fbpx
Lajme

“Kur i kanë rënë shkelmë i është hap lukthi, serbët e kanë shkru i ka shpërthy i thati”

“Kur i kanë rënë shkelmë i është hap lukthi e në diagnozë i kanë shkru kishe i ka shpërthy i thati”

Ky është një prej rrëfimeve të mjekut Salih Krasniqi, i cili kujtoi kohën e luftës së fundit të Kosovës kur ishte punëtor shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në vitet 1998-1999, për të cilën kohë thotë se janë kryer krime kundër pacientëve dhe personelit mjekësor shqiptarë nga forcat policore dhe ushtarake serbe brenda këtij institucioni.

Krasniqi për këto krime ka shkruar në vazhdimësi e të cilat edhe i ka botuar nëpër gazetat vendore. Mirëpo ai nuk e ka lënë me kaq, pasi në vitin 2018 ai ka botuar dhe një libër në të cilën ka përshkruar krimet që iu janë bërë nga forcat policore dhe ushtarake serbe, pacientëve dhe personelit shëndetësor në QKUK.

Mjeku i palodhur edhe me një shëndet të dobët në një intervistë për Telegrafin tregoi po ashtu se së shpejti do të botohet edhe vëllimi i dytë i librit i cili është më i zgjeruar me të dhëna të sakta mbi krimet e kryera brenda QKUK-së.

Salih Krasniqi /Foto: Ridvan Slivova/

Ai gjithashtu të mërkurën hapi edhe ekspozitën me titull “Si u vra Kodi Etik i Hipokratit dhe si u shkelën ligjet ndërkombëtare të luftës?”.

“Gjatë vitit 1998-1999 kam punuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, e ku për fat të keq kanë filluar të vijnë pacientë nga terreni për shkak të luftës. Në ekspozitën që kam paraqitur, janë rastet e pacientëve nga muaji maj i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999. Në atë kohë kam punuar dhe për fat keq kam parë shpesh raste të të plagosurve që shumicën i kanë sjell forcat serbe, por ka pasur raste që i ka sjell Kryqi i Kuq, si dhe që kanë ardhur me familjarët e tyre në mënyrë individuale”.

Krasniqi tha se si punëtor shëndetësor ka parë maltretime të ndryshme që iu janë bërë pacientëve shqiptarë nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Gjatë rrëfimit të tij, ai tregon se pacientët e plagosur ose të rrahur për shkak të profesionit të shkruar “terroristë” nga forcat policore dhe ushtarake serbe janë lidhur në radiatorë me arsyen se mos ikin nga objekti.“Kemi pa lloj-lloj pacientë të plagosur të ruajtur nga policia dhe gardianë të ndryshëm, e s’ju kanë ndihmuar askush nga familjarët pos punëtorëve të angazhuar. I kanë rreh pothuajse çdo ditë, dhe përveç kësaj i kanë lidhur për krevate që mos të ikin pacientët. Kam dhe raste ku në bazë të profesionit i kanë quajtur terrorist, këta kanë qenë të mbikëqyrur nga policia, se kishe në bazë të profesionit terrorist, dhe në bazë të kësaj i kanë dërguar në burgje. Thuajse për çdo ditë kam lajmëruar dhe kam dërguar të dhëna se çka po ndodh në Qendrën Klinike. Me fusnotë janë të regjistruar se ku i kemi marr të dhënat”, thotë Krasniqi.

Ai gjithashtu tregoi se në ato vite janë vrarë 45 punëtor shëndetësor, 19 mjek, një famarkolog, 16 infermierë, tre punëtor ndihmës dhe tetë student të mjekësisë.

Mjeku tha se pacientët nuk janë vrarë në spital mirëpo jashtë saj.

“Pacientët nuk janë vrarë në spital por nëpër vende të ndryshme ku i kanë zënë. Ka edhe punëtor shëndetësor që janë rrah burgosur e më pas janë liruar, ka dhe nga ata që kanë vdekur dhe të zhdukur. 350 mjekë e pacientë, ndërsa këto janë të nxjerra nga libri ku janë të regjistruar, 1239 pacientë”, tha ai.

Mirëpo se si i kujton disa momente të fundit me kolegët e tij të vrarë nga këto forca, Krasniqi rrëfen: “…me doktor Lecin i cili ka punuar në Gradicë, pata shkuar t’i ndihmoj dhe për herë të fundit kam nejt me të. Më pas kam dëgjuar se e kanë vrarë. Edhe më doktor Shpëtim Robaj, isha në Gajrak të Malishevës, gjatë vitit 1998 në muajin korrik kur ishte enfaziva e Rahovecit, ku kishim mbi 80 pacientë të plagosur dhe më ka ndihmuar shumë në dhënien e anestezionit të atyre pacientëve…”.

Por mjeku rrëfen edhe disa raste të rënda të pacientëve të tij në atë kohë dhe për një rast për të cilin Telegrafi kishte raportuar vite më parë.

“Kam pacientin të cilin ma kanë marr serbët gjatë trajtimit të tij pasi është bërë operacioni, Muhamet Kiqina. Atë e morën për ta dërguar në Serbi. Ju pata thënë që nuk është e mundur se ende nuk është shëndosh për tu liruar nga spitali, nuk pyetën fare dhe e morën. Ishte prindi i tij afër kur ma morën dhe i thash pacientit ‘Muhamet bëhu i fortë se do të bëhesh më mirë’. Dhe aty një serb më tha ‘pse po flet me terroristë?’. Unë nuk fola. Një punëtor që e barte pacientin i tha se ky është mjeku që e ka operuar, dhe më pas ai tha se s’kemi pse me fol me terroristë dhe filloi të shaj. Babës së tij i pata thënë që të flas me avokatin, në atë kohë ka qenë Bajram Kelmendi. Atë e kanë dërguar në burgjet e Serbisë, dhe në atë kohë përmes babës së tij ma dërgoi një pako cigare si falënderim dhe t’fala nga ai, dhe më pas në vitin 2001 është liruar nga burgu. Tani jeton dhe punon në Kosovë si dhe ka familje. Gjithashtu më ka thirr dhe në dasmën e tij”, tregoi Krasniqi.

Ndërsa për një rast tjetër ai rrëfen se si e ka marr një djalë 17 vjeçar nga spitali dhe e ka dërguar për 12 ditë në shtëpinë e tij për ta trajtuar.

“Është një djalë i ri 17 vjeçar. Naim Cufaj i Pejës, i cili ka qenë i plagosur dhe e kanë zënë në spital ushtarak dhe më pas e kanë sjell në QKUK ku i shkruante profesioni ‘terrorist’. Më pas e kam marr këtë djalë kinse me ia bo analizat, e kam bart në shtëpinë time për 12 ditë, dhe e kam dërguar në Preshevë. Ka dal Ismet Behxheti e ka marr për ta bërë të mundshme që ta dërgoj jashtë. Ai për fat të mirë sot është mirë dhe jeton në Gjermani. Një rast tjetër që e kam nxjerr nga spitali ia kishin vrarë babën dhe djalin, dhe ky ishte i mbrojtur nga gardianët. Më tha ‘qysh me bo me dal jashtë’. I thash sa më shpejt me ik më mirë, se mund të fusin në burg. I thash po ashtu se unë po të dërgoj kinse me i bo analizat dhe e kam dërguar në bodrum dhe e kam qit përjashta. Tha ‘A bën dhe jashtë se s’guxoj”,  e kam çuar dhe jashtë ku i erdhi një djalë i tezes e mori me kerr. Sot është gjallë. Secili rast është roman në veti pasi për secili kam ç’të them. Janë momente që të shtinë me qajt”, u shpreh mjeku Krasniqi.

Ndërsa për një rast tjetër ai tha se një djalit të Tropojës ia kanë hequr krahun pa anestezion në spitalin e Prishtinës.

“Ky është i Tropojës sot jeton jashtë vendit. Ia kanë heq krahun e djathë në spitalin e Prishtinës pa anestezion”, ishin disa nga rrëfimet e mjekut i cili pa e përjetoi raste të ndryshme të pacientëve dhe kolegëve të tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ndërsa recesionisti i librit të autorit Salih Krasniqi, Halim Hyseni për Telegrafin tha se libri i cili ende nuk është botuar është një aktakuzë për krimin e gjenocidin i cili ka ndodhur në objektet shëndetësore të Kosovës.

“Është një libër krejtësisht i ri. I shkruar nga një personalitet i cili është meritor dhe kompetent për të shkruar libra të tilla. Është një dëshmi e faktuar, një aktakuzë për krimin e gjenocidit i cili ka ndodhur në objektet shëndetësore të Kosovës. Në të vërtetë këtu totalisht është shkelur kodi i Hipokratit. Këto kanë qenë kampe të internimit për zbatime të impaticidit, se këtu janë vrarë edhe fëmijë në mënyrën më makabre të mundshme. Më vjen keq që është hesht për këtë gjë”, ka thënë ai.

Hyseni theksoi se në vitin 1998 ku janë dëbuar nga Drenica mbi 100 mijë njerëz dhe ku janë kryer masakra nga forcat policore e ushtarake serbe më Prekaz, Serbia pati botuar librin “Krimi i terroristëve shqiptarë 1995-1998”.

Ndërsa në vitin 2001,2002 dhe 2003 Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë siç tha Hyseni botoi tri libra me më shumë se mbi 2 mijë faqe ku flitet për terrorin e shqiptarëve mbi popullatën serbe.

“Në vitin 1998 në kohën kur është zhvilluar një gjenocid i paparë dhe në Drenicë janë dëbuar 120 mijë njerëz, kur është bërë masakra në Prekaz, në Likoshan dhe Qirez, botohet libri në gjuhën serbe ‘Krimi i terroristëve shqiptarë 1995-1998’. Në vitin 2001-2002-2003 Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka botuar  tri libra me më shumë se 2 mijë e 500 faqe ku flitet për terrorin e shqiptarëve mbi popullatën serbe”.

Ai po ashtu tregoi se shteti serb në botimet e tyre e “vranë” për herë të dytë profesorin Fehmi Agani.

Siç shpjegoi ai në botimet serbe, ata e paraqesin Aganin “Si njeri lojal dhe gjoja e kanë vrarë ushtarët e UÇK-së”, e ndërsa institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për këtë.

“Aty është bërë dhe vrasja e dytë e profesorit të nderuar, Fehmi Agani. Aty profesorin e paraqesin si njëri lojal dhe gjoja e kanë vrarë ushtarët e UCK-së. Dua të them me këtë se organet tona qeveritare nuk kanë bërë asgjë. Këtij populli do t’i përsëritet historia brenda 25-26 vjetëve nëse ne e harrojmë se çka ka ndodh. Nga viti 1800 Serbia ka zhvilluar 11 herë gjenocid ndaj popullit tonë dhe i gjithë ai gjenocid askund nuk është regjistruar, por në disa libra të cilët në nuk i lexojmë se ne nuk e kemi kulturën e leximit, se po të kishim këtë kulturë neve nuk do të na përsëritej historia”, tha ai.

Hyseni po ashtu përgëzoi mjekun Krasniqi për ekspozitën dhe librin e shkruar të cilin e quajti “Aktakuzë reale”.

“Një libër i cili është aktakuzë reale mbi krimet në institucionet më humanitare të mundshme, objektet shëndetësore. Dhe ajo cka e bën të veçantë këtë libër është se profesori është doktori i kësaj fushe, është personi i duhur në kohën e duhur i cili ka shkruar vepra ashtu siç janë. Si dhe kërkoj që ta mbështesin sepse çdo gjë që ai ka bërë,  i ka bërë me investimet e tij personale dhe jo me ndihmën e  shtetit”, tha ndër të tjera Halim Hyseni.

Më poshtë lexoni, një nga rrëfimet e pacientit të mjekut Salih Krasniqi, Muhamet Kiqina e publikuar në Telegrafi.com (23.05.2015) 

“DARKA SOLEMNE” E MUHAMET KIQINËS

Për personat fatkeq që e përjetuan Masakrën e Dubravës, shpëtimi i tyre i vetëm në ato momente tmerri ishte vdekja. Muhamet Kiqina, më 25 janar të vitit 1999 plagoset nga Policia serbe dhe arrestohet si rob lufte.

“Isha 20 vjeçar, kur më 25 janar të vitit 1999, afër shkollës së mesme ‘Skënderbeu’ në fshatin Pokleku i Ri në Drenas, punoja si automekanik. Atë ditë më plagosi Policia serbe. Prej aty më kanë marrë duke më dërguar në Stacionin e Policisë në Drenas, ku ka filluar maltretimi i tyre ndaj meje. Më vonë, po atë ditë, më kanë transferuar në Spitalin e Prishtinës. Momentin e dërgimit dhe të operimit tim nuk i kam ndjerë, sepse kam qenë i pavetëdijshëm. Më datën 26 janar, pas mesditës ,e kam marr veten dhe kam parë që ndodhem në spital. Aty më kanë dërguar për të vdekur. Fati që ka qëlluar një teknik me emrin Sali e që ka parë që jam gjallë. Këto janë fjalë të mjekëve që më treguan më vonë. Më ka operuar doktor Sadri Bajraktari. Një mjek serb donte të ma këpuste dorën, por ai ka intervenuar me arsyetimin se ‘është i ri dhe pavarësisht a i shpëton dora a jo unë do t’ia operojë kështu si është’”, thotë Kiqina për Telegrafin.

Deri më datën 4 shkurt ai ishte në Spitalin e Prishtinës, e më pas transferohet në Qendrën Mjekësore të Burgut të Beogradit, CZ. Aty ka qëndruar deri më 18 mars të vitit 1999, ku gjatë tërë kohës i është nënshtruar dhunës. Atë ditë transferohet në Burgun e Pozharevcit.

Muhamet Kiqina /Foto: Ridvan Slivova/

Transferimi i tij do të ndodhë mëngjesin e 19 marsit, nga ku do të kalojë nëpër sfida të dhunës, duke mos e përjashtuar darkën solemne, e cila do t’i ofrohet në shenjë mirëseardhje në burgun e Prishtinës.

“Të nesërmen, më 19 mars, më kanë dërguar në Burgun e Prishtinës. Kisha 24 orë pa hëngër bukë. Polici u thotë në gjuhën shqipe gardianëve të burgut: ‘Merreni dhe dërgojeni në dhomën Nr. 1, dhe jepjani një dark solemne’ . U tregova naiv në atë rast, sepse në Pozharevc nuk më maltretuan edhe pse ushqim nuk më sollën. Duke gjykuar me bark dhe jo me logjik, mendova me vete: ‘Ku na doli ky serb kaq i mirë që të thotë jepja një darkë solemne‘!? Kur shkova në dhomën Nr. 1, ajo ishte dhoma e vetmisë. Aty kishte plot gardianë, në errësirë. Një gjë mbaj mend: kur ka çel mëngjesi kam qenë në dysheme”.

Transferimet e tij nuk përfundojnë këtu, pasi që ai do të dërgohet në Burgun e Lipjanit dhe më pas në Burgun e Dubravës.

“Pas Prishtinës më dërguan në Burgun e Lipjanit. Ndërkaq, transferimi në Burgun e Dubravës ka ndodh mëngjesin e hershëm, më 29 prill. Nuk e kam ditur ku po na dërgojnë, meqë Kosovën nuk e kisha shëtitur gjeografikisht. Aty na kanë futur në pavijonin B. Më i moshuari nga ne ka qenë Hasan Drellaku, ndërsa të burgosurit tjerë ishin: Astrit Elshani, Xhema i Rahovecit, Visar Ballovci… Qëndruam në pavijonin B, ku përpos shokëve të qelisë ishin edhe Nait Hasani, Hasan Zeneli, Bislim Zogaj, Shaban Beka, Dylber Beka, Liburn Aliu, Nebih Tahiraj, Avni Klinaku, Raif Qela, Ukshin Hoti etj. d.m.th. grupi i vitit 1997. Për çudi, nuk kemi pasë maltretime, deri në ditën e bombardimeve. Për të burgosurit e izoluar, në bazë të informatave që na vinin, e kishin pak më ndryshe. Pavijoni B i ka pasë katër krahë ku edhe u ushqenim në menzë”.

Ditët e tmerrit vijnë sipas tij pikërisht më 19 maj, ku edhe ndodhi bombardimi i parë i NATO-s.

“Më datën 19 maj ka bombarduar NATO pas dreke, duke i rënë pavijonit C. Aty pash dy gardianë të pluhurosur duke ikur. Por, jo vetëm ata, sepse doli i gjithë personeli i burgut. Të burgosurit e lirë dhe ne kemi filluar të thyenim të gjitha dyert, që të dalim nga aty. Por, unë kam qenë i paaftë për t’ju ndihmuar, ngaqë isha i plagosur. Sidoqoftë, të paktën fizikisht e kam parë ngjarjen. Dolëm në oborrin e burgut ku edhe qëndruam aty. Pasi u qetësua situata, gardianët kanë hyrë prapë të armatosur, kinse të na numëronin, për dalë përsëri nga aty. Jemi organizuar ashtu si kemi mundur”.

Pas bombardimit të parë vriten tre të burgosur. Kiqina thotë se 20 maji ka qenë i qetë, ndërsa në pavijon thoshin: “Çfarëdo që të ndodh me ne, vëllezërit do të jenë të lirë”.

“Më datë 21 maj ka bombarduar prapë NATO brenda në pavijone, mirëpo pavijonit B nuk i ka rënë asnjëherë. Ka pasë të vrarë dhe të plagosur. Atë natë kemi fjetur jashtë. Në mëngjesin e hershëm të 22 majit, ka dal një gardian duke na thënë: ‘Shkoni merrni të gjitha gjërat që i keni dhe ejani se duam t’ju transferojmë në burgun e Nishit’. Për ta zbatuar një urdhëresë të tyre, shkuam për të marr diçka edhe pse s’kishim çka. Shkuam tek Fusha e Sportit përball karakollit. Sapo filluam të bëheshim rresht, nisën të gjuajnë. Armët ishin të llojeve të ndryshme: mitraloza, granata dore, minahedhës etj” .

Dihet, qëllimi ishte që kinse NATO është ajo që i ka vrarë të burgosurit gjatë bombardimeve.

“Unë dhe disa nga shokët jemi shtrirë e nuk kemi lëvizur. Ka qenë një llahtari. Të burgosurit janë të garantuar me konventa ndërkombëtare dhe shteti që i arreston është i obliguar që t’ju ofrojë siguri. Por, këtu ishte e kundërta. Pasi kanë pushuar granatimet e serbëve, ne kemi ikur kush nga ka mundur. Unë ika në pavijonin B. Pasi kanë pushuar të shtënat, kam shkuar në pavijonin C. Aty janë organizuar të gjithë për t’ju dhënë ndihmë të plagosurve në fushën e granatimit. Tretmanin të gjithë të plagosurve ia ka dhënë Bislim Zogaj. Ne të tjerët kemi dhënë ndihmën tonë, ashtu si kemi pasë mundësi. Nait Hasani është plagosur më 22 maj duke i tërhequr të plagosurit”.

Pas një periudhe në kompleksin e burgut kanë prapë paramilitarët. Të gjithë që i kanë parë si pakicë e mbledhur apo në biseda, i kanë vrarë. Riza Xhakla ka qenë në pusetë dhe i ka mbijetuar atij tmerri. Të gjithë të burgosurit ishin pajtuar me fatin: vdekje! Ndaj, Kiqina thotë se gjërat i merrnin me gjakftohtësi.

“Më 23 maj kanë ardhur në mëngjes duke na urdhëruar të gjithëve për të dalë jashtë. Shumica e tyre kanë qenë të maskuar. Na urdhëruan që të gjithë të ulemi në dy gjunjët. Më vonë kanë filluar të na sjellin cigare dhe ujë. Në njëfarë forme menduam që ky është moment i fundit për ne. Të gjithë me gjakftohtësi e morëm: çkado që të bëhet, ne do ta përballojmë. Asllan Selimi, Nait Hasani e Bislim Zogaj për mua janë njerëz të mëdhenj për qëndrimin që kanë mbajtur. Pas një kohe ka ardhur njëri me uniformë të hirtë. Maska e tij në pjesën e syve ka qenë komplet e hapur. Ai na ka thënë që brenda burgut të bëjmë çfarë të duan, por të mos dalim, se nesër do të na dërgonin në një vend më të sigurt. Kemi fjet atë natë në pavijonin B. Të nesërmen, më 24 maj, kemi dal jashtë. Na hipën nëpër autobusë e të plagosurit në kamionë. Jemi dërguar në burgun e Lipjanit, ku kemi qëndruar deri më 10 qershor”. /Telegrafi/ 

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close