqë në shtatë komuna. Riktheu Gjakovën në duart e veta, ndërsa ia mori Klinën Sokol Bashotës së PDK-së pas tri mandateve.

AAK-ja ka traditë që në zgjedhjet lokale të dalë më mirë se në nivel nacional. Njësoj ndodhi edhe këtë vit kur arriti përqindjen e votave krahasuar me zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit dhe krahasuar me çdo palë zgjedhje të nivelit lokal.

Këto zgjedhje partia e Ramush Haradinajt fitoi shtatë komuna. Në zgjedhjet e vitit 2007, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte fituar vetëm tri komuna të Dukagjinit.

Përgjatë kohës kur lideri i Aleancës, tani kryeministër i vendit, Ramush Haradinaj, po mbahej në Hagë, parti e tij pa kryetar kishte fituar Gjakovën, Pejën dhe Decanin.

Rezultatin AAK-ja e dyfishoi pas dy vjetëve kur u mbajtën edhe një palë zgjedhje, ndërsa Haradinaj ishte kthyer nga gjykimi i parë në Hagë.

Tanimë AAK-ja do të udhëhiqte në gjashtë komuna. Kishte fituar edhe një herë Deçanin, Pejën dhe Gjakovën.

AAK-ja në vitin 2009 mori edhe Suharekën, Junikun si komunë të re dhe Zveçanin, ku serbët e Kosovës kishin bojkotuar zgjedhjet.

Në katër vitet tjera, AAK-ja përsëri do të mbetej pa lider. Haradinaj edhe një herë po gjykohej në Hagë, por pas kthimit të dytë, ai nuk triumfoi në zgjedhjet e vitit 2013.

Aleanca në zgjedhjet lokale të 2013-ës humbi dy kryeqendrat e saj, Pejën dhe Gjakovën. Ajo fitoi Obiliqin, mbajti dhe Junikun dhe bastionin e përhershëm, Deçanin, por përgjithësisht u përgjysmua.

Këto zgjedhje lokale AAK-ja i priti pa zhurmë. Lideri i saj, sapo mori postin e kryeministrit dhe rëndësia iu dha nivelit qendror. Haradinaj merrte pjesë në tubime elektorale vetëm pas orës 5, kur përfundonte punën në zyrën e tij.

Sidoqoftë këto dolën zgjedhjet me rezultatet më të mira për Aleancën, që nga paslufta.

Ajo do të ketë shtatë komuna nën udhëheqjen e saj. Suksesi më i madh është ai i Ardian Gjinit, i cili ia riktheu AAK-së Gjakovën. Tjetri, marrja e Klinës nga PDK-ja për herë të parë.

Përveç në Klinë dhe në Gjakovë, AAK-ja në zgjedhjet e 2017-ës fitoi edhe në Rahovec, Suharekë, ndërsa edhe për një mandat tjetër mbeti në qeverisje në Deçan, Junik e Obiliq. Por, ky subjekt nuk e sheh punë të kryer as fitoren e LDK-së në Istog, ku llogarisin që votat me kusht t’i fitojë kandidati i tyre Gani Dreshaj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close