fbpx
Lajme

S’ka as tela, as bojlera| Si po shkatërrohet me Qeverinë Kurti ajo që u ndërtua për 20 vjet në energjetikë?

“Niher teli, tani bojleri”, kjo ishte deklarata e famshme e Kurtit kur fliste për gjendjen e termocentraleve kur kritikohej për skandalet e shumta të Qeverisë Kurti në fushën e energjisë elektrike.

Kosova u dënua në Arbitrazh për shkak të veprimit të Qeverisë Kurti 1 për mosrespektimin e kontratës me kompaninë amerikane “ContourGlobal”, shkruan Demokracia.com.

Në fund të vitit 2017, Contour Global kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re.

Për shkak se Qeveria Kurti 1 nuk e respektoi kontratën, Kosova është dënuar me rreth 20 milionë euro.

Por, ky nuk është skandali i vetëm i Qeverisë Kurti në fushën e energjisë elektrike.

Rritja e çmimit të rrymës për qytetarët vitin e kaluar e vështirësoi edhe më shumë jetën e qytetarëve. Madje, përkundër kësaj rritjeje, kishte edhe reduktime të vazhdueshme. Pas kësaj, Qeveri Kurti i plasi edhe skandali i famshëm i ambasadorit Martin Berishaj, ku u përfshi kompania serbe “GEN-I”.

Deri më tani, sipas raportimeve të mediave sllovene, dihet se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Siç raportohej në Slloveni, një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raportonte media sllovene.

Skandal tjetër i Qeverisë Kurti ishte arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i dyshuar për disa vepra penale.

Ky ishte njoftimi i Prokurorisë kur u arrestua Krasniqi: “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës ka arrestuar një person me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.

Tutje, në vitin e kaluar në KEK shpërtheu edhe skandali me punësime në një konkurs ku dyshohej se 126 personat e zgjedhur kishin lidhje familjare me zyrtarë të VV-së ose me zyrtarë të KEK-ut.

Ky konkurs ishte anuluar pasi u bë mediatik.

Po ashtu, blloku A5 për shkak të mos bërjes remont në kohë shpeshherë ka rënë nga sistemi, gjë që s’kishte ndodhur në të kaluarën që mos t’i bëhej remonti në kohë.

Me Qeverinë Kurti veçse është përkeqësuar gjendja me energjinë elektrike në Kosovë. Ajo që ishte ndërtuar dikur, tash as nuk po mirëmbahet si duhet dhe asnjë projekt serioz nuk është implementuar gjatë kësaj kohe në fushën e energjisë elektrike./Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close