Abdixhiku: Rritja e inflacionit është 7.1 përqind, kjo është alarmante
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk ka plane për t’i ndihmuar qytetarët për të përballuar rritjen e çmimeve.
Ai tha se po provohet të jepet një pasqyrë e një zhvillimi ekonomik, por se kjo po bëhet duke krahasuar shifrat me vitin 2020 të pandemisë.
“Viti 2021 është një vit boom postpandemik dhe në këtë vit ka edhe rritje të çmimeve. Vetëm për një vit, inflacioni në Kosovë është 7.1 përqind dhe kjo është rritja më e madhe historike në 22 vitet e fundit. Çështja është se çfarë bëni ju si qeveri? A ka politikë fiskale? A ka pako që zbut përballimin e qytetarëve tonë me çmime astronomike”.
Abdixhiku tha se më shumë tatime po mblidhen prej një inflacioni të paprecedentë.
“Është e padrejtë që qytetarët edhe të paguajnë më shtrenjtë edhe të japin më shumë tatim. Normalisht që ATK mbledh më shumë të ardhura kur ka inflacion. Edhe njëherë po e them 7.1 përqind, sipas raportit të fundit të ASK-së, është inflacioni i janarit 2022 krahasuar me janarin e 2021-ës. Kjo është alarmante”.
Në replikë, kryeministri Kurti ka thënë se është e vërtetë që qytetarët po paguajnë më shumë tatime, por se kjo nënkupton performancë më të mirë të ATK-së dhe se gatishmëria e qytetarëve vjen edhe nga fakti se nuk shohin skandale të korrupsionit në qeveri.
“Besueshmëria është më e lartë në qeverisje dhe kontributi është më i madh”.