fbpx
Rozë

Në kujtim të Adelës! Kush është personi që la mbresa në jetën e saj

Vdekja e papritur e gazetares Adelajda Xhamani është klasifikuar nga Policia si vdekje për shkaqe natyrore.

Mjekët ligjorë, që bënë autopsinë mëngjesin e së dielës, paraprakisht dyshojnë për një arrest kardiak. Ndonëse raporti përfundimtar i mjekëve ligjorë pritet të dalë brenda dy javësh, nga analizat paraprake nuk rezulton të jenë gjetur elementë të huaj në organizëm, që mund të kenë shkaktuar vdekjen e saj.

Megjithatë, nisur nga fakti se ajo ishte shumë e re, vetëm 31 vjeçe, rasti është diskutuar gjerësisht në mediat online, ku janë ngritur edhe hipoteza e dyshime rreth vdekjes së Adelës. Dyshimet u shtuan edhe më shumë nga komentimi i një komunikate paraprake të Policisë, ku thuhej se “dyshohet se vuante nga epilepsia”. Megjithatë, në të njëjtën komunikatë, Policia e Tiranës thekson se po punohet për përcaktimin e shkakut të vdekjes, shkak që përcaktohet vetëm nga mjekët ligjorë.

Nga një keqinterpretim i njoftimit të Policisë, që është diçka formale dhe procedurë standarde në raste të tilla, shumë e quajtën të nxituar komunikatën, duke këmbëngulur se epilepsia nuk është vdekjeprurëse. Në fakt, as Policia nuk e tha këtë, por nga deklarimi që i ishte marrë shoqes së Adelës, e cila kishte shprehur dyshime për një
sëmundje të tillë, paçka se nuk ishte diagnostikuar, është përmendur proceduralisht si një sëmundje e mundshme që ajo mund të kishte. Përmendja e kësaj sëmundjeje solli edhe reagimin e mjekëve.

Një prej mjekeve të QSUT-së, duke përjashtuar kategorikisht epilepsinë, hodhi edhe dyshime se dikush tjetër mund të ishte shkaktar. Burime nga grupi hetimor thanë se nga këqyrja e kufomës, nuk janë konstatuar shenja dhune.

INTERVISTË E PANORAMËS E VITIT 2012/ Në kujtim të gazetares Adela Xhamani, e cila u nda prej nesh një javë më parë

Kanë kaluar disa vite qëkur ajo mori pjesë në “Big Brother”, por në ndryshim nga ata dhjetëra personazhe që tashmë kanë kaluar në harresë kolektive, madje askush nuk ka kuriozitet të dijë më asgjë për ta, në rastin e Adelës është krejt ndryshe. Njerëzit vijuan ta kërkojnë dhe sidomos t’u mungonte kontakti me të, i cili mund të realizohej
vetëm nëpërmjet ekranit.

Kjo u realizua në forumin e “Dancing with the stars” për disa vite. Por tani ka të reja… Adelajda Xhamani, e cila prej disa muajsh i është bashkuar grupit mediatik “Focus”, si reportere e “Gazetës Shqiptare”, do të fillojë një program të ri në “News 24”. Dhe kjo,
jo si në rastin e Dancing, vetëm tre muaj në vit, por përgjatë gjithë sezonit
televiziv. Për hollësi në lidhje me angazhimin e ri dhe jo vetëm, ne biseduam
me Adelën…

Tashmë ke muaj që punon si reportere në “Gazetën shqiptare”. Cilat janë momentet më të vështira që ti ke hasur në këtë punë?

Për të gjithë ata që mendojnë se gazetarët e kanë kollaj (siç mendoja edhe unë dikur), po ju them se gabohen (qesh). Kjo punë ka vështirësi si çdo tjetër, madje shpesh edhe më shumë se punët e tjera. Vështirësia e parë është gjetja e lajmit… Për të qenë në rregull me punën duhet medoemos që çdo ditë të kesh gati diçka, qoftë lajm, intervistë,
domethënë një material… Kjo nuk është gjithmonë e mundur. Jo çdo ditë ndodhin
gjëra impresionuese që mund të përbëjnë lajm, të paktën në sektorin që unë
mbuloj. Jo çdo ditë arrin të kesh një personazh që është gati të flasë për
jetën private… Kjo është vështirësia më e madhe.. Po momentet e kënaqësisë, cilat janë?

Kam filluar të kënaqem më shumë kur njerëzit më thonë “të kam lexuar”, sesa kur më thonë “të kam parë”. Pastaj marr kënaqësi kur personazhi që kam intervistuar më çon një mesazh falënderimi të nesërmen. Kur shefat më thonë “bravo”… Një tjetër kënaqësi të veçantë që të dhuron ky profesion është edhe mundësia për të njohur njerëz të rinj e për të mësuar historitë e tyre…

Tashmë ti ke kontaktuar disa personazhe. Na thuaj disa nga emrat që të kanë impresionuar…

Jam emocionuar shumë kur kam njohur z. Avni Mula. zv.kryredaktorja më dha detyrë të shkoja në shtëpinë e tij, ditën që Inva Mula solli në jetë vajzën. Pas disa telefonatash mendova se do të ishte një mision i pamundur, po me këmbëngulje ia arrita. Njoha një
zotëri, artist, i edukuar, i veçantë. Na priti me shumë dashamirësi, na qerasi,
ndërkohë që rrëfente, qau… Më emocionoi! Një tjetër punë e bukur ishte edhe kur
udhëtova me “Misionarët e paqes” në familjet e ngujuara. Njoha njerëz të rinj,
dëgjova histori mbresëlënëse. Edhe aty u emocionova, edhe qava (siç e kam
zakon)…

Po disa emra që nuk të kanë lënë aspak shije të mirë?

Eh, këtë pyetje nuk duhet të ma kishit bërë. Jo se nuk kam emra, po nuk i them dot. Nuk më leverdis të prish marrëdhëniet me personazhet se do më duhen prapë për më vonë (qesh).

Si ndjehesh kur të refuzojnë për intervista?

Më ngrihen nervat dhe “shaj” me mendje (qesh). Më ndodh shpesh dhe kam fituar imunitet tani. Kur më refuzojnë unë këmbëngul sërish, pastaj sërish, derisa pranojnë. Kam përshtypjen se pastaj fillojnë ata të më shajnë me mendje…

Pas kaq muajsh punë intensive, mendon se është pikërisht kjo
puna që ti ke ëndërruar?

Gazetaria është e bukur. Është një punë që të jep sadisfaksion. Mund të them që është një punë që unë mësova ta bëj dhe jam duke më- suar akoma. Kam filluar ta dua fort gazetarinë, sidomos në rastet kur mua më duket se kam bërë një material të bukur, gjë që ia them vetëm vetes sime sigurisht, sepse kam gjithmonë dyshimin që për të tjerët mund të jetë një budallallëk (qesh).

Kemi mësuar se do të fillosh një program në “News 24” që flet për personazhet VIP.

Mund të na tregosh disa detaje rreth këtij programi? “Gazeta Shqiptare” dhe “News
24” janë pjesë e një kompanie të madhe. Unë e quaj fat që m’u dha mundë- sia të
punoj për të njëjtin grup mediatik, duke bërë dy gjëra të ndryshme. Përfitoj
nga rasti të falënderoj eprorët që kanë besim në aftësitë e mia. Konkretisht
nuk mund t’ju jap një variant përfundimtar të asaj që do të transmetohet, sepse
ky program është ende në fazën e projektimit. Megjithatë, mund t’ju them se do
të përfshijë pjesë nga jeta reale e njerëzve dhe VIP-ave… Për më tepër duhet të
prisni. Ndoshta do të flasim më konkretisht në një intervistë të ardhshme.

Ti je mbase e vetmja gazetare që interviston, por edhe duan të të intervistojnë. E ke problem këtë pjesë?

Shumë. Kam inat kur personazhet më refuzojnë, por më vjen instinktive që unë vetë t’i
refuzoj kur më kërkojnë intervista. Dhe shpesh ata më thonë “Po hë mi Adela, se
ti je dhe vetë gazetare…”. Sinqerisht jam lodhur duke u treguar të tjerëve
gjërat e mia. E di më mirë se kushdo se kjo është pjesë e të qenët personazh
publik, por nga “BB” kanë kaluar gati katër vjet. Unë kam një jetë të
përqendruar te puna, familja dhe shoqëria, si të gjithë të tjerët. Përveçse të
tregoj për punën time, nuk kam për çfarë të flas tjetër dhe nuk dua.

A të ndodh ndonjëherë kur nuk gjen një personazh të fortë, që
shet, të thuash me vete “ah sikur të gjeja një personazh që më shet si Adela”?

Kam dëgjuar shpesh të më konsiderojnë si një personazh që “shet”. Të paktën kështu ka qenë. Mirëpo nuk mendoj se kjo ka ardhur ngaqë unë kisha ndonjë gjë më shumë, apo edhe më pak. Mendoj se personazhet që dalin nga reality, përgjithë- sisht shesin dhe kanë një kulm të vetin në treg. Po kjo është e përkohshme, dhe zakonisht mbaron
shpejt. Me mua mund të ketë zgjatur disi më shumë, sepse puna më ka bërë të jem
më shpesh në kontakt me publikun, dhe duke më parë, edhe më kanë kujtuar. Kur
mbetem bosh nuk mendoj këtë, po shpesh i them kolegut tim Eraldo “A t’i bëj një
intervistë vetes sime e të rri rehat…?” Nëse s’ia them unë, ma thotë ai (qesh).

Ka disa ditë që qarkullon në internet një lajm sikur ti po bashkëjeton me një gazetar, mund të na e sqarosh pak si qëndron e vërteta?

Eh, unë kam vite që bashkëjetoj me gazetarët. Edhe kur nuk merresha me gazetarinë, merrej ajo me mua. Lajmi është totalisht i sajuar. Në atë çka është shkruar dhe është shënuar sikur kam rrëfyer unë, s’ka asgjë të vërtetë. Unë momentalisht jetoj me disa mikesha të miat shumë të mira, por asnjëra prej tyre nuk punon gazetare. Mendoj se ky
detaj, pra me kë jetoj unë, nuk u intereson njerëzve, kështu që nuk ishte
ndonjë lajm i paparë. Po zgjedh të mos komentoj mbi ata që e kanë shkruar,
botuar e përhapur, se më duket e panevojshme. Lexuesit e gjykojnë fare mirë
vetë.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close