fbpx
Lajme

Kush ia zbuloi identitetin informatorit në rastin Dick Marty? DETAJE INTERESANTE

Një reportazh i programit televiziv “Mise au point” në radiotelevizionin zviceran “RTS”, pretendoi se pati identifikuar njeriun, i cili në fund të vitit 2020, paralajmëroi Zyrën Federale të Policisë (Fedpol), se disa persona patën planifikuar vrasjen e Dick Marty-t.

Madje, akuza qenë hedhur nga ky emision, se për shkak të një gabimi të Fedpol, informatori sekret ishte identifikuar dhe jeta e tij rrezikohej. Ai përshkruhej si një shtetas rreth të 50-ave, i lindur në Kosovë.

Mirëpo, në një përgjigje ekskluzive për Albanian Post, nga ana e Zyrës Federale të Policisë zvicerane, çdo akuzë hidhet poshtë, duke marrë parasysh gjithë çështjen që është shtruar për ish-zyrtarin e Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili ka hartuar një raport, që flet për krimet e luftës në Kosovë dhe akuzon drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për këto akte.

Disa prej tyre, përfshi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, gjenden sot në paraburgim në Hagë, pikërisht mbi bazë të këtyre akuzave të paprovuara ndonjëherë.

“Fedpol-i ka depozituar një kërkesë për informacion lidhur me disa individë, në disa prej shërbimeve policore evropian, përmes Interpolit”, shkruhet në përgjigjen e dhënë për Albanian Post. “Por, në asnjë çast, nuk është përmendur Marty në emër, apo ndonjë detaj mbi çështjen. Aq më pak, identiteti i ndonjë informatori”.

Kështu, në bazë të dinamikës së ngjarjeve, nga ana e Fedpol, është shpjeguar për redaksinë e Albanian Post se si është proceduar në linjë me çdo standard ndërkombëtar, sa i përket operacioneve të tilla policore.

Shkëmbimi i informatave, shpjegohet aty, mes autoriteteve shtetërore, është thelbësore për identifikimin e kriminelëve, në çështje ndërkombëtare të këtij niveli.

Ndaj, kërkesa për informacione, është një instrument shumë i zakonshëm, i përdorur në çështje të tilla.

Është një proces i standardizuar, vijon mandej shpjegimi i Fedpol, për të parë nëse persona të caktuar, mjete apo objekte të caktuara, janë në radarin e Policisë dhe nëse zotërohen informata mbi ta. Ose për më tepër, nëse ka të dhëna specifike, për rastin në fjalë.

Megjithatë, konteksti i ngjarjes, përshkruhet në vija shumë të përgjithshme, në mos fare.

Kështu e arsyeton Policia Zvicerane gjithë situatën, duke përmbyllur se detaje të mëtejshme nuk mundet të jepen, pasi ngjarja mbetet nën hetim dhe çdo informatë shtesë mund të dëmtojë procesin në tërësi.

Si përshkruhet informatori në kronikën e RTS?

Ai punoi për Shërbimet Informative Jugosllave në vitet 1990 para se të bëhej një agjent i dyfishtë.

“Është e qartë se ai depërton në qarqet e krimit të organizuar dhe ia shet informacionin e tij policisë dhe shërbimeve të inteligjencës”, thuhet në artikull.

Për 30-vjet, ai ka punuar me disa shërbime evropiane, veçanërisht ato belge, gjermane dhe zvicerane. Ai konsiderohet një burim shumë i besueshëm.

Ky njeri mësoi për ekzistencën e një komploti kundër ish-prokurorit dhe këshilltarit të shteteve të Ticinos, Dick Marty, në vjeshtën e vitit 2020.

Ai kontakton menjëherë Fedpol.

Sipas një dokumenti të Ministrisë Publike të Konfederatës (MPC) – të cilin RTS-ja thotë se ka mundur ta shohë – ai informon se atentati iu besua serbëve, “të cilët kanë kryer misione të tilla për një kohë të gjatë për shërbimet sekrete serbe. dhe që janë formuar prej tyre”.

Ata do të ishin “profesionistë absolutë” që do ta zotëronin atentatin “pa lënë gjurmë”.

Njëri prej tyre “tashmë ka sjellë armë në Zvicër”.

Nacionalistë dhe kundërshtues të pavarësisë së Kosovës, këta njerëz shpresonin se vrasja e Dik Martit do t’i ngarkohej Qeverisë kosovare, e cila në këtë mënyrë do të diskreditohej në nivel ndërkombëtar.

Agjenti i dyfishtë i jep Zvicrës emrat e atyre që qëndrojnë pas vrasjes.

“Unë u dhashë atyre shumë informacione shumë të mira,” shpjegoi informatori për Focus.

Por pastaj autoritetet zvicerane më “zbuluan”.

“Ata bënë një gabim të madh, nuk e kuptoj se si mund ta bënin një gjë të tillë”, thotë ai.

Sipas dëshmisë së tij, të cilën hetimi i RTS-së mundi ta vërtetonte, menjëherë pas marrjes së informacionit, autoritetet zvicerane u dërguan një kërkesë për informacion homologëve të vendosur në Beograd.

Fedpol i ka bashkangjitur kërkesës edhe emrat e sponsorëve të atentatit.

Duke përfituar nga një rrjedhje, këta të fundit vihen në dijeni menjëherë për kërkesën zvicerane dhe, duke kontrolluar, kuptojnë menjëherë se kush i ka tradhtuar.

“Unë isha në Prishtinë në atë kohë, gati të udhëtoja për në Serbi për të vazhduar hetimet. Më thirrën nga Zvicra për t’u thënë se duhet të bëja kujdes dhe t’i ndërpres të gjitha kontaktet me grupin serb. Unë u tërbova! Zviceranët prishën gjithçka”, dëshmon informatori.

Agjenti i dyfishtë shkoi gjithsesi në Serbi dhe u përpoq të bindë kriminelët se informacioni nuk vjen prej tij.

Përpjekje e humbur. Ai u kërcënua dhe e kuptoi se jeta e tij është në rrezik.

Duke marrë përsipër përgjegjësitë e tyre, autoritetet zvicerane më pas i ofruan informatorit të vinte dhe të strehohej në Zvicër me gruan dhe fëmijët e tij.

Fedpol i siguroi atij anonimitetin e plotë.

Në fillim të vitit 2021, burri u zhvendos me familjen e tij në Zvicër.

Ai përfiton nga programi për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe iu dha një identitet i ri. /Albanianpost.com

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close