fbpx
Lajme

Objekti i PDK-së në sheshin “Nëna Terezë” i privatizuar

Të dhënat e ofruara nga Kadastra e Komunës së Prishtinës, tregojnë se objekti ku gjendet selia e PDK-së në sheshin “Nëna Terezë”, është në pronësi të Odës Ekonomikë të Kosovës, dhe të “Ndërmarrjes së Re Drithnaja Zyrat”. Por, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se OEK-u është pronar i 3/4 të objektit. Gërxhaliu ka thënë se në procesin e privatizimit PDK-ja përmes disa kompanive private ka privatizuar pjesën e objektit ku është e vendosur. “Si OEK kontestin kryesor e kemi me pronarët e ‘Zanzi Bar’, ndërsa për hapësirën që e shfrytëzon PDK-ja, e kompenson përmes pagimit të energjisë elektrike”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai ka thënë se ish-sekretari i OEK-ut, Basri Jupolli, po i mbron personat që kanë uzurpuar pronën e Odës Ekonomike të Kosovës. “Besoj që kjo është një mundësi që Prokuroria e Shtetit me ngritë padi të drejtpërdrejtë se si mund të mbrojë dikush uzurpatorin me të cilin ka nënshkruar marrëveshje me të në cilësinë e sekretarit të OEK-ut”, ka thënë ai. Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit nuk kanë dashur të tregojnë se nën emrin e cilit person, apo kompani janë privatizuar hapësirat ku ndodhet selia e PDK-së. “Ndërmarrja e Re Drithnaja Zyrat” Sh.P.K., e tenderuar në valën e 44-të të Privatizimit është privatizuar me çmim prej 371,111 euro.

Objekti është privatizuar më 7 korrik 2010, në të cilën kanë qenë tre ofertues. Emrat e ofertuesve janë konfidencial dhe kanë qenë tre të tillë. Pra, emrat janë të qasshëm për organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjet e këtij institucioni. Por, siç ka mësuar gazeta “Zëri”, fillimisht objekti është privatizuar nga ish-deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, por që pas presioneve të bëra nga PDK-ja, është tërhequr nga privatizimi. Tërheqjen e ka konfirmuar edhe vetë biznesmeni Deshishku, por ka hezituar të bëjë publike arsyen.

“Është e vërtetë se ‘Lesna’ e ka fituar atë pjesë, më pas jam tërhequr…, besoni arsye për tërheqje kam pasur”, ka thënë shkurt Deshishku, pa dashur të komentojë më shumë. Më tej, burime të gazetës kanë bërë të ditur se ish-deputeti i LDK-së e kishte blerë hapësirën e godinës në vlerë prej 555 mijë euro, ose rreth 200 mijë euro më shumë sesa është privatizuar në raundin e mëpasmë.

Përmes një hulumtimi njëmujor gazeta “Zëri” ka gjetur se pas presioneve dhe tërheqjes së Deshishkut, hapësirën ku tani gjendet PDK-ja e ka privatizuar kompania Ndërmarrja e Re “Guri” nga Klina me pronar Burim Marmullakun, i cili është vëllai i gruas së kryetarit të Klinës, që vjen nga radhët e PDK-së, Sokol Bashota. Kjo kompani figuron edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK). Aktivitet primar e ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa kapitalin që e ka deklaruar korrespondon me shumën fikse të cilën kjo kompani e kishte derdhur në arkat e AKP-së në vlerë prej 371.111 euro.

Burim Marmukllaku e ka konfirmuar se objekti ku është vendosur selia e PDK-së është pronë e privatizuar nga ai. “E kemi privatizuar ne. PDK-ja më paguan qira mujore rreth 1800 euro. Për detaje rreth kontratës mund të shkoni në PDK, ju tregojnë ata”, ka thënë Marmullaku për “Zërin”, ndërkohë që e ka pohuar se e ka mik të shtëpisë kryetarin e Klinës. Marmullaku ka edhe përfitime tjera nga objekti ngase mbi të është e vendosur antena e IPKO-s. Ai ka thënë se nga kjo kompani merr një qira mujore prej 500 eurosh.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close