SHBA s’ia falin Berishës ‘flirtin’ me islamikët radikalë! Basha në ‘provë’ për Gaddafin
Edhe qytetarët shqiptarë në masë, mbështetës apo kundërshtarë të Berishës nuk e besojnë se shpallja familjarisht “non grata” e ish kryeministrit demokrat nga SHBA, ka ardhur vetëm për shkak të korrupsionit të cilësuar të Berishës dhe familjes së tij dhe minimit të demokracisë. Por ka elementë të tjerë më të rëndë që kanë penalizuar Berishën, mes të cilëve janë lidhjet me radikalët islamikë, që kur lideri historik i PD hipi në poltronin e Presidentit të Republikës.
Shkruan: Jakin Marena
Teksa dëgjojnë analistët tanë që kanë pushtuar panelet televiziv që flasin për ndërhyrjen e SHBA në punët e brendshme të Shqipërisë, duke i kërkuar Bashës largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, vetëm ithtarët e thekur të ish kryeministrit i besojnë.
Por dhe qytetarët shqiptarë në masë, mbështetës apo kundërshtarë të Berishës nuk e besojnë se shpallja familjarisht “non grata” e ish kryeministrit demokrat nga SHBA, ka ardhur vetëm për shkak të korrupsionit të cilësuar të Berishës dhe familjes së tij dhe minimit të demokracisë.LEXO edhe…
Dorëzohet Sali Berisha? Shmang përballjen me Bashën në forumet e PD-së nga frika humbjes me votë, referendumi sajesë për të fshehur pafuqinë
Këto janë elemntë të rëndë dhe nuk mund të anashkalohen nga vendiu më demokratik i botës, dhe sigurisht që vihen menjëherë nën goditjen e fortë të SHBA.
Pra këto vepra të dënueshme janë në përbërje të dosjes së Berishës, e cila në fund të herës ka rezultuar shumë e rëndë, aq sa ta pengojë dhe për të lëvizur përtej oqeanit, pikërisht aty ku luhen të gjitha fijet e politikës botërore.
Por ka elementë të tjerë më të rëndë që kanë penalizuar Berishën, mes të cilëve janë lidhjet me radikalët islamikë, që kur lideri historik i PD hipi në poltronin e Presidentit të Republikës.
“Flirti” me islamikët radikalë është një krim mbi të cilin SHBA nuk cedon për asnjë vend apo lider sado aleat ta kenë, jo më për Shqipërinë e Sali Berishën që në vitet e qeverisjes së tij ka pasur një sjellje “mistrece” e deri “gangstere” me popullin e vet në radhë të parë dhe me aleatët në fund të herës.
Bëhet fjalë për fillesat e Sali Berishës në krye të shtetit shqiptar, kur ende mbante pardesynë e bardhë të lëvizjes së dhjetorit dhe kostumin e qepur në kohën kur udhëtonte në Francë për të bërë analizat e gjakut dhe të jashtëqitjes së ish diktatorit komunist Enver Hoxha.
Por pardesyja e tij e bardhë, u bë “pis” që në fillim të herës, teksa Sali Berisha kishte në mendje dy gjëra: konsolidimin e pushtetit në Shqipëri me të gjitha mjetet duke shtypur çdo zë kundër tek partitë kundërshtare nën akuzat se janë mbetje të komunizmit dhe brenda partisë nën akuzën se po bashkëpunojnë me këta komunistë dhe pasurimin e familjes dhe të bashkëpunëtorëve të tij.
Gjithçka është precizuar saktësisht nga Fred Abrahams, në libin e tij “Shqipëria moderne: Nga diktatura në demokraci në Evropë”, fryt qindra intervistave, dokumenteve të deklasifikuara të qeverisë së SHBA dhe më shumë se 20 vitesh punë në Ballkan. Shtuar ketu dhe faktet tona, falë përcjelljes së ngjarjeve të asaj kohe, si pjesë e medias shqiptare.
Në krye të herës Sali Berisha “flirtin” me islamikët radikalë e nisi që në vitin 1992 kur u bë president i vendit dhe anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike. Në atë kohë vendet e ish Jugosllavisë që kërkonin shkëputjen dhe daljen më vete ishin në luftë. Trupat serbe të Milosheviçit kishin sulmuar Bosnjën duke kryer masakra në këtë vend, ndërkohë që vijonte të ishte në fuqi embargoja e OKB e naftës por dhe e armëve për ish Jugosllavinë.
Kjo penalizoi dhe Bosnjën e cila u gjend e paarmatosur përballë makinerisë së rëndë luftuese serbe, që trashëgoi dhe uzurpoi tërë arsenalin ushtarak të ish Jugosllavisë. Konferenca Islamike po ndërmarrte disa hapa për të garantuar furnizimin e Bosjes me armë dhe parandaluar masakrat serbe. Por që kishin vështirësi lëvizjeje dhe dërgimin e tyre në destinacion.
Të gjendur në kushte të tilla, sipas një kabllori diplomatik për Uashingtonin nga konsulli amerikan në Xhedah të Arabisë Saudite, pothuajse çdo pjesëmarrës në konferencë po theksonte se “Bosnja duhet të lejohet të furnizohet armë për të ndihmuar në mbrojtjen e saj.”
Si përfundim i gjithë shqetësimi ndërkombëtar për gjendjen në Bosnjë, solli dhe marrjen e një vendimi që i shkonte për shtat situatës së rëndë në Bosnjen e sulmuar nga ushtria e Milosheviçit.
Kështu që qëndrimi unanim i të gjitha vendeve të Konferencës Islamike, i mbështetur dhe nga SHBA, siç thuhej në atë kohë dhe të përshkruar dhe në librin e Abrahams, ishte që Bosnja duhet të lejohej të merrte armë, për ta ndihmuar në mbrojtjen e saj. Konferenca Islamike përmes një komunikate zyrtare theksoi të drejtën e Bosnjës për vetëmbrojtje dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB të heqë embargon e armëve ndaj saj.
Ndërsa u kërkoi vendeve anëtare që të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre me Republikën e Bosnje-Hercegovinës në ushtrimin e të drejtës së saj për vetëmbrojtje individuale dhe kolektive.
Shqipëria, ndonëse në mënyrë jozyrtare dhe në prapaskenë, u bë një pikë tranziti për armët që u dërgoheshin myslimanëve të Bosnjës. Njëherësh Shqipëria u kishte dhënë dhe disa nga municionet e saj në atë kohë atyre që i quajti “shtete miqësore”. Këtë e ka pranuar vetë Berisha më vonë publikisht, në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, në atë kohë. Bëhej fjalë për vitin 1992, kur sapo kishte ardhur në pushtet PD dhe Berisha ishte zgjedhur president.
Berisha e ofroi Shqipërinë si një “vend-kalimi” për myslimanët e Bosnjës që të furnizoheshin me armë por dhe dhe me luftëtarë të huaj, pavarësisht embargos se OKB-së për armët në Jugosllavi, e cila ishte në fuqi që prej shtatorit të vitit 1991.
Madje luftëtarët islamikë në shumicën e herës, kalonin nëpër Shqipëri për në Bosnje të shoqëruar dhe nga njerëzit e Bashkim Gazidedes. Gazidede pavarësisht se ishte kreu i Shërbimit Sekret Shqiptar-SHIK, mbante ende dhe drejtimin e shoqatës së intelektualëve islamikë shqiptarë.
Justifikimi zyrtar i Shqipërisë në atë kohe ishte se, “korridori” për furnizimin me armë të myslimanëve të Bosnjes ishte bërë me dijeninë e SHBA. Madje sipas arsyetimit të zyrtarëve shqiptarë nën qeverisjen e Berishës, amerikanët po kërkonin mënyra sa më efikase për të mbështetur boshnjakët myslimanë në mënyrë që të vendosnin një ekuilibër pushteti midis palëve ndërluftuese. Ndaj Shqipëria ishte përzgjedhur si vendi më ideal për këtë tranzit armësh dhe luftëtarësh muxhahidinë.
Për të mbështetur këtë arsyetim për shqiptarët por dhe për vendet e rajonit, autoritetet shqiptare të asaj kohe, ku qeveriste Berisha me dorë të hekurt, ndonëse ishte president, sjellin takimin e Konferencës Islamike në Xhedah në dhjetor vitit 1992. Pikërisht dita kur Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota e saj, konferencë që u realizua posaçërisht për të diskutuar dhe vendosur për luftën në Bosnjë.
Presidenti boshnjak i asaj kohe Alija Izetbegoviç, që kishte vizituar Shqipërinë në tetor 1992, mori pjesë në këtë takim, siç morën pjesë edhe kryenegociatorët e Perëndimit për luftën në ish Jugosllavi. Berisha ishte në takimin e Xhedahut, bashkë me kryeministrin e qeverisë së Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi, i cili se kishte për herë të parë pjesëmarrjen në takimet e Konferencës Islamike.
Teksa u vendos pas takimit të Xhedahut që Bosnja të furnizohej me armë por dhe me luftëtarë myslimanë, përmes ‘korridorit’ shqiptar, s’ishte e mundur që Berisha të qëndronte ‘dorëjashtë’ në tërë këtë proces që zhvillohej në territorin ku komandonte.
Ndërkohë që përgjegjësi kryesor që ndërmjetësonte për kalimin e armëve dhe luftëtarëve muxhahidinë përmes Shqipërisë në Bosnje, ishte Elfatih Hassanein. I cili ishte në “bordero” si këshilltar i Presidentit të Bosnjës së asaj kohe Alija Izetbegoviç.
Përmes ndërmjetësit Hassanein, Berisha monitoroi dhe futi në dorë tërë procesin e ndihmës me armë, luftëtarë islamikë dhe miliona dollarë, që vinte si sponsorizim nga Konferenca Islamike për të ndihmuar luftën në Bosnje, ku dyshohet se mori dhe pjesën e tij, që nuk ishte e vogël.
Ndihmat kishte këtë internerar: Kalonin nga Stambolli, dhe përmes një “kanali” të hapur në afërsi të Shkodrës kalonin në Bosnje, të shoqëruar dhe me ndihmë njerëzore që ishin luftëtarët islamikë, të cilët luftuan përkrah boshnjakëve kundër serbëve.
U dërguan drejt Bosnjës nga Konferenca Islamike miliona dollarë për të blerë dhe armë të tjera, dhe përballuar nevojat e popullsisë civile, të cilat përmes ish këshilltarit Hassanein të Izetbegoviç “ndaheshin” që në territorin shqiptar me autoritet e Berishës, pjesë nga të cilat akuzohet se shkuan dhe në xhepat e ish presidentit.
Një vjedhje e tillë shkaktoi shqetësim jo vetëm në vendet anëtare të Konferencës Islamike por dhe tek SHBA, të cilët jo vetëm që ishin kundër këtij veprim korruptiv, por ishin të shqetësuar se një pjesë e tyre mund të përfundonte për financimin e “bijve të terrorit”, radikalëve islamikë.
Përfundimi i luftës në Bosnje filloi të zbulonte pak e nga pak skandalin e madh me ndihmat e Xhedahut për luftën në këtë vend ballkanik, të sulmuar nga ushtria e Milosheviçit, duke evidentuar faktin se kishin “firuar” gati gjysma e këtyre ndihmave në para, por dhe kontigjente të tëra armatimesh që përfunduan në tregun e zi, përmes “oligarkëve” të krimit ish jugosllav që nuk kishte ngjyrë si dhe në duart e radikalëve islamikë.
Faturat e parave dhe të armatimeve që kishin dalë nga Stambolli nuk kishin asnjë përputheshje me ato që kishin mbërritur në Sarajevë, duke hedhur hije të forta dyshimi se një pjesë e parave dhe të armatimeve kishin mbetur në Shqipëri, e nën akuzë ishte dhe Berisha, i cili përmes Elfatih Hassanein kishte vënë dorë mbi paratë e materialet luftarake të destinuara për trupat boshnjake.
Pas largimit nga pushteti të Berishës më 1997, emri i ndërmjetësit, Elfatih Hassanein rezultonte të ishte një nga kokat e financuesve të lëvizjes islamike në botë, çka solli dhe goditjen grupeve islamike në Shqipëri, një bashkëpunim i shkëlqyer ky i shërbimit sekret shqiptar me organet ligjzbatuese amerikane.
“Uashington Post” publikoi në atë kohë skandalin se si Hassanein kishte çuar para, armë dhe muxhahedinë në Bosnjë, si kishte siguruar furnizimin me armë të luftës në Bosnjë dhe si, më pas, ishin futur në listën e fondeve që përfundonin tek Al Qaeda e Osama Bin Laden.
Por dëmi ishte bërë në Shqipëri, pasi pas përfundimit të luftës në Bosnje, një pjesë e luftëtarëve muxhahidinë u strehuan në Shqipëri, dhe u sistemuan në repartet tona ushtarake të braktisura për shkak të reformës në ushtri, duke pasur dhe një bazë stërvitje në poligonet shqiptare.
Bashkëpunimi i Berishës me radikalët islamikë arriti deri atje, sa ka akuza të forta se në Shqipëri ka qënë dhe vetë kreu i terrorit Osama Bin Laden, në vitin 1995, i cili erdhi në Tiranë në përbërje të një delegacioni biznesi saudit, por që inspektoi të gjitha pikat e stërvitjes së luftëtarëve të terrorit, në Shqipëri.
Nëse dikush ka dyshime për bashkëpunimin e Berishës me radikalët islamikë dhe përfitimin e parave për shërbimet ndaj tyre, mund të na shpjegojë nëse u ndërtua spitali moden tek Fusha e vjetër e Aviacionit, përurimi i të cilit u bë në atë kohë e paratë u lëvruan të gjitha nga sauditët. Ka spital në atë vend në Tiranë?!
Ndërkohë që Berisha ishte vënë në “shënjestër” të amerikanëve për bashkëpunimin me radikalët islamikë, është Lulzim Basha ai që duhet të shpjegojë se cila ka qënë arsyeja e vizitës së tij në Libi, takimi me statusin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, me udhëheqësin libian të asaj kohe Muamar Gaddafi, në mes të shkretëtirës dhe nën hijen e çadrës së tij beduine.
Në mos e ka bërë këtë shpjegim për amerikanët në mënyrë diskrete, pasi nuk e beson askush se i ka shërbyer vite më vonë si shembull për vendosjen e çadrës së opozitës në bulevardin qendror të Tiranës, përballë kryeministrisë në fillim të vitit 2017.
Ndaj askush të mos çuditet nga fakti se përse amerikanëve Sali Berisha u “vret” sytë dhe nuk duan ta shohin në politikë, e jo më të drejtojë partinë më të madhe opozitare shqiptare.
Ndaj lufta që ka shpërthyer mes Berishës dhe Bashës për pushtet në PD nuk është aspak për demokratizimin e kësaj partie dhe rikthimin e vlerave të saj, por është një sherr “mëkatarësh”.