Rama: Kosova ka të drejtë ta ushtrojë sovranitetin e saj, Vuçiqi të mos ushqejë grupe në veri
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se përshkallëzimi i situatës në veri është i paarsyeshëm.
Rama gjatë një konference për media bashkë me homologun e tij spanjoll i cili po qëndron të hënën në Tiranë, Pedro Sanchez, ka thënë se Kosova ka të drejtë dhe detyrë që të zbatojë marrëveshjet e të ushtrojë sovranitetin e saj territorial.
Ai po ashtu i ka bërë thirrje presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që të mos ushqejë siç ka thënë, grupe të caktuara në veri, të cilat i kundërvihen zbatimit të marrëveshjeve.
Rama ka thënë po ashtu se ka diskutuar edhe me Sanchezin për pavarësinë e Kosovës, por vendimi i Spanjës për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak të arsyeve që lidhen me vetë Spanjën.
“Kemi folur me kryeministrin natyrisht për rajonin që ai po e viziton, për nismat rajonale, për mënyrën si mund ta integrojmë procesin e nismave rajonale, kurrsesi pa e anashkaluar procesin individual të çdo vendi për në BE. Proceset rajonale do të na afrojnë shumë më shpejt me rrjetin e integrimeve. Është shumë më e shpejtë dhe më efikase për shembull mbështetja për zjarret, sepse jemi bërë pjesë e këtij rrjeti. Siç jemi të linjëzuar për Ukrainën, duam të jemi të linjëzuar edhe për bashkimin e universiteteve tona me ato Evropiane. Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhem me vetë Spanjën, që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi me shqiptarët në Kosovë, por sidoqoftë kemi diskutuar, aq më tepër në kuadrin e një situate që ka pasur një përshkallëzim të paarsyeshëm pasi qeveria e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, për një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara janë për tu plotësuar. Ne e përshëndesim marrëveshjen për shtyrje të marrëveshjes, të cilën e ka mbështetur edhe Borrell. I bëj thirrje presidentit të Serbisë të mos ushqejnë grupe të caktuara në veriun e Kosovës që i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje të e vlefshme të zbatohet për t’i dhënë më shumë besueshmëri zbatimit të marrëveshjeve”, ka thënë Rama./tch