fbpx
Lajme

Faji i Qeverisë Kurti 1 | Kosova humb Arbitrazhin kundër ‘Contour Global’-it, obligohet 20 milionë euro

Shteti i Kosovës do të obligohet që t’ia paguajë afër 20 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane ‘Contour Global’ pasi ka humbur rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe krejt kjo për faj të Qeverisë Kurti 1.

Nga burime të afërta me zyrtarë qeveritarë, Paparaci ka marrë vesh se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për rastin është marrë gjatë kësaj jave, por nuk është publikuar ende.

Vendimi pritet të publikohet brenda ditëve të ardhshme.

Siç merret vesh, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit e ka shpallur si të bazuar padinë e kompanisë ‘Controur Global’ kundër Kosovës.

Në fund të vitit 2017, ‘Contour Global’ kishte nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave në një afat të caktuar kohor, me kontratë ishin paraparë ndëshkime financiare për palën që nuk i përmbushë obligimet.

Kësisoj, pas zvarritjes së kontratës dhe kundërshtimit nga ambientalistët, kompania amerikane u tërhoq nga ndërtimi i termocentralit gjatë Qeverisë Kurti 1. Disa ditë më vonë, ajo njoftoi se e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit për mosrespektim të kontratës.

Në Arbitrazhin Ndërkombëtar, Contour Global kërkoi dëmshpërblim nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 19.7 milionë eurosh.

Sipas marrëveshjes së vitit 2017, parashihej ndërtimi i termocentralit me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro. Si i tillë, ky projekt përfaqësonte investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Kjo kompani ishte tërhequr nga Kosova, duke e fajësuar Qeverinë e Albin Kurtit.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhej në një njoftim për media nga Contour Global, duke shtuar se “Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”, thuhej në njoftimin e asaj kohe nga kompania.

Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillohej të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihej në punë në vitin 2023.

Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” ishte llogaritur të jetë 40 vjet.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike. /Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close