fbpx
Lajme

Trajkoviq gjen rehati në Qeveri pas krahasimeve që ia bënte Kurtit me Millosheviqin

Pasi Lista Serbe ka vendosur t’i braktisë institucionet e Republikës së Kosovës, pozita e ministrit për Kthim dhe Komunitete që Kurti ia kishte dhënë Goran Rakiqit kishte mbetur e zbrazët. Për të plotësuar një mungesë të tillë në Qeveri, Kurti ka vendosur që të emërojë politikanin serb të Kosovës, Nenad Rashiq. Vetë Rashiq pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën, kishte treguar se do ta marrë Rada Trajkoviqin në pozitën e këshilltares meqë sipas tij ajo ka shumë përvojë dhe është shumë e përgatitur.

Gazeta Express

Megjithatë ky rehatim i Trajkoviq në ministrinë që tashmë do ta drejtojë Nenad Rashiq, vjen pas një sërë deklaratash të saj kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Madje Trajkoviq kishte shkuar aq larg sa që kishte tërhequr edhe një paralele mes Kurtit dhe Sllobodan Millosheviqit.

Një deklaratë të tillë ajo e kishte bërë për “RTV KIM” kur kishte folur për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për targat ilegale. Trajkoviq në atë intervistë pat thënë që mënyra se si Kurti “po ua mohon të drejtat e komunitetit serb” ia kujton asaj “mënyrën se si Millosheviqi kishte dashur t’i disiplinonte shqiptarët”.

“Tendenca e Albin Kurtit për të sjellë zgjidhje që dënojnë kolektivisht popullin serb në Kosovës dhe Metohi nuk është e drejtë dhe është vazhdimësi që nga ardhja e tij në pushtet. Duke provuar të drejtat e serbëve dhe duke u përplasur me komunitetin serb në këtë mënyrë, më kujton deri diku kohën kur Millosheviqi donte t’i disiplinonte shqiptarët, kështu që mori rrugën e privimit të shqiptarëve nga të drejtat e tyre ndaj Kosovës përmes zgjidhjeve institucionale që ata i pranuan si presion ndaj tyre”, ka thënë Trajkoviq për “RTV Kim” më 30 tetor të këtij viti, raporton Gazeta Express.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close