fbpx
Lajme

Telat Agolli: Feçor Shehu më mbajti 2 vjet të lidhur këmbë e duar që të më vinte në shërbim të UDB-së

Gjyqi i Kadri Hazbiut, Seanca e 17

Dëshmia e agjentit kosovar Idriz Lleshi: Feçor Shehu i dha listat tona UDB-së. Na arrestuan 76 burra e 2 gra të familjes e të afërt, na torturuan dhe na mbyllën me vite në burgun e Idrizovës!

(Vijon nga numri i kaluar)

Në 25 gusht të vitit 1983, në seancën e 17-të të gjyqit kundër Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij të arrestuar nën akuzën e ‘Tradhtisë së lartë ndaj Atdheut nëpërmjet vënies në shërbim të zbulimeve të agjencive të huaja, jep dëshminë e tij artisti i cirkut Telat Agolli, i dënuar me 7 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në dëshminë e tij, Agolli akuzon Feçor Shehun dhe Kadri Hazbiun që e kanë arrestuar dhe torturuar mizorisht, për ta vënë në shërbim agjenturor në interes të grupit të tyre armiqësor. “Më arrestuan në Sarandë kur isha në turne me cirkun dhe më kanë mbajtur dy vjet lidhur këmbë e duar. Këtë e ka bërë Feçor Shehu e vartësit e tij. Donin të më vinin në shërbim të grupit të tyre duke më pyetur lidhur me pyetjet apo gjoja porositë që më kishte dhënë UDB-ja gjatë vizitës sime tek të afërmit e mi në Dibër të Madhe. Më lejo, të lutem shumë kryetar i gjyqit, që të them për të pandehurin Kadri Hazbiu, që të ketë turp e faqen e zezë që është armik i fëlliqur i Partisë…”- pohoi mes të tjerave në seancën e 17-të të gjyqit Telat Agolli.

Seanca e 17-të

Kryetari(Aranit Çela):- Telat Agolli… Mbiemri?

Telat Agolli:- Agolli. Emri i babait Myzafer, emri i nënës Makbule, datëlindja 15 nëntor 1932, nuk jam anëtar Partie, jam dënuar 7 vjet për agjitacion e propagandë…

Kryetari:- Të kemi thirrur ty si dëshmitar lidhur me çështjen që po gjykohet këtu dhe ka të bëjë me të pandehurit Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, Ali Çeno, Mihallaq Ziçishti, Gani Kodra dhe Xhavit Ismailaga. I njeh këta?

Telati:- I njoh shumë mirë.

Kryetari:– Të kemi thirrur si dëshmitar dhe të kërkojmë të thuash të vërtetën… Të kemi thirrur lidhur me një takim që ke bërë kur ke qenë në hetuesi në vitin 1976 me Feçor Shehun. Çfarë bisede është zhvilluar?

Telati:- Ju lutem shumë, në radhë të parë ju kërkoj të më lejoni dy minuta, ose 5 minuta, të flas se si ishte çështja e këtij takimi, pse erdhi ai njeri tek unë. Nëse ka mundësi, trupi gjykues! Në vitin 1971, pas kërkimit që patëm për një çadër cirku, unë dërgova porosi të ma siguronin tek njerëzit e mi atje, në Jugosllavi, meqë jam nga Dibra. Pa u zgjatur, pa e thënë se kush kam qenë unë, atje(në Jugosllavi) nuk ka nevojë të kthehem, dhe kam qenë i garantuar. Se kush kam qenë unë atje, këtë ja them trupit gjykues me përgjegjësi. Dhe porsa vij, familja më sinjalizon dhe më thonë se ‘ty duan të të arrestojnë’. U habita, por asnjë farë shqetësimi nuk ndjeva në vetvete. Kalon një kohë e shoh që në adresën time, se unë survejohesha. Flisnin njerëzit se çfarë thotë Telati, ku është Telati.

Kryetari:- Po ku e dije ti se do të të arrestonin?

Telati:- Po kam dëshmitarë ata të cirkut, të cilët i kishin thirrur dhe i kishin pyetur e stërpyetur për mua, e ku di… Dhe për të mos e zgjatur, siç u thashë, që në vitin 1976, në qershor të vitit 1976, lidhem këmbë e duar në Sarandë. Atje, në Sarandë ishim në vazhdim të turneut. Edhe vij(më sjellin), po këtu në burgun e Tiranës. Edhe pa ardhur mirë, akuzohem si agjent edhe si tradhtar, i vënë në shërbim të UDB-së jugosllave. Që në fillim, pa e zgjatur fare, më kërkohet llogari: Ç’porosi të ka dhënë UDB-ja jugosllave? Më thonin: Na e thuaj se ne e dimë. Unë u përgjigja: Çfarë pune kam unë  me jugosllavët mo, çfarë thoni mo. Unë në Dibër kam shkuar tek njerëzit e mi. Dhe vetë Feçor Shehu, mu përpara gjykatës së Tiranës, ku isha unë me Miço Papadhopullin e kishim një shishe raki duke shkuar tek Skënder Sallaku, ndaloi makinën e më thotë ‘të shkosh në Jugosllavi’!

-Unë në Jugosllavi? S’kam bërë ndonjë kërkesë – i thashë Feçorit. Unë kam kërkuar të shkoj për çadrën e cirkut me shërbim kur të më jepet rasti. Jo, tha, ti je njeriu jonë, ti ke njerëzit e tu atje vetë. I thashë: A, çfarë është kjo a, ti po më bën pasaportën. Vij(vjen) këtu  menjëherë ky njeriu kaq me besim, kështu siç u thashë unë në fillim… -More, jeni në vete! Po çfarë do të bëj – u thashë. Një Kadri Gojashi, i famshëm dhe ai, vjen dhe më thotë: More, do të na ndihmosh. Kështu më thotë mua ai! – Çfarë të ndihmoj, je në vete – i thashë. –Të ndihmosh përtej(në Jugosllavi) Sigurimin- më tha pastaj. Bam, bum, unë s’e mora vesh fare atë punë, se çfarë donte prej meje. Kur më ndërrojnë hetuesin dhe më vjen një Koço Josifi. Ore, më tha, merr vesh apo s’merr vesh, më tha. Po rrafin telefonat për ty – më tha. Ore, për ty interesohen nga lart, më tha. –A je në terezi apo nuk je. A merr vesh apo nuk je në terezi. Kush të dënon ty për dy llafe. A e kupton, se në fund të fundit ty të çojnë në bujqësi – më tha. –More çfarë doni mo, po çfarë kam bërë mo – i thashë.  –Mor po lëre atë ti – më tha. Kur një ditë, kur isha pak në gjendje, erdha në vete, vjen një anëtar i trupit gjykues, e më merr e shkojmë tek salla që është këtu ngjitur, për karshi (ku bëhet gjyqi). Më merr Koço Josifi. Në fillim, bën (hiqet) sikur nuk bën pyetje. Rri ca ashtu. Hap penxheren në krahun e majtë të sallës e shikonte jashtë, dëgjonte zhurmën e makinave që lëviznin në oborr. Mendova se ky njeri është i interesuar për ato makina që bënin zhurmë, ndaj nuk po më pyeste mua. Koço, heq shikimin nga oborri i burgut dhe hap derën ku isha unë. Kur shikoj unë, futet i pandehuri Feçor Shehu. –Hë mor Perlat(jo Telat) Agolli çfarë bën, more hala ti. –Çfarë ke mo, çfarë do nga unë. Unë thashë shyqyr që erdhe të të them çfarë bëhet me mua – i thashë Feçorit. –Si more, ti akoma s’po na ndihmon ti – thotë ai. –Çfarë të të ndihmoj mo – i thashë. –Ore, po ne jugosllavët i kemi… Po neve këto gjëra i duam për arkiva. Që nesër, pasnesër ti demaskojmë – tha Feçori. –Çfarë di unë more, unë nuk di gjë – i thashë. –Po lëri ato muhabete. Çfarë të ka kërkuar UDB-ja jugosllave të na thuash ne ti. Edhe ne e dimë se ti je dibran dhe ke miqësi me ata Axhialit – më tha Feçori. –Po mo, kam miqësi, kam marrë motrën e tij për dajën tim atje dhe janë njerëz shumë të ndershëm. Kanë ardhur e janë riatdhesuar.  –More po lëre atë ti, e dimë se kush janë ata. Ata janë kushërinjtë e Nexhmijes. Prandaj, çfarë të kesh, qoftë për Nexhmijen, qoftë për ndonjë tjetër, mos pyet më. Qoftë anëtar i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror, kush të jetë mor ti, na thuaj ne – vazhdoi Feçori. –Ore, mos ki frikë nga dënimi, se dënimin ta japim ne – tha ai. –More je në terezi mo. Unë kam qenë Artist i Popullit. Çfarë të merrem unë me këto gjëra. Këto gjëra për mua janë të pabesueshme, nuk janë për mua këto gjëra – i thashë. –Po lëri këto, se Artist të Popullit ne të kemi bërë – më tha ky këtu, Feçori. –Çfarë Artist të popullit më ke bërë ti. Mua më ka bërë Partia. Jam që në kolektiv. Më kanë propozuar për këtë punë që në vitin 1974. Nuk më çuan në Itali vetëm për këtë. Nuk më dhanë pasaportë. I shkova Nesret Dautit. Ai më tha se ti je njeri i ndershëm ti je qytetari jonë më i mirë, ti je artisti jonë më i nderuar – vazhdoi. Po si mo, më tha artisti jonë i nderuar, e nuk shkoi gjatë, më mbajti dy vjet lidhur këmbë e duar në Sarandë. Ja ky është Nesret Dauti. –Unë nuk di gjë nga këto gjëra. Prandaj, as më kanë porositur për njeri, e as më ka thënë njeri. Unë do të shkoj tek njerëzit e mi, ndaj e ke gabim – i thashë unë. –More po lëre atë ti. Ne nuk do të dënojmë. Ndonjë dënim të vogël do të japim. Po pse ti nuk do që të mbrosh Partinë – më tha ai. – Po pse mo, ku ka nevojë Partia për këto gjëra, a je në vete ti! Çfarë bën kështu, pse më merr në qafë mua – i thashë unë. –A do që t’i bimë kalamajtë aty tek xhami që t’i shohësh 100 metra larg – vazhdoi ai. –Jo nuk ka nevojë që të m’i biesh kalamajtë këtu. Se nuk më luan mua gjë nga kjo – ia ktheva. Më në fund, më falni që nuk e thashë e po e them tani. Në kohën që hyri Feçor Shehu, në sekondë doli Koço Josifi nga dhoma. Nga fundi i bisedës sime me Feçorin, vjen e futet në dhomë përsëri Koço. Në këtë kohë, Feçori i thotë Koços: Dëgjo ti Koço. Bisedova me Telatin. Edhe të keni parasysh se nëse ky nuk dëgjon, ju vazhdoni metodat e fundit!

-Unë nuk kam asnjë send t’u them. Nëse ju doni me shkrujt, shkruani çfarë të doni – thashë unë. Ai, ndërhyri në fund: More po ç’ke ti, këta janë në interes të Partisë, në interes të Sigurimit!

Nuk e mora vesh, përfundimisht, shoku kryetar, e shoh veten në gjykatën e rrethit të Tiranës, tradhtar, vënë në shërbim të UDB-së jugosllave, që as zoti s’e mori vesh!? Më falni, gjykata nuk pranoi, e hodhi poshtë. Gjykata, pra, nuk pranoi të dalë në gjyq fare. Më thanë, ç’ke ti, ne ta heqim atë…’.  Kur një ditë, në spital më thonë se: Heqim dorë nga akuza e nenit 64! –Atëherë çfarë doni, agjitacion e propagandë, çfarë agjitacioni mo!?- u thashë unë.

Ja, me një fjalë, këta njerëz që më thatë që parë se a i njoh, të cilët buzëqeshnin e zgërdhiheshin me barsoletat e Skënder Sallakut, këta janë…. Më lejo, të lutem shumë, të them për të pandehurin Kadri Hazbiu, që të ketë turp e faqen e zezë që është armik i fëlliqur i Partisë….

Kryetari:- Keni ndonjë pyetje? (Të akuzuarit thonë që nuk kanë pyetje)

Idriz Lleshi, mbiemri?

Idrizi:- Alimadhi(Lleshi). Babai, Lytfi, nëna Hiqmetkë, datëlindja 1927, nuk jam anëtar Partie, nuk jam dënuar ndonjëherë….

Kryetari:-… Ty tani të kemi thirrur si dëshmitar lidhur me një dëshmi që ke bërë në hetuesi dhe që ka të bëjë me një takimin tënd me Jonuz Majtarën. Na e shpjego këtë.

Idrizi:- Siç përmenda që unë jam dënuar nga gjykata jugosllave në vitin 1950 si rezultat i arratisjes këtej të Mustafa Lleshit dhe Aqif Lleshit, e shkaktuar kjo nga Feçor Shehu. Do të them më poshtë se na internuan familjarisht, ne familjen Lleshi. Ata jugosllavët burgosën brenda ditës 76 burra dhe 2 gra. Këto gratë ishin motra ime e cila kishte fëmijën 15 ditësh dhe goca e xhajës, që lindi në birucat jugosllave. Unë ika nga internimi për të ardhur në Shqipëri. Mirëpo jugosllavët mundën të më zbulojnë dhe më kapën e më dënuan tre vjet burg, që i vuajta në burgun e Idrizovës…

Kryetari:- Ku është ky burgu i Idrizovës?

Idrizi:- Në drejtim të rrjedhës së Vardarit, në Shkup, pra 15 kilometra larg Shkupit, bri Vardarit. Është burgu kryesor për Republikën e Maqedonisë dhe për krahinën autonome të Kosovës. Atje është dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të grumbulluar. Gratë i liruan, burrat i dënuan. Nga këto të dënuar ishte dhe Jonuz Majtara, i cili erdhi në burg bashkë me babanë tim. Dhe babai im u dënua. Në vitin 1952, UDB-ja jugosllave në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë, grumbullonte të burgosurit politik për t’i dërguar në Godi Otok… Unë isha më i riu. Po prisnim për të na transportuar. Ishte ditë e nxehtë dhe ishte errët, natë. Me mua ishte dhe Jonuzi, i afërt i familjes… Ai më tha se do të më jepte një porosi në besë se do të ikte në krahun tjetër. Se, më tha ai në vazhdim, unë (Jonuzi), kam bërë një takim në Maqellarë me kryetarin e Degës së Peshkopisë, me mbiemrin Shehu, e që është nipi i Mehmet Shehut. Më tha të shkoja ta takoja. Dhe ai më dha 25 mijë dinarë duke më thënë: Përdori për fëmijët, se duke u marrë me Sigurimin, nuk do të kesh kohë të punosh tokat. I thashë se unë do punoj për Shqipërinë, e jo për para… Po në krye të dy javëve, më arrestojnë ata të UDB-së. Ata të UDB-së më pyetën e  torturuan, e më thanë se ‘përse nuk i more ato paratë që të dhanë në Maqellarë’. Kuptova diçka. Tradhtia ishte bërë nga Feçor Shehu… Unë erdha(u arratisa) në Shqipëri në vitin 1956. Do të thoni se pse nuk e thashë unë këtë kur erdha atëherë! Nuk e thashë nga frika, se Feçor Shehun e gjeta drejtor të Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Tiranë….

Kryetari(Aranit Çela):- Ti Feçor, ke gjë për këtë?

Feçor Shehu:- …Tani, unë kam një pyetje. Pse arrihet në konkluzionin meqenëse mendon ky, që meqenëse UDB-ja i paska thënë ‘duhet të jetë tradhtuar nga Feçor Shehu’ dhe jo nga të tjerë që mund të ketë biseduar Jonuz Majtara. Se mua nuk më kujtohet t’i kem takuar…..

Kryetari:- Këtij i ka thënë Jonuz Majtara, ky vetë s’di gjë… Po Jonuz Majtarën, nuk e njeh?

Feçori:- Unë nuk mbaj mend, i nderuar kryetar.

Prokurori(Rrapi Mino):- Me leje shoku kryetar! Siç e dëgjuat ju nga dëshmitari Idriz Lleshi, siç del edhe nga deponimi i dy dëshmitarëve të tjerë, Lytfi Lleshi e Shaqir Lleshi, sa vjen e plotësohet më mirë kuadri i deponimeve që ka dhënë vetë i pandehuri Mihallaq Ziçishti, lidhur me vënien në shërbim të UDB-së së tradhtarit Feçor Shehu. Ai, Feçori, është vënë në shërbim të UDB-së nga viti 1948, kur ishte në shërbim në organet e punëve të brendshme të rrethit të Dibrës.  Faktet e provojnë më së miri, që i pandehuri Feçor Shehu është spiun i hershëm i UDB-së dhe i ka shërbyer me besnikëri kësaj agjenture të ndyrë. Siç doli nga ky dëshmitar, nga dëshmitari Idriz Lleshi, Jonuz Majtara ishte një patriot shqiptar që punonte dhe luftonte për vendin e tij, dhe kërkonte gjithnjë ndihmë nga ana jonë. I pandehuri Feçor Shehu, duke qenë në shërbim të UDB-së jugosllave, e denoncoi këtë njeri. Dhe ky hoqi pasojat e këtij takimi që bëri me Feçor Shehun duke u dënuar nga gjyqet e UDB-së e duke pësuar vuajtje e tortura nga më të rëndat. Veç kësaj, Feçor Shehu, atë detyrën e agjentit të vjetër të UDB-së, na e provoi dhe dëshmitari Telat Agolli. Ai na tha disa fakte të cilat janë tamam karakteristike, të përdorura nga armiqtë, domethënë, siç ishte Koçi Xoxe, ish-ministër i Punëve të Brendshme. Domethënë, me metoda trockiste.  Ashtu ka vepruar edhe i pandehuri Feçor Shehu me dëshmitarin Telat Agolli. E para, se e ka marrë vetëm në hetuesi. Ç’është kjo marrje vetëm në hetuesi, pse bëhen këto? Bëhen vetëm pse duhet të kryhet ndonjë veprim armiqësor. E dyta, ka përdorur mbi Telat Agollin presione nga më të ndryshmet. E kanë akuzuar Telatin për tradhti ndaj Atdheut, por gjykata ua hodhi poshtë. Dhe gjetën pastaj ca dëshmitarë kështu, për agjitacion e propagandë, duke e dënuar vetëm për një krim të lehtë.  E treta, ka dashur të përpunojë këtë dëshmitarë, domethënë të pandehurin në atë kohë… Tradhtari Feçor Shehu ka dashur ta përpunojë Telat Agollin e ta vejë në shërbim të UDB-së jugosllave. Tani, edhe në vitin 1976, ky Feçori punon në favor të UDB-së… Provat e dëshmitarët provojnë se i pandehuri Feçor Shehu, është një spiun i hershëm i UDB-së dhe gjatë gjithë kësaj kohe, i ka shërbyer asaj me ndërgjegje. (Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

SOM 1

“Detyrën e agjentit të vjetër të UDB-së të Feçor Shehut, na e provoi dhe dëshmitari Telat Agolli. Ai na tha disa fakte të cilat janë tamam karakteristike, të përdorura nga armiqtë, domethënë, siç ishte Koçi Xoxe, ish-ministër i Punëve të Brendshme. Domethënë, me metoda trockiste.  Ashtu ka vepruar edhe i pandehuri Feçor Shehu me dëshmitarin Telat Agolli. E para, se e ka marrë vetëm në hetuesi. E kanë lidhur këmbë e duar, i kanë bërë presion e tortura. Ç’është kjo marrje vetëm në hetuesi, pse bëhen këto? Bëhen vetëm pse duan të kryhet ndonjë veprim armiqësor”

SOM 2

“Kadriut dhe Feçorit, gjykata ua hodhi poshtë akuzat për Telat Agollin. Dhe gjetën pastaj ca dëshmitarë kështu, për agjitacion e propagandë, duke e dënuar vetëm për një krim të lehtë. Tradhtari Feçor Shehu ka dashur ta përpunojë Telat Agollin e ta vejë në shërbim të UDB-së jugosllave. Tani, edhe në vitin 1976, ky Feçori punon në favor të UDB-së… Provat e dëshmitarët provojnë se i pandehuri Feçor Shehu, është një spiun i hershëm i UDB-së dhe gjatë gjithë kësaj kohe, i ka shërbyer asaj me ndërgjegje të plotë”

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close