Ramiz Alia 1998: Të gjithë jemi UÇK!
(Botuar me 7 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Ramiz Alia
Kosova po digjet nga ushtria dhe policia e Millosheviçit. Në Kosovë po vriten gra e burra, fëmijë e pleq. Atje po realizohet plani shovinist i spastrimit etnik. Me qindra e me mijëra kosovarë po kalojnë kufirin për të gjetur strehë në Shqipëri. Sekuencat që transmeton Televizioni janë të ngjashme me ato që kemi parë gjatë luftës në Bosnje. Mungojnë vetëm kampet e përqendrimit! Ndërkohë Grupi i Kontaktit pret që të “zbutet” Millosheviçi?!
Në fakt Fuqitë e Mëdha të Evropës po bëjnë sehir, ashtu siç bënë në fillim edhe në Bosnjë. Vetëm nga SHBA shprehet shqetësim dhe bëhen paralajmërime në adresë të agresorëve serbë, megjithëse deri tani çdo gjë kufizohet në deklarata.
Serbët, në mënyrë provokuese, i kanë shtrirë operacionet e tyre përgjatë kufirit shtetëror me Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e detyruar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar çdo eventualitet. Dhe kjo nuk është as çështje vullnetare e individëve apo grupeve shoqërore të veçuara, por është misioni i Shtetit, i institucioneve shtetërore, për të cilat mbrojtja e atdheut dhe e pavarësisë së tij janë detyrë primare.
Fuqitë e Mëdha, deri më sot, evitimin e luftës ua kanë kërkuar shqiptarëve, duke u bërë thirrje atyre që të tregohen “të matur” dhe të mos i “zemërojnë” serbët. Kosova duhej të besonte tek zgjidhja paqësore, tek rruga e dialogut dhe e bisedimeve me Millosheviçin, siç këshillonte Grupi i Kontaktit! Shqiptarët që ishin dhe janë për zgjidhjet paqësore, pritën dhe u disponuan për dialog, për bisedime. Ata përshëndetën rolin që luajti Amerika për të organizuar takimin e Millosheviçit me Rugovën. Ata pranuan të bisedojnë edhe pa prezencën e një ndërmjetësi të tretë, duke u kënaqur me tezën “shpëtimtare”, se i treti gjendet prapa perdes! Shqiptarët e Kosovës me qëndrimin e tyre i dolën borxhit Evropës, Fuqive të Mëdha. Është Serbia ajo që po hedh në erë përpjekjet për zgjidhje paqësore të çështjes.
Gjatë historisë së tij, populli ynë ka treguar se në raste rreziqesh, bashkimi është arma e tij më e fuqishme. Qëndrimi unik e jo politika provinciale, i nevojiten mbrojtjes së atdheut të Kosovës. Serbët me shkallëzimin e veprimeve luftarake kundër shqiptarëve, në fakt ndërprenë bisedimet e nisura pak ditë më parë. Ata treguan se njohin vetëm zgjidhjet me dhunë, me forcën e armëve.
Situatat e krijuara shtrojnë përpara shqiptarëve të Kosovës detyrën madhore: të mbrojnë me çdo mjet jetën e të drejtat e tyre, të mbrojnë e shtëpitë e fëmijët. Ata presin që Komuniteti Ndërkombëtar të marrë masa urgjente për t’i ndalur dorën agresorit. Dhe kjo duhet bërë sa më parë, sepse shqiptarët në Kosovë, që po vriten e masakrohen, nuk presin gjatë. Ata, duke u mbështetur tek UÇK-ja, kanë filluar të vetëmbrohen me armë në dorë, aty ku armiku mbjell vdekje. Por është e qartë se armët do t’i rrëmbejë gjithë Kosova, për t’iu përgjigjur me forcë agresionit barbar të serbëve.
Tashmë thirrja “Të gjithë jemi UÇK” është bërë popullore në Kosovë. Pardje, në Jaltë, mbaroi mbledhja e nismës së Detit të Zi. Në rezolutën që u miratua nuk flitet fare për çështjen e Kosovës, as për luftën që filloi atje dhe rrezikun që paraqet ajo për paqen në këtë rajon, as për vrasjet e njerëzve e spastrimin etnik që po zbatohet nga ana e serbëve. Ka ardhur koha që vendet ballkanike dhe ato fare pranë këtij rajoni, të largohen nga qëndrimet e vjetra, të diktuara nga interesa të veçanta dhe konjuktura politike të një kohe të kaluar, që shpesh i dalin krah Serbisë.
Tashmë janë anakronike qëndrimet politike dhe interesat sipas traditës së vjetër, sipas aleancave të dikurshme mbi baza fetare, nacionale apo gjeopolitike. Ballkani gjendet para rrezikut të një lufte shkatërrimtare, të cilën po e nxit Millosheviçi! Kjo është thelbësore për të gjithë ballkanasit. Askush, as Fuqitë e Mëdha as vendet ballkanike dhe ato të rajonit, nuk duhet të presin e të qëndrojnë me shpresë se Millosheviçi do të heqë dorë vetë nga agresioni i filluar. Ag më keq, ata nuk mund të shpresojnë se lufta do të evitohet, duke i lënë fushë të lirë Millosheviçit në Kosovë, pra duke sakrifikuar shqiptarët. Ky do të ishte një qëndrim cinik, çnjerëzor dhe antishqiptar.
Fuqitë e Mëdha duhet të evitojnë rrezikun e përfshirjes së rajonit të Ballkanit në një luftë të përgjakshme. Ato janë përpara një përgjegjësie historike. Paqja në Ballkan mund të ruhet vetëm nëse penalizohen Serbia dhe Millosheviçi, nëse ndaj tyre merren urgjentisht të gjitha masat shtrënguese, politike, ekonomike dhe ushtarake./Rami Alia/