Enver Maloku 1997: Xhafer Shatri do të kënaqej sikur të dëshmohej disfata e Rugovës
Prishtinë, shtator 1997 (QIK) – Në një intervistë të botuar në diasporë në vitin 1997, Enver Maloku, përgjegjës i QIK-ut thotë se lidhjet e QIK-ut me botën janë ndërprerë për shkak se kryeministri Bujar Bukoshi dhe ministri për informata kanë dashur t’ia ndërprerjnë lidhjet me botën kryetarit të Republikës së Kosovës, përkatësisht t’ia ndërprejnë lidhjet politikës dhe veprimit për pavarësi në Prishtinë.
Mllefi i këtyre dy zyrtarëve ndaj QIK-ut është i kushtëzuar gjithashtu me raportet tona me kryetarin Rugova, thekson z.Maloku. QIK-u nuk ka pranuar për privilegje as nën kërcënime të bëhet instrument i politikës së grushtshtetit të kryeministrit. Për këtë shkak, kryeministri na ka mallkuar edhe publikisht me fjalët: thejau zot qafën! Një mallkim të tillë nuk e thotë njeri normal në këtë botë.Fatkeqësia jonë nuk është se kemi shumë njerëz të krisur, por se shumë të krisur janë ngjitur lart në kierarkinë e qeverisjes e të politikës, thotë përgjegjësi i QIK-ut.
I pyetur rreth mënyrës së veprimit të institucionit në këto rrethana, ai tha se krejt sistemi e shoqëria shqiptare në Kosovë janë organizuar me vetëinciativë, në mënyrë vullnetare dhe me sakrifica të mëdha.Sistemet e organizimet janë goditur e do të goditen në vazhdimësi nga regjimi serb.Mirëpo këto goditje nuk kanë mundur të kenë efekte vdekjeprurëse për shkak të aftësisë së këtij organizimi për ripërtritje e aftësim.Ministria për Informim e Republikës së Kosovës, e ngarkuar për të siguruar informimin elementar dhe për të ndihmuar informimin, nuk mund ta shkatërrojë Qendrën për Informin të Kosovës, në të cilën krahas nesh në seli, janë të kyçur drejtëpërdrejtë mijëra veprimtarë anë mbanë Kosovës.Informimi për ata dhe për ne është jetë, është të jesh a të mos jesh.Lëvizja politike shqiptare për pavarësi e ka fituar njëherë luftën brenda shoqërisë shqiptare dhe nuk ka mundësi që të humbë këtë fitore.
Ai tha se mungesa e lidhjeve telefonike në institucion do të kompensohet me lidhjet telefonike private dhe me lidhjet që i janë vënë dispozicion nga disa institucione të Kosovës dhe shumë ndërmarrje private.
Duke komentuar momentin dramatik të ndërprerjes së lidhjeve telefonike për shkak të mospagesës, z.Maloku tha se ky veprim është i kuptueshëm, pasi në këso momentesh serioze, siç është dita e sotme dhe siç kanë qenë javët e kaluara, manifestohet suksesi ose dështimi. Kryeministri e ministri për informata do të kënaqeshin sikur të dështonte krejt populli i Kosovës me kushtin e vetëm që të dëshmohej disfata e Rugovës dhe dështimi i QIK-ut.
I pyetur rreth shkaqeve të ndërprerjes së mjeteve financiare për shpenzime telefonike, përgjegjësi i QIK-ut tha se kryeministri është i ngarkuar me ligj që të zbatojë politikën që e formulojnë organet politike, mirëpo ai bën vetë politikë nga larg. QIK-u, ndonëse raporton shpesh për tragjedi, dëshpërime e zhgënjime, është një institucion i suksesshëm. Suksesi i kundërshtarit real ose të projektuar e pengon kryeministrin. Po ashtu, QIK-u nuk e ka ndërmend të marrë pjesë në fushatën e grushtshtetit për krijimin e një qendre të re (për autonomi a ballkani) të vendosjes në Kosovë e për Kosovën.