fbpx
Lajme

Bashkëshortja e Ilaz Kodrës tregon si e la pa punë bordi i emëruar nga Kurti

Përvjetori i 23-të i rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra, u shënua më 30 prill, saktësisht javën e kaluar. Por ky përvjetor nuk ishte si të tjerët. Në rrjetet sociale e mediat vendore, u kthye në temë debati se si bordi i Postës së Kosovës e kishte suspenduar nga puna bashkëshorten e Ilaz Kodrës, Kimeten. Kimete Kodra në një rrëfim për gazetën Nacionale ka sqaruar gjithçka rreth këtij rasti.

Pak metra mbi Jasharët, gjendet kulla e Ilaz Kodrës. Aty është ekspozuar gjithçka për komandantin Kodra, që ishte themelues i celulave të para të UÇK-së, bashkë me Adem Jasharin. Skaj kullës së Kodrës, gjendet edhe shtëpia e familjes ku jetojnë bashkëshortja e Ilaz Kodrës, babai i tij dhe dy vajzat. Një shtëpi krejtësisht e zakonshme, sikur edhe banorët e tjerë të Prekazit.

Megjithatë, jeta e familjes së komandantit të UÇK-së, ka ndryshuar paksa tash e tre muaj. Bashkëshortja e Ilaz Kodrës, Kimetja, pas 22 vjetësh si e punësuar në Postën e Skënderajt, ishte suspenduar nga puna. Kjo çështje u kthye në një temë që dominoi opinionin kosovar javën e kaluar, kur u shënua 23-vjetori i rënies së heroit Kodra. Kjo pasi për homazhe në Marinë kishte shkuar kryeministri Albin Kurti. Deputetë të opozitës e akuzuan Kurtin se bordi i Postës, i emëruar nga Kurti, e kishte shkarkuar Kimete Kodrën nga pozita. Kodra deri kur u suspendua, kryente funksionin e Koordinatores të Zyrave të Postës në Skënderaj.

Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Nacionale, Kimete Kodra ka thënë se suspendimi i saj është krejtësisht joligjor. Ajo thotë se bordi aktual, është i ndikuar komplet nga qeveria Kurti, ashtu siç thotë se kanë qenë të ndikuara nga politika, edhe bordet e mëparshme. Kodra ka sqaruar se një zyrtar i Postës në Skënderaj, kishte marrë një sasi të hollash, duke mos i deponuar në bankë siç e parashihte ligji, por i kishte marrë për vete.

“Në atë kohë nuk pata qenë në punë, sepse më 5 tetor 2018 ka qenë rivarrimi i Ilazit. Gjatë inspektimeve është vërejtur se ka pasur një parregullsi qysh nga viti 2018. Një zyrtar financiar bashkë me zyrën në Prishtinë, thuhej se kanë bashkëpunuar. Ky zyrtar që ka pasur autorizim i ka tërheqë disa mjete kinse për t’i dërguar në një bankë në Mitrovicë. Ai kish pasë ardhë i ka marë paret, arkëtari që ka qenë në detyrë zyrtare e ka përgatitë këtë proces, edhe pastaj paratë e Postës nuk janë deponuar në bankë. Për 4 vjet me radhë kemi pasur inspektime, kush e fshehi këtë rast? As nuk kam qenë në dijeni, të gjitha këto janë bërë fshehur”, tregon Kimete Kodra për Nacionalen.

Hyrjen me polici në Postën e Skënderajt, ajo e vlerësoi si një film të bordit të Postës, të cilin e ka emëruar Albin Kurti. Kodra ka angazhuar avokat, dhe suspendimi i saj aktualisht është në procedurë ligjore.

“Suspendimi ka qenë komplet i padrejtë. Familja ime nuk kemi të bëjmë asgjë me këto afera. Suspendimi ka ardhur gabimisht, dhe nuk kemi pasur asnjë sqarim. Unë mendoj se edhe politika ka gisht këtu. Secili bord që ka ardhur, ka qenë i varur nga politika. Për 20 vjet kam punuar, dhe njerëzit mund të flasin për mua, sepse unë nuk flas për veten”, theksoi bashkëshortja e Ilaz Kodrës.

E pyetur nga gazeta, ajo tha se është e bindur që edhe kryeministri është i njoftuar për rastin e saj.

“Besoj se e di kryeministri Kurti. Secila qeveri i vendos njerëzit e vet nëpër borde, pozita drejtuese, besoj që e dinë. Gjithë janë ndiku bordet nga politika, unë jam punëtore që 20 vjet. Jo veç me këtë qeveri. Është i ndikuar edhe ky bord. Menaxhmenti i Postës ka qenë me secilën politikë, sa herë që është ndërru bordi. Shefen ekzekutive e kam ditur se çdoherë është kukull e qeverisë që është në pushtet. Edhe kjo aktualja është e ndikuar. Janë thirrur në 20 vjet se kanë me luftu krimin e korrupsionin, por më falni, unë nuk jam personi. Kanë drejtuar gishtin në adresë të gabuar”, tha më tutje Kimete Kodra.

Mehdi Haxha, zyrtar financiar në Postën e Mitrovicës ishte suspenduar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai dyshohet se në mënyrë ilegale mori një shumë prej më shumë se 7 mijë e 500 euro nga paratë publike të Postës.

Të hollat u raportua se arriti t’i marrë, falë bashkëpunimit me Valon Zeqirin, i cili ishte arkëtar në Postën e Skënderajt, e që i njëjti është i suspenduar nga puna.

Përveç këtyre të dyve, nga puna u suspendua edhe menaxheri kryesor, Faruk Hamza, dhe Haxhi Geci, Kontrollor i Zyrës Postare në Skënderaj.

Bashkë me ta ishin suspenduar edhe Nexhmie Haxha koordiantore e financave, si dhe Kimete Kodra, përgjegjëse e zyrave të Postës në Skënderaj

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close