Reagon edhe djali i Trumpit: Albin Kurti është anti-amerikan
Djali i Presidentit të SHBA’së e ka përkrahur të Dërguarin Special të SHBA’së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në polemikën e tij me liderin e VV’së, Albin Kurti.
Donald Trump i Riu ka shpërndarë postin e Grenell në të cilin ai thotë se Kurti është kundër SHBA’së. Grenell ishte duke polemizuar me Kurtin rreth Marrëveshjes së Uashingtonit, për të cilën ky i fundit tha se nuk do e zbatojë kur të vijë në pushtet për shkak se është nënshkruar nga një kryeministër jolegjitim.
Lexo Edhe:
Dobruna: “Dosjet” nuk kanë rrjedhur nga Gjykata Speciale, janë nga Serbia
Kurti po ashtu kishte thënë se ndërmjetësit e dialogut në mes të Kosovës dhe të Serbisë duhet të kenë kujdes pasi që një marrëveshje e tillë sikur ajo në Uashington vetëm sa i shton përcarjet mes dy shteteve.
Grenell kishte replikuar me Kurtin duke thënë se ai ka qenë gjithmonë kundër Amerikës dhe se ai kishte qenë kundër ideve të ish-presidentëve Barack Obama dhe John Bush I Riu.
“Simbolizmi nuk e paguan qiranë, por vendet e punës e bëjnë”, kishte përfunduar Grenell në postimin e tij.
Polemikat mes Kurtit dhe Grenell nuk kanë filluar sot. Kurti e kishte akuzuar Grenellin se kishte të bënte me rënien e qeverisë së tij dhe disa ditë para takimit të Uashingtonit e kishte quajtur atë “kauboj” që kërkon marrëveshje doemos para zgjedhjeve në SHBA. Grenell nga ana e tij kishte thënë para disa muajve se Kurti e gënjeu duke i thënë se do ta hiqte taksën me Serbinë për tu kthyer në dialog. /Express/