Vazhdon greva e të burgosurve në Dubravë, tashmë as dreka nuk hahet në sallën e ushqimit
Ka më shumë se një javë që nga fillimi i grevës së 140 të burgosurve në pavijonin e gjashtë në burgun e Dubravës.
Indeksonline kishte raportuar se të burgosurit kanë filluar grevën e tyre për arsye se kërkojnë që t’u kthehet e drejta për të shkuar në vikend tek familjarët e tyre si dhe mundësia e marrjes së pakove me gjëra ushqimore nga jashtë.
Konfirmimi për grevën e tyre është bërë edhe nga Ushtruesi i Detyrës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj.
Ndërkohë Indeksonline mëson se greva e tyre është duke vazhduar.
Madje siç mësohet, si pasojë e kësaj greve, të burgosurit po ushqehen në dhomat e tyre, dhe jo në sallën ku së paku kishin mundësi të hanin vaktin e drekës.
Janë pikërisht të burgosurit të cilët punonin në kuzhinën e Burgut të Dubravës ata të cilët janë duke grevuar dhe të cilët refuzojnë të bëjnë ushqimin për të tjerët, pa ua plotësuar kërkesat në fjalë. Me këtë rast nga burime brenga këtij pavijoni mësohet se edhe cilësia e ushqimit tani është shumë më e ulët.
Indeksonline me këtë rast ka provuar të kontaktojë me Zogajn, por nuk ka pasur ndonjë përgjigje rreth asaj se çfarë po bëhet në këtë drejti, që të burgosurit të ndalojnë grevën disa ditore./Indeksonline/