Detaje nga incidenti tragjik në Brezovicë, ku humbi jetën Arian Daci
Si pasojë e një orteku, në Brezovicë, në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”, ka humbur jetën Arian Daci, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Basri Shabani nga Policia e Kosovës, në Rajonin e Ferizajit.
“Një person me inicialet A.D rreth orës 15:00 ka gjetur vdekjen si pasoj e një orteku të borës në Brezovicë. Njësitet e policisë janë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësore”, ka thënë Shabani.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka treguar se trupit të Arian Dacit do t’i bëhet autopsia.
Ndërkaq, Ardian Bakalli, që ishte sëbashku me Arianin e një grup tjetër skiatorësh, kanë shpëtuar pasi kanë qenë të pajisur me pajisje mbrojtëse.
Lidhur me vdekjen e tij, kanë shprehur ngushëllime; Presidenti Thaçi, kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, e shumë politikanë të tjerë…
Disa orë para se të ndodhte orteku, Daci kishte publikuar në profilin e tij në Instagram një fotografi me shokë, në një lokal të Brezovicës.
Arian Daci, 40 vjeçar, ishte zëvendësministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ndërkaq ka qenë farmacist me profesion.