Gagica: ‘Pas aksioneve të Zahir Pajazitit në vitin 1994, Amerika paralajmëroi Rugovën’
Ish-kryetari i degës së LDK-së në Gjermani, Hafiz Gagica, ka treguar detaje interesante nga fillimet e para të aksioneve të armatosura ndaj pushtetit serb në Kosovë.
Gagica, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se pas formimit të LDK-së në Prishtinë, ai mori mbështetje nga Rugova që të themelonte edhe degët e diasporës.
Ai tha se pas konsolidimit politik kishte filluar edhe mbledhja e financave e më pas edhe formimi i ekipeve për mbrojtje.
“Nuk ka qenë ideja që të fillohet rezistenca e armatosur në atë kohë, por fillimi i përgatitjes së bazave në pikat strategjike të kalimit e të urave të ushtrisë jugosllave që kanë qenë objekte më rëndësi që i parashihnin ushtarakët e asaj kohe”.
Ish-kryetari i degës së LDK-së në Gjermani ka thënë se aksione luftarake ka pasur qysh nga viti 1994 nga Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti.
“Ka pasur raste kur Rugova ka thënë se nëse rrezikohet politika paqësore të distancohej nga këto degë, pasi kishte presion të madh nga amerikanët”, tha ai.
Gagica ka treguar edhe një rast kur Amerika e kishte paralajmëruar Rugovën për përmbajtje pas disa aksioneve në Kosovë ndaj caqeve serbe.
“Në vitin 1994 ishte Sali Çekaj në rrethin e Dukagjinit. Në Prishtinë ishte bërë një përpjekje për atentat ndaj rektorit të atëhershëm të Universitetit të Prishtinës që ishte serbe që dukej se ishte bërë nga grupi i Zahir Pajazitit, në Drenicë Adem Jashari kishte filluar aksionet ndërsa edhe në Ferizaj kishte disa veprime ndaj Serbisë. Washingtoni dhe Boni ishin alarmuar se çfarë po ndodhë në Kosovë”.
“…Mbaj mend që Rugova kishte deleguar një anëtarë të Kryesisë nga Prishtina në Shtutgard që të jeni të kujdesshëm sepse kemi vërejtje serioze. Ne erdhëm në përfundim se në rast se rrezikohej politika paqësore do të tërhiqnim të gjithë ata që ishin në zyrat e LDK-së në Gjermani bashkë me mua dhe Sali Çekajn”, tha ndër të tjera Hafiz Gagica.