fbpx
Lajme

Kalkulimet e frikacakut Shpend Ahmeti: Po pret për të parë kah do t’i bie më mirë

Tashmë janë të qarta përçarjet brenda Vetëvendosjes. Shumica prej figurave kryesore treguan se kah do të shkojnë. Disa po përkrahin Albin Kurtin e të tjerët po pozicionohen krah Dardan Molliqajt e Aida Dërgutit. Vetëm Shpend Ahmeti nuk ka folur. Kryetari i Prishtinës që fliste për çdo temë, tani për qëndrimin e tij në parti, po hesht. Analisti Astrit Gashi thotë se Shpendi po kalkulon se kah do t’i bie më mirë.

Skena politike u trondit të premten kur doli në shesh së Vetëvendosje është duke kaluar nëpër një përçarje të madhe brenda partisë. Nënkryetarja Aida Dërguti e kishte fyer liderin ideologjik  të partisë, Albin Kurtin.

Pasditën e së premtes, pas thyerjes së tabusë, kur më s’kishte asgjë për t’u fshehur, folën pothuajse të gjithë më të rëndësishmit e VV’së. U pa se kush po e përkrahte Dërgutin, e kush nuk po e pranonte dot ofendimin që i ishte bërë Kurtit. Heshti vetëm Shpend Ahmeti.

Kështu, Dardan Molliqaj menjëherë i doli në krah Dërgutit, pasi që ajo postoi një status në Facebook, ku kërkoi falje që e kishte quajtur mut Albinin, por, edhe shpjegoi se brenda VV’së ka pakënaqësi të mëdha për më shumë se një vit.

Në fakt flitej prej kohësh se VV po kalonte nëpër një përcarje që kishte rezultuar me dy tabore. Atë të Albin Kurtit dhe tjetri i Dardan Molliqajt në krah me Shpend Ahmetin.

Ahmeti, vetëm tani kur po i kërkohet më së shumti të bëjë publik qëndrimin  e tij, ka vendosur të merret me borën, certifikimin e zgjedhjeve dhe vendimet e Gjykatës Supreme edhe pse i pari i Prishtinës është parë duke trajtuar nga temat nacionale deri te ato ndërkombëtaret. Vetëm tani, po bëhet se po i shikon punët e tij.

Gazetari dhe analisti Astrit Gashi thoë se heshtja e Shpendit po vije për shkak të kalkulimeve që po i bën në mënyrë që të vendosur më tej se kah i bie më mirë.

“Shpend Ahmeti është pa duke folë edhe për problemet që i kanë partitë në Britaninë e Madhe, prandaj heshtja e tij, tani, për partinë e tij, mund edhe t’i kushtojë atij”, thotë Gashi.

“Shpendi momentalisht është i papërcaktuar se nga të mbajë anë. Ai do të sheh se kush del fitues nga kjo përplasje dhe më pas rreshtohet pas fituesit, siç ka bërë zakonisht”, është shprehur tutje Gashi.

“Rrin, shikon dhe pastaj anon kah fituesi”.

Por, analisti thotë se paanshmëria është mungesë guximi dhe Shpend Ahmeti, për hir të 40 mijë votave duhet të tregojë publikisht qëndrimin e tij.

Megjithatë, sipas Gashit, Shpend Ahmeti nuk do të shkojë menjëherë në krahët e Molliqajt dhe ekipit të tij, që tashmë kanë dalë haptas krah Dërgutit, duke shprehur paknaqësitë ndaj Albin Kurtit.

Sipas Gashit, Shpend Ahmeti nuk ka guxim as që ta sfidojë Albin Kurtin dhe Ahmeti nuk do të futet në përplasje. Ai pret se kush del fitues nga përplasjet, më pas do t’i bashkëngjitet.

Ndërsa për përplasjet brenda VV’së, Gashi thotë se do të jetë problem që të hiqet Albin Kurti nga marrja e kreut të partisë nëse ai e dëshiron këtë.

Thuhet se mospajtimet më të mëdha ishin shprehur kur Albin Kurti vendosi të kandidonte për kryeministër, e që grupi i Molliqajt e kundërshtonte këtë.

Ndërsa nuk pranohej as që Albin Kurti të vinte sërish në krye të kësaj organizate, tani parti, e krijuar nga vetë Kurti.

Deputetja Dërguti, e cila dha dorëheqje pak më parë nga funksionet që bartte brenda partisë, ishte ankuar se tash e një vit ka mospajtime e probleme sic ka thënë ajo ‘me njerëz të caktuar dhe se ‘në Vetëvendosje po synohet të instalohet një mënyrë e caktuar të menduarit e vepruarit politike që kushtëzon mosbesim e frikë mes aktivistëve e anëtarëve, ku përmes shpifjeve e insinuatave, të pavërtetave e gjysmë të vërtetave, është synuar degradimi publik e eliminimi politik i njerëzve të caktuar”. Me këtë që kishte shkruar ajo në Facebook, ishte pajtuar edhe Dardan Molliqaj.

Deri më tani, ajo çfarë dihet është se Vetëvendosje është ndarë në dy grupe. I pari, ndjekësve të Albin Kurtit, dhe tjetri, të pakënaqurit me frymën e Kurtit, që udhëhiqet nga Dardan Molliqaj, Aida Dërguti e të tjerë. /Express/

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close