fbpx
Lajme

Geci tregon një rrëfim me Adem Jasharin dhe Rexhep Selimin, thotë se u përdorë fjala “lahper”

Gani Geci / Lufta pa maska

Dhe ne kemi shkuar deri në Prellovc, ku i kishim lënë më parë shokët tanë. Aty nuk gjetëm askënd, as Ademin e as të tjerët, ata i kishin marrë të plagosurit me qëllim për t’i shpëtuar. Për ne kanë menduar se ishim vrarë. Ishte rreth orës një të natës. Vazduam rrugën dhe u takuam me Adem Jasharin në fshatin Polac. Ai ka dalë nga vetura, ishte me Nuradin Lushtakun, ma hodhi dorën rreth krahut dhe m’u drejtua: – Dajë, çka u bë, a shpëtuat? – Po ne shpëtuam, Dajë, por aty janë vrarë shtatë a tetë veta. Siç u informuam – i thashë – janë vrarë katër vëllezër në një vend. Pastaj ka ardhur Rexhep Selimi dhe ma futi dorën në krahun tjetër. Rexhep Selimi nuk ka folur asgjë me Adem Jasharin. Rexhepi më tërhoqi nga njëra anë, kurse Ademi nga ana tjetër.

Ademi me atë rast iu drejtua Rexhep Selimit: – Hup, se nëse mbetem gjallë prej kësaj lufte, do ta nxjerrë kapzerin! Hup! Hup prej këtu! Këto fjalë i kanë dëgjuar Sulejman Selimi, Nuradin Lushtaku, Gani Koca etj. Nuk ishte kjo hera e parë që shkëmbeheshin llafe të tilla mes Ademit dhe Rexhep Selimit, i cili konsiderohej si krah i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Ademi qe zemëruar me ta atëherë, kur në Drenicë pati ardhur Hashim Thaçi, «Gjarpëri» dhe Jakup Nura, e ata s’qenë takuar fare me Adem Jasharin, por kishin shkuar tek «Sandokani» dhe Rexhep Selimi, kishin qëndruar aty gjatë dy-tri ditëve, pastaj qenë kthyer në Zvicër. Ademi me atë rast më ka pasë thënë: – Daj kishte ardhë ai lahperi! Kjo ishte një shprehje origjinale e Ademit. – Kanë ardhur ata, por nuk janë takuar me mua! Ky ishte rasti i dytë ku unë mora vesh për thyerjet mes Ademit dhe përkrahësve të Lëvizjes Popullore të Kosovës, në radhët e UÇK-ës, përpos njoftimit të parë nga Hamëz Jashari. Të gjitha këto kanë ndodhur në Polac, më 1 mars 1998 rreth orës 01.00.

 Në Polac u kuptua nga të gjithë se Adem Jashari dhe Rexhep Selimi nuk qëndronin mirë mes vete, mirëpo të tjerët nuk e dinin shkakun, përpos atyre që i kishin raportet e ngushta me ta. Kishin kaluar mbi gjashtë muaj prej nga kishte filluar thyerja mes tyre dhe këta prej asaj kohe nuk kanë folur më ndër vete. Me që ne i kishim disa të plagosr me vete mendonim se si t’i kalonim në anën tjetër të rrugës së asfaltuar dhe jemi nisur me urdhërin e Adem Jasharit për të kontrolluar rrugën për kalimin e të plagosurve. Me radio-lidhje na kanë njoftuar se rruga është e lirë dhe ne jemi nisur. Është dashur të kalojmë rrugën tek lisat e Xanit, të cilat gjendën në kryq, mes rrugës së Polacit dhe Drenasit.

Ne duhej të kalonim andej, për t’i kaluar të plagosurit. Ne nuk ishim të sigurtë se a ishte rruga e lirë, apo jo, sepse në mesditë, më 28 shkurt 1998, te vendi i quajtur “te betoni”, në rrugën Skënderaj – Drenas, kishte pasur luftime. Aty kishin luftuar Njësiti i Llaushës, Islam, Liman e Sejdi Geci. Një pjesë e konvojit të policisë së shkijeve, dyshohei se ka mbetur te Lisat e Xanit. Unë e pyeta Ademin: : – Nipash çka po thua ti? A po nisemi a jo? Ai m’u përgjigj: – Tash do të kalojmë këndej, kush do me ardhë me ne mund të vijë! Ne dëgjuam Komandantin Legjendar, Adem Jasharin dhe u nisëm. Ademi, Sylejman Selimi, Musli Geci e Nuradin Lushtaku shkuan pjesës së poshtme, nën shtëpitë e Xanëve. Ndërsa ne grupi tjetër jemi nisur stomit tjetër me qëllim për ta kaluar rrugën. Edhepse Abedin Rexha na ka lajmëruar me radio-lidhje duke thënë se: – Rruga është e lirë! Faktikisht kishte qenë e kundërta, policia serbe kishte qenë në një shtëpi aty te Lisat e Xanit. Ai nuk e kishte ditur që policia kishte mbetur ende aty. Ai ka menduar se policia serbe ka shkuar në Drenas. Ndërsa ne u nisem duke menduar se rruga është e lirë dhe kemi rënë në pritë. Fati ishte se Ademi kishte shkuar pjesës së poshtme dhe ka shkelur në një tel. Menjëherë pas zhurmës së telit kanë pasuar të shtënat e policisë serbe në drejtimin tonë. Fatbardhësisht, ne kemi qenë të gjithë nën stomin e rrugës, asnjë prej nesh nuk është qëlluar.

Ademi ka filluar të shtijë në drejtim të tyre pastaj është kthyer, pushko-mitralozët serbë kanë filluar të përgjigjen, Rexhep Selimi ka qenë në rrugë, mbi asfalt, dhe u tërhoq prapa, vetëm Miftar Qerimi që e shoqëronte Rexhepin e kaloi pritën dhe fati e deshi të mos e rrokë asnjë plumb dhe shkoi në Llaushë. Të gjithë të tjerët jemi kthyer mbrapa dhe kemi marrë një pendë kuajsh, për t’i transportuar të plagosurit. Ata që nuk kanë mundur të ecin i kemi dërguar në Morinë, prej Morine në Rrezallë e pastaj në Ticë, ku gjendei mjeku Fadil Beka, i cili në atë kohë ishte fillestar, fakultetin e kishte kryer në Shqipëri, mjek tjetër nuk kishte. Në odën e Fadil Bekës të plagosurit kanë qendruar disa ditë, Sabit Lladrovci, Musë Jasharaj dhe dy-tre veta tjerë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close