fbpx
Lajme

Nipi i Kadri Zekës: Thaçin e kam shok të studimeve, ishte studenti më i mirë atë kohë

Shkruan: Izmi Zeka / Nipi i Heroit Kadri Zeka

Si të njoha miku im! Ti, shoku im, Hashim Thaçi atëherë kishe vetëm një ëndërr…Kur të njoha ishim në vitet e hershme studentore. Qemë fare të rinj dhe ëndërrimtarë… Ëndrra jonë mori përmasa reale, ngase rritej pjekuria krahas rritjes së represionit jugosllav mbi qenien tonë. Përshkallëzimin e shtypjes nuk e zmbrapsën protestat me mjete paqësore… Realiteti hynte në ciklin më të vrazhdë të dhunës; atëbotë shoku im hyri në shtegun e ngushtë e të zjarrtë: përballjen me Serbinë, me makinerinë e saj vrastare, deri te akti heroik i tytës me tytë! Dikush kishte ëndrra tjera…

Mësymjen e këtij djaloshi, me shokë të ngjizjes së atillë, me tytën e drejtuar Serbisë gjakatare, po ashtu, dikush do ta konsideronte “aventurë” të rrezikshme dhe fatale! Mirëpo, miku im i viteve të 90-ta ishte i ri dhe, ëndrrat e trimërisë ia kishin flakur frikën. Ishim të ri dhe e përzumë frikën prej shpirtit tonë. Ëndrrat tona në Universitetin e Prishtinës kishin marr kahe drejt çlirimit të Kosovës. Ti, shoku im, Hashim Thaçi atëherë kishe vetëm një ëndërr: Shqipëria e bashkuar! Ëndrra jote ishe ëndërr e thyerjes së zgjedhës, ëndërr e përzënies së regjimit të egër serb; ëndërr e shporrjes njëherë e përgjithmonë të atij regjimi të urryer antinjerëzor dhe antishqiptar. Ti ishe studenti më i mirë aso kohe, student i degës së përbashkët të studimit në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ti ishe ai djaloshi i qetë e fjalë pak. Doje vetëm një madhështi: lirinë për kombin tënd!Për ty Hashim liria nuk kishte kompromise. Ishin vitet e rinisë, kur një pjesë e të rinjve bënte jetën kafeneve të Prishtinës, pa e prishur rahatinë për ëndrra lirie, por liri për ta ishte “mirëqenia” individuale, paraja e veturat luksoze?!

Ti, shoku im, bëre atë që pak kush do ta kishte menduar se mund të bëhej, madje as të merrej me mend se do të bëhej… Ti nuk e durove kompromisin për lirinë e Kosovës! Ti shoku i brezit tim: i gjatë e thatanik, kishe zgjedhur rrugën e të papriturave të skajshme; zbrazjen e mizorisë më të zezë…! Hyre asaj rruge kur ditët mund të përfundonin shumë shpejt për Ty dhe, jeta, qëllimet e paravëna me bashkë-veprimtarë të tjerë, do të kishin tretur me gjithë ëndrrat djaloshare. Sido qoftë Ti, shoku im, edhe kur mbarove studimet, si student i dalluar, student prorektor, bashkë-dyzove historinë me dhimbjen shqiptare.Ato vite të rënda “tunxh”, sikurse shprehej bacë Esad Mekuli, ne kishim edhe ëndrra tjera. Gjithsesi koha kërkonte diçka tjetër… Ti nuk u ndale kur të tjerët ndaleshin rrugës. Ishte rrugë e gjatë me rreziqe, kur çizmet e zeza shkelnin qyteteve e fshatrave të Kosovës; Ti e kishe flakur tej tuten. Ashtu i heshtur vrapoje anekënd Kosovës e Shqipërisë…Ti dhe shokët tuaj kishit një mision vigan…* * *Shoku im… Ishe njëri nga ata, që mëtoje t`i jepje fund kapitullit të tiranisë, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Ti bëre ndryshimin e epokave!… Çka mund të japësh më shumë se sa jetën?! Jetën për çdo ditë ta vësh në peshoren e vdekjes! Ti e bërë këtë për çdo ditë, për çdo natë… Ashtu i ri, Ti edhe në Rambouillet e shkëpute Kosovën prej Lindjes dhe e ktheve kah Perëndimi.

Shoku im, edhe kur shtriu krahët e na përqafoi liria, ishe fare i ri… Kalove vite e vite që përveç lirisë, Kosovën ta bëje atdhe të gjithëve, ani pse disa kishin shkelur edhe mbi varre. E bëre vetëm për një qëllim, që liria mos t`i hajë bijtë e vet, edhe kur ata kishin dëmtuar popullin në kohëra të ndryshme… Ti bëre sa nuk bëhet më… Ti Kosovën e bërë të Lirë të Pavarur, Demokratike. Ty shoku im, t`i njoh edhe rrudhat e ballit dhe flokët e thinjura sprovave… Ti bëre atë që qindvjeçarët nuk e bënë dhe na e gllabëronin përditshmërinë… E njohe mirë Kongresin e Berlinit, Konferencën e Ambasadorëve të Londrës, Traktatin e Fshehtë të Londrës, Konferencën e Paqes së Parisit, me një fjalë, Ti njohe botën se si funksionon. Ti ktheve një Evropë me fytyrë prej nesh, ashtu si ishte e brishtë e me mëdyshje… Ti i bëre dhuratën më të madhe për diplomacinë shqiptare, Kosovës ia lidhe aleancën me fuqinë botërore, Amerikën! Shoku im i studimeve dhe i idealit. Të mori Hagë. Përshtypja ime është se tashmë kemi të bëjmë me ndeshje qytetërimesh… Qytetërimet në histori dinë të jenë të pamëshirshme në emër të humanizmit, të drejtave të njeriut e shkase tjera. Shoku im, sikur atëherë kur viteve të 90-ta, bota nuk e kuptonte realitetin në Kosovë dhe gjenocidin serb, sot do ta kuptojnë e shohin , ngase Ti sërish do të jesh Ai, që vetë Evropën ta kthesh kah Perëndimi. Mbase kjo fjali është me ngjyra metaforike, por Ti di të jesh i fundit, që ta përmbyllësh luftën e qytetërimeve.

Shihemi shoku im aty te amfiteatri, në Universitetin e Prishtinës, duke e parë botën jo si dikur…Tash do të preferoja të takoheshim diku me veprat e Lasgushit dhe te shtatorja e Hasan Prishtinës në Prishtinë. Shihemi aty ku e nisëm ….. Gjilan, korrik 2020

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close