Vjen reagimi i Veselit për Prizrenin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se vije nga Mitrovica porse për të qyteti i Prizrenit është qyteti më i bukur në botë.
Veseli ka hedhur dyshime edhe për keqpërdorim votash në këtë komunë, duke konsideruar se balotazhi i 19 nëntorit nuk e përfaqëson vullnetin e popullit.
“Nuk është rregull e lojës që të marrësh vullnetin e qytetarëve, të provokosh situatën e të abuzosh në qendra të votimit. PDK e respekton vullnetin e qytetarëve, ne nuk kemi shantazhuar dhe ne besojmë në institucionet e vendit”, ka thënë ai në Klan Kosova.
“Të jesh në një diferencë aq të madhe në raundin e parë dhe pastaj… kemi pasur figura të shquara si në aspektin profesional, ashtu edhe në integritetin personal. Ky balotazh nuk përfaqëson vullnetin e popullit”, tha Veseli.
Ai tha se rikthimi i fuqishëm i PDK-së më 22 tetor i ka frikësuar oponentët e tij.
Ai tha se PDK do të vetëreflektoj, siç tha ai, edhe në nivel të lidershipit e kryetarit të partisë, për të parë defektet që sollën këtë rezultat për partinë e tij.
“Oponentët tanë politik, me vetëdije a pa vetëdije, qëllimi për të na rrëzuar i ka bërë bashkë. PDK-ja është treguar jovigjilente në raundin e dytë. Ne jemi duke analizuar rezultatin zgjedhor. Jemi duke analizuar edhe atë ku mund të ketë pasur manipulim të votave. Jemi duke analizuar pjesën që lidhet me lidershipin, që nga kryetari i partisë”, tha ai.