fbpx
Lajme

EKSKLUZIVE: KFOR-i s’i lejoi institucionet e Kosovës që serbët e veriut t’i detyronin ta paguanin rrymën

Kosova në fund të vitit 2021 u përballë me një krizë të madhe energjetike. Qytetarët e varfër, pos reduktimeve të ashpra të energjisë, u përballën edhe me rritje të çmimit të saj. 

Orët e gjata pa rrymë në mes të dimrit dhe pasojat e rritjes së çmimit nuk i ndjenë vetëm qytetarët e katër komunave veriore të Kosovës. Serbët e veriut nuk u përballën as me reduktime dhe as me fatura të shtrenjta, sepse për ta u kujdes shteti i Kosovës. Kjo praktikë ishte që nga viti 2009 kur pavarësia ishte mbikëqyrej nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën. E përkundër premtimeve të kryeministrit Kurti, i cili në të kaluarën edhe kishte protestuar për këtë çështje, ai ka vazhduar t’ua paguajë rrymën në Qeverinë Kurti 1 dhe 2, shkruan Demokracia.com.

Kosova ka humbur qindra miliona euro nga pagesat e energjisë elektrike për qytetarët serbë në katër komunat veriore.

Demokracia.com e ka siguruar letrën që drejtori menaxhues i KEK-ut në vitin 2010, Arben Gjukaj, i kishte dërguar komandantit të atëhershëm të KFOR-it në Kosovë, Markus Bentler, drejtorit të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmetit dhe shefit të atëhershëm të misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon.

Ajo u ishte drejtuar urgjentisht shefave të mekanizmave të sigurisë dhe aty kërkohej që letra t’u dorëzohej vetëm në duar njerëzve që u ishte adresuar.

Drejtori i atëhershëm Arben Gjukaj, siç shihet në këtë letër, kishte shfaqur shqetësime për veprimin e paligjshëm të operatorëve të Serbisë në veri të Kosovës. Ai kishte thënë se KEK-u do të ndërmerrte masa për t’i shkyçur të gjithë konsumatorët në katër komunat veriore, duke dërguar stafin në lokalitetet në fjalë, por ishte ndaluar me kërkesë të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe Qeverisë së Kosovës, në kohën kur pavarësia e shtetit ishte ende nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Sipas kornizës ligjore dhe rregullative të vendosur në vitin 2004 nga UNMIK, KEK është i licencuari i vetëm si furnizues publik i energjisë elektrike dhe operator i sistemit distributiv brenda territorit të Kosovës. Asnjë entitet tjetër nuk është licencuar të kryej këto aktivitete. Pavarësisht pozitës së lartpërmendur, në javët e fundit KEK-u ka mësuar se dy etnitete të pa licencuara që nuk janë kompani të regjistruara në Kosovë, përkatësisht “Elektrokosmet” dhe “Elektroprvreda Serbije” – (EPS) janë duke vepruar ilegalisht në hapësirat në veri të Lumit Ibër. Provat e mbledhura nga KEK qartas tregojnë se Elektrokosmet dhe EPS, në mbështetje nga Elektromrezha Serbije (EMS), janë së bashku duke kryer aktivitetet e një operatori të sistemit distributiv të energjisë elektrike dhe furnizuesit të energjisë elektrike në këto hapësira pa ndonjë bazë ligjore apo autoritet”, kishte shprehur shqetësimin e tij në atë kohë Gjukaj.

Ai i kishte informuar drejtuesit e mekanizmave të sigurisë se këto kompani po bënin leximin e njehsorëve elektrikë dhe regjistrimin si konsumatorë të tyre.

Po ashtu, Gjukaj ua kishte bërë të ditur atyre se këto kompani po e bënin edhe lëshimin e faturave për konsumatorë për shpenzimin e tyre të energjisë elektrike dhe arkëtimin e pagesave, pa marrë në konsideratë autoritetin tatimor të Kosovës për ndonjë tatim në vlerë të shtuar.

Në këtë letër, ai kishte thënë se kompanitë serbe po bënin devijimin dhe përvetësimin e energjisë elektrike të KEK-ut për të mirën e tyre dhe marrjen në kontroll të sistemit distribuiv të KEK-ut.

“Kryerja e aktiviteteve të lartpërmendura nga EPS, EMS dhe Elektrokosmet jo vetëm që paraqesin shkelje flagrante të legjislacionit specifik të energjisë në Kosovë, por gjithashtu janë në kundërshtim me një mori ligjesh civile e penale të Kosovës. Në këto rrethana dhe për të parandaluar një ndarje të pakthyeshme në sistemin energjetik të Kosovës, ne me këtë ju informojmë juve se KEK-u ka për qëllim të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm dhe ligjor të rikthejë pozitën e vet të ligjshme si i licencuari i vetëm si operator i distribucionit të energjisë elektrike dhe furnizuesit publik në të gjithë territorin e Kosovës. Në lidhje me këtë, prioriteti i parë i KEK-ut do të jetë të rikthejë kontrollin mbi nënstacionin e Vallaçit, duke vazhduar me nënstacionet e mbetura në hapësirën e ndikuar. Para marrjes së ndonjë veprimi, KEK-u do të thërret organet për zbatimin e ligjit që të sigurojnë që çfarëdo shqetësime rreth sigurisë të adresohen në mënyrë adekuate”, kishte shkruar Gjukaj, raporton Demokracia.com.

“Nëse, për çfarëdo arsye legjitime, ju besoni se KEK-u nuk duhet të vazhdojë me veprimet sipas drejtimit të lartpërmendur ju lutem na ofroni një njoftim me shkrim të qëndrimit tuaj te KEK-u, së bashku me arsyet e juaja, jo më vonë se 10 mars 2010 në orën 1o paradite. Nëse afati i theksuar kalon dhe KEK-u nuk ka pranuar ndonjë njoftim të tillë nga Policia e Kosovës, EULEX ose KFOR-i, ne do të trajtojmë këtë si miratim tuajin që do të përgjigjeni në mënyrë adekuate kur KEK-u ofron njoftimin paraprak për nevojat e tij për një ambient të sigurt në mënyrë që të merr veprime në veri të Lumit Ibër”, kishte shkruar asokohe drejtori i Arben Gjukaj.

Sipas tij, qëndrimet dhe qëllimet e KEK-ut të theksuara më lart nuk janë të motivuara nga faktorët politikë apo etnikë, por nga domosdoshmëria që të përmbushet detyrimi ligjor dhe komercial ndaj konsumatorëve të energjisë elektrike në Kosovë.

Kësaj letre, Gjukaj ia kishte bashkëngjitur edhe një përmbledhje të problemeve në terren, raporton Demokracia.com.

Aty thuhet se që nga viti 1999 në Kosovë ka ekzistuar një situatë artificiale sa i përket furnizimit energjetik për komunitetin serb në Kosovë.

“Në fakt, KEK nuk është lejuar që të krijojë raporte komerciale me këto amvisëri dhe biznese që konsumojnë energji në komunitetin serb në Kosovë, për shkak të problemeve të sigurisë. Si pasojë, KEK nuk ka qenë në gjendje të inkasojë të holla për energjinë e furnizuar në komunitetin serb të Kosovës, gjë që përbënë rreth 1o% të të gjithë energjisë së shpërndarë në sistemin e distribuimit të KEK-ut (427GWH) me një vlerë të shitjes me pakicë prej rreth 22 milionë euro në vit”, kishte treguar Gjukaj, përcjell Demokracia.com.

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu, në janar të këtij viti kishte thënë se komandanti i KFOR-it në vitin 2009 kishte kërkuar që komunat veriore të mos shkyçen nga rrjeti energjetik.

“Sa për informimin e publikut, në 2009-ën kemi pasur edhe zyrtarisht letër nga komandanti i atëhershëm i KFOR-it, i cili ka kërkuar që këto katër komuna nuk guxojnë të shkyçen nga rrjeti energjetik, e për të cilën kanë qenë të informuar të gjithë, edhe kryeministri i atëhershëm, edhe presidenti, edhe drejtori i policisë dhe të gjitha institucionet, për shkak se ajo është zonë ku jetojnë komunitetet e ndryshme dhe rritet pasiguria”, kishte thënë Fejzullahu.

Megjithatë, ZRRE-ja as pas dy muajve nuk i ka dhënë mediumit Demokracia.com qasje në letrën e komandantit të KFOR-it, me arsyetimin se kjo çështje u merr kohë dhe stafi i ZRRE-së është i angazhuar në çështjet që ndërlidhen me tejkalimin e krizës energjetike.

“Siç edhe jeni të informuar, Bordi i ri ZRRE është konstituar nga data 02.08.2021, dhe se nga ajo datë Bordi i ZRRE e ka marrë detyrën. Dokumenti për të cilin keni kërkuar qasje është më shumë se 10 vite i vjetër, si dhe duke marrë parasysh se janë ndërruar menaxhmente të ndryshme në ZRRE dhe kemi ndërruar lokacion, kjo çështje po merr kohë, dhe se në kohë të krizës energjetike i gjithë stafi i ZRRE është i angazhuar në çështjet e rregullimit të sektorit të energjisë, respektivisht në funksionimin normal dhe të qëndrueshëm të sektorit të energjisë”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Demokracia.com.

Beteja e Kosovës me Serbinë për Vallaçin

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave që furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë në vitin 2013 dhe asaj në vitin 2015.

“Historikisht, pjesa më e madhe e energjisë elektrike që furnizohet të konsumatorëve në pjesën veriore të Lumit Ibër, furnizohet përmes nënstacionit të Vallaçi 11035 kV. Ky nënstacion ka tri linja hyrëse nga Kosova Jugore dhe Jugperëndimore, respektivisht Linja 125/3-110kV(linja ekspres): dhe 126/49 linja 110kV Istog). Nënstacioni ka po ashtu një linjë hyrëse nga Hidrocentrali i Ujmanit, e cila operohet nga Ibër Lepenci dhe një linjë 110 kV nga Novi Pazari, Serbi (linja 155/2) edhe pse kjo linjë zakonisht nuk ngarkohet. Nënstacioni i Vallaçit është në duart e disa individëve, katër prej tyre janë punëtorë të KEK-ut”, thuhet në raportin që KEK ua kishte dorëzuar mekanizmave të sigurisë në Kosovë.

Operimi i nënstacionit Vallaç ka rol në sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike për palët e kyçura në këtë nënstacion, në kuadër të Sistemit të Transmetimit të Republikës së Kosovës, veçanërisht për konsumatorët në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë hidrocentralin e Ujmanit.

Gjithashtu, ky nënstacion është i rëndësishëm për shkëmbimin fizik të energjisë elektrike në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes linjës interkonektive 110kV Vallaç-Novi Pazar.

Si kishte propozuar KOSTT që të zgjidhet problemi i energjisë në veri?

KOSTT në vitin 2009 kishte dhënë disa opsione për zgjidhjen e kësaj situate.

Demokracia.com në Zyrën e Rregullatorit Energjetik ka kërkuar qasje në dokumente publike. ZRRE i ka ofruar mediumit Demokracia.com edhe një letër përmes të cilës drejtori i atëhershëm i KOSTT-it, Fadil Ismajli, i ishte adresuar drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, si dhe ministrave Ahmet Shala e Justina Pula.

“Situata në të cilën gjendemi për shkak të kërkesës së KEK për të hapur linjën Vallaç-Trepçë dhe lidhjen pasuese të Mitrovicës së Veriut me sistemin e Serbisë ne duhet të udhëzojmë operatorin serb të hap linjën me Serbinë, e cila furnizon Mitrovicën e Veriut në mënyrë që të rikyçet në sistemin e Kosovës… Ekzistojnë tri mundësi bazë të disponueshme nga pikëpamja e Transmisionit, të gjitha lehtë arrihen në aspektin teknik, por mundësia 1 dhe 2 kërkojnë bashkëpunimin nga operatorët serbë dhe punëtorët në nënstacionin e Vallaçit”, thuhej në letrën e Ismajlit, përcjell Demokracia.com.

Në vitet e pasluftës, Serbia në mënyrë të kundërligjshme e kishte shfrytëzuar rrjetin e transmisionit dhe konsiderohet se kishte arritur të grumbullonte rreth 65 milionë euro të hyra.

Pagesat e përgjithshme të Qeverisë dhe KOSTT-it për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës kishin arritur 27.7 milionë euro, shkruan Demokracia.com.

Vetëm për vitin 2021 janë ndarë nga KOSTT 17.7 milionë euro për mbulimin e humbjeve të energjisë në atë pjesë.

Përderisa tash rryma u paguhet nga Qeveria, deri në vitin 2017 qytetarët e komunave të tjera të Kosovës paguanin për rrymën e shpenzuar në veri.

Pas padisë së Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sipas të të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet shpenzimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore, ndërsa nga paslufta e këndej shuma për rrymë në këto komunë vlerësohej se është qindra milionëshe.

Edhe Serbia njëkohësisht përfitonte miliona euro si pronare e transmisionit me ndikim edhe në çmimin e importit të energjisë elektrike. Sipas KOSTT, operatori serb EMS në vitin 2017 kishte inkasuar 9.6 milionë euro.

I gjithë konsumi i energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të mos paguhet dhe humbjet e akumuluara nga konsumi në veri për periudhën janar-tetor të vitit 2021 janë 251 GWh (gigavat në orë).

Vetëm këtë vit, humbjet nga energjia elektrike e shfrytëzuar, por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, pritet të ketë kosto financiare mbi 20 milionë euro për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në treg.

Në maj të këtij viti, Qeveria Kurti i kishte ndarë 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve të KOSTT-it në veriun e Kosovës, ndërkaq së fundmi janë ndarë edhe 6.7 milionë euro të tjera për të njëjtin qëllim.

Në anën tjetër, Elektro-rrjeti i Serbisë (EMS) e vlerëson nënstacionin në Vallaç si pjesë të tij, ndërkaq edhe pagesën e punëtorëve të angazhuar në këtë nënstacion e realizon EMS-ja.

Kështu kishte reaguar EMS-ja në dhjetor të vitit 2020, kur KOSTT-i kishte filluar të operojë si i pavarur, pasi që në qershor të po atij viti, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) i dha Kosovës pavarësi dhe sovranitet të energjisë elektrike në rrjetin e saj elektrik./Demokracia.com/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close