fbpx
Lajme

Ish shefi i OSBE lavdëron Thaçin: Në vende të tjera kjo do të kishte çuar në luftë civile

Ambasadori Dan Everts, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë në vitet 1999-2001, në pasthënien e librit “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, shkruan se një propagandë që vazhdimisht përhap lajme të rreme e shpifëse, vazhdon të hedh magji të keqe mbi Kosovën dhe përfaqësuesit e saj.

Everts thotë se spastrimi etnik i serbëve ishte rezultat i një fushate sistematike, të planifikuar dhe me vullnetin e autoriteteve më të larta, dhe që përfshiu edhe forcat e rregullta dhe vullnetarët. “Nuk ekziston asnjë dëshmi e qëllimit të ngjashëm strategjik apo sistematik nga ana e shqiptarëve të Kosovës. As pretendimet për përgjegjësi personale për krimet individuale etnike që pretendohet të jenë kryer nga udhëheqësit e UÇK-së nuk bazohen në asgjë kredibile”, shkruan Everts.

Kjo është pasthënia e plotë e ambasadorit Dan Everts në librin “Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”:

Viti 2018 nuk e gjeti Kosovën vetëm duke kremtuar dhjetëvjetorin e lindjes së saj si një shtet, ajo gjithashtu shënoi përvjetorin e njëzetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një aktore legjitime e luftës për pavarësi. Ashtu sikurse vendi shkoi nga statusi i « protektoratit ndërkombëtar » në atë të një shteti të pavarur më 2008, UÇK-ja kishte evoluar dhjetë vjet më parë, nga një grup pak i njohur i rezistencës – i cilësuar edhe si « terrorist » nga Departamenti amerikan i Shtetit – në një lëvizje çlirimtare që do të fitonte njohje dhe respekt. Këto dy momente janë të lidhura ngushtë meqë është e qartë se pa rezistencë të armatosur aspiratat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për vetëvendosje nuk do të përmbusheshin kurrë. Qasja pasive dhe rezistenca paqësore treguan se ishte e pashpresë gjatë viteve 1990, që pa dyshim kontribuonte në ruajtjen e status quo-s represive të bazuar në aparteid. Për shkrimtarin e madh Rexhep Qosja, shqiptarët e Kosovës ishin me të vërtetë një « popull i ndaluar ». Duhej të ndodhte masakra e familjes Jashari në mars të vitit 1998 që bota të kuptonte se më parë kishte qenë e pakujdesshme si rezultat i cinizmit dhe komoditetit/rehatisë. Në retrospektivë, mund të themi se vetëm një interes më veprues i « komunitetit ndërkombëtar » – një eufemizëm për shtetet e mëdha perëndimore – i kombinuar me një arrogancë më pak vetëshkatërruese nga ana e serbëve – të cilët kanë një tendencë historike për ta qëlluar veten në këmbë – mund të kishte parandaluar rrjedhën e fatkeqësive të ngjarjeve që i paraprinë lindjes së shtetit të ri.

Lufta për vetëvendosje ka qenë e mundimshme dhe, siç na shpjegon në detaje Jacques Baudouin, na mori sërish më shumë se një shekull. Duhet të njihet se përkundër armiqësive dhe veprimeve të ulëta nga të dyja anët, luftimet ndëretnike – në kuptim të persekutimit, viktimave dhe deportimeve – shqiptarët e Kosovës janë dëmtuar më shumë. Për fat të keq, kjo luftë ende nuk ka mbaruar. Përveç refuzimit kokëfortë të disa shteteve (numri i të cilëve është në rënie e sipër) që të njohin shtetin e ri – për arsye të tyre – Kosova ende vuan nga një problem perceptimi. Një propagandë që vazhdimisht përhap lajme të rreme e shpifëse, vazhdon të hedh magji të keqe mbi këtë shtet të ri dhe përfaqësuesit e tij. Qëllimi është, sigurisht, që t’i diskreditojnë ata në sytë e opinionit publik dhe udhëheqësve politikë. Kosova është, siç dihet fare mirë, një shtet që po ndërtohet me të gjitha të këqijat që zakonisht shoqërojnë këtë proces, autoritetet e dështuara ligjzbatuese, nepotizmin e korrupsionin. Dhe liderët e saj nuk janë shenjtorë. Megjithatë, krahasuar me luftërat çlirimtare gjetiu, situatat post-konfliktuoze dhe shtetet e reja, rasti i Kosovës është jashtëzakonisht pozitiv. Ftoj lexuesit që ta krahasojnë Kosovën me konfliktet e ngjashmë në Ballkan (Bosnjë-Hercegovinë), në Afrikë (Ruandë, Sudan), në Azi (Kamboxhia, Afganistan) apo në Lindjen e Mesme (Irak, Siri).

Kthimi i refugjatëve dhe i armiqësive etnike

Çlirimi i Kosovës erdhi pas një fushate të tmerrshme të spastrimit etnik para dhe gjatë luftës së vitit 1999, e cila prodhoi në mes 10,000 dhe 15,000 viktima dhe zhvendosjen e 80% të popullsisë së saj në rrethana veçanërisht brutale. Sapo lufta mbaroi në qershor 1999, shumica e të zhvendosurve, rreth 600,000, u kthyen në shtëpi brenda pak javësh, së shpejti pasoi një valë e dytë prej 200,000 refugjatësh. Ky kthim erdhi në kushtet më të këqija. Vendi pothuajse kishte shëprthyer. Administrata ishte zbrazur pas largimit të zyrtarëve serbë që braktisnin vendin bashkë me forcat e armatosura. Policia dhe gjyqësori gjithashtu u larguan. Ekonomia kishte ngecur dhe gjysma e pronave ishin shkatërruar apo dëmtuar. Administrata e re ndërkombëtare – e para për Kombet e Bashkuara – ishte e ngadalshme në funksionalizimin e saj dhe u përball me komplikime të pafundme politike dhe praktike. Për këtë arsye, në mes të këtij kaosi ishte jashtëzakonisht e vështirë të ushtrohej një qeverisje efektive dhe të vendosej sundimi i së drejtës.

Pas poshtërimeve dhe tmerreve të përjetuara para dhe gjatë luftës, zemërimi dhe dëshira për hakmarrje mund të rriteshin vetëm në mesin e shqiptarëve të kthyer në shtëpitë e tyre. Humbja e pronave të tyre, vështirësite ekonomike, vakumi administrativ dhe klima e mosndëshkimit në mënyrë të pashmangshme çuan në një rritje të abuzimit dhe lakmisë. Natyrisht të dënueshme, hakmarrjet etnike të muajve të parë të pasluftës që fillimisht çuan në largimin e rreth 100,000 serbëve duhet të gjykohen në këtë kontekst. OSBE-ja hetoi shkeljet e të drejtave të njeriut, kryesisht serbëve të Kosovës gjatë kësaj periudhe, ashtu siç kishte bërë për ato që u kryen kryesisht kundër shqiptarëve të Kosovës para dhe gjatë luftës. Leximi i këtyre dy dokumenteve (Kosova – Gjërat që janë parë dhe dëshmitë, vëllimet I & II, 1999) është thellësisht trishtues. Edhe nëse të gjitha krimet etnike janë të pafalshme, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet të parave dhe të dytave, përtej dallimeve në shkallë (rreth 500 serbë të Kosovës të vrarë dhe 100,000 të shpërngulur, në krahasim me 10,000-15,000 dhe rreth një milion shqiptarë të Kosovës) dhe intensitetit (grabitjeve, shkatërrimeve, torturave, përdhunimeve dhe vrasjeve pa dallim). Ndryshe nga aktet e kryera nga shqiptarët e Kosovës, spastrimi etnik i serbëve ishte rezultat i një fushate sistematike, të planifikuar dhe me vullnetin e autoriteteve më të larta, dhe që përfshiu edhe forcat e rregullta dhe vullnetarët. Nuk ekziëston asnjë dëshmi e qëllimit të ngjashëm strategjik apo sistematik nga ana e shqiptarëve të Kosovës. As pretendimet për përgjegjësi personale për krimet individuale etnike që pretendohet të jenë kryer nga udhëheqësit e UÇK-së nuk bazohen në asgjë kredibile. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse UÇK-ja ishte një lëvizje e strukturuar dobët, udhëheqësit e së cilës kishin kontroll të kufizuar mbi grupet apo individët lokalë. Edhe pse ne kemi gjetur prova të shumta të dhunës nga burra (asnjëherë nga gra) në lidhje reale apo të supozuara me UÇK-në, ne nuk kemi asnjë arsye për të dyshuar mohimet e fuqishme të liderëve të saj rreth përfshirjes së tyre personale. Përkundrazi, ne pa dyshim kemi konstatuar se ata bënë thirrje që t’i jepej fund armiqësive etnike dhe përkrahnin pajtimin. Se ata mund të bënin më shumë për të shuar etjen për hakmarrje në mesin e disave mbetet një çështje e hapur, por, sërish, ka shumë pak Nelson Mandela në këtë botë. Për më tepër, konstatoj se nuk ka pasur përpjekje ekuivalente nga udhëheqësit serbë për të parandaluar apo zbutur urrejtjen etnike në mesin e bashkatdhetarëve të tyre.

Çarmatosja

Marrëveshja e Rambujesë parashikoi shpërbërjen e UÇK-së si një forcë ushtarake. Kjo çarmatosje duhej të përfundonte brenda 90 ditëve. Kjo nënkuptonte se 15,000 luftëtarë duhej të bindeshin se veprimi i tyre për çlirimin e vendit të tyre po përfundonte dhe se ata duhej të kërkonin një jetë të re në një shoqëri në mes të një krize ekonomike. Është e qartë se kjo punë e madhe e çarmatosjes është kryer pa provokuar një revoltë të madhe. Shembuj të suksesit të tillë janë të rrallë. Kjo u jetësua në masë të madhe nga Hashim Thaçi, i cili ua shpjegoi luftëtarëve të tij – të cilët vendosmërisht besonin se mund të integroheshin në një ushtri të rregullt – se më e mira që mund t’u ofronte ishte integrimi i 3,000 burrave në një forcë të re (Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pa asnjë funksion ushtarak), plus 2,000 të tjerë rezervistë. Disa qindra të tjerë mund të trajnoheshin për t’u bërë policë, por pas një kohe dhe pas verifikimit. I vendosur ndërmjet çekanit dhe kudhrës, Thaçi duhej të manovronte me shkathtësi për të përmbushur angazhimet e tij dhe të mbetej i besueshëm në sytë e UNMIK-ut dhe KFOR-it, duke mbrojtur pozicionin e tij si shef i UÇK-së para luftëtarëve. Ai korri sukses në këtë sfidë, ndërsa në vende të tjera kjo do të kishte çuar në një cikël të ri të dhunës dhe madje edhe në luftë civile.

Ekstremizmi dhe jotoleranca

Gjatë gjithë luftës për pavarësi, gazetarët dhe politikanët e së djathtës dhe majtës ekstreme, të gjithë armiqësorë ndaj Kosovës, e projektuan UÇK-në si esktremiste për ta diskredituar atë në sytë e botës. Në fakt, siç mësova nga takimet e mia të para, lidershipi i UÇK-së që nga fillimi zbatoi një politike të vendosmërisë së madhe për të mos u bërë peng i ndonjë ekstremizmi ideologjik apo fetar. Marksizëm-leninizmi kurrë nuk ishte pjesë e mendimit të saj dhe radikalizmi islam u mbajt në distancë. Këto ideologji ishin në kundërshtim të plotë me traditën e gjatë të harmonisë fetare shqiptare. Pak njerëz e dinë se Shqipëria ishte një strehë për hebrenjtë para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e bërë atë të vetmin shtet në Evropë ku prania e hebrenjve u rrit ndjeshëm pas luftës. Shqiptarët e besimit mysliman kanë një interpretim të moderuar të Islamit falë kryesisht ndikimit të lëvizjes bektashiane dhe ideologjisë komuniste të së kaluarës. Sot, xhihadizmi është gjëja e fundit që do të mund të shoqërohej me UÇK-në. Ç’është e vërteta, ajo ka bërë gjithçka të mundur për të refuzuar ofertat e fondeve nga Lindja e Mesme që mund të kenë kërkuar të ndikojnë në këtë mënyrë. UÇK-ja refuzoi kategorikisht xhihadistët dhe kurrë nuk i lejoi ata t’u bashkoheshin radhëve të saj. Kosova ishte dhe mbetet në thelb një shoqëri laike. Është gjithashtu simbolike për të parë në Prishtinë statujën e madhe të Skënderbeut, i cili ngurronte midis krishtërimit dhe islamit, e cila qëndron në sheshin kryesor të qytetit që mban emrin e Nënë Terezës, një shenjtore katolike.

Pajtimi

Krerët e Kosovës së re, para se gjithash Hashim Thaçi, nuk reshtonin së kërkuari pajtimin me serbët brenda dhe përtej kufirit. Fatkeqësisht, kjo thirrje nuk ka qenë e ndërsjellë. Serbët nga Serbia, por edhe nga veriu i Kosovës vazhdojnë të pendohen për humbjen e territorit të “tyre”. Deri në pikën që një nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, Olliver Ivanoviq, u vra në fillim të vitit 2018, sepse që nga përfundimi i luftës, ai po kërkonte një marrëveshje me Qeverinë e Prishtinës. Për fat të mirë, numri i serbëve që dëshirojnë ta lënë mënjanë të kaluarën, të ecin drejt integrimit evropian dhe që duan normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën vazhdon të rritet. Mediat dhe arsimi luajnë një rol kyç këtu, por deri më tani ata nuk e kanë përmbushur atë.

Gazetat e Beogradit ende u bëjnë thirrje instinkteve më nacionaliste dhe të prapambetura, duke përhapur dezinformata të turpshme rreth personaliteteve dhe gjendjes në Kosovë. Nuk ka asgjë të krahasueshme në mediat kosovare. Detyra e parë Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, të themeluar nga presidenti Thaçi më 2016, dhe Dialogu Ndërfetar duhet ta luftojnë këtë propagandë të dëmshme që shtrembëron realitetin dhe ushqen paragjykimet. Një detyrë kjo e vështirë pas dekadave, madje edhe shekujve të grindjeve ndëretnike. Një politikë racionale, e kombinuar me mbështetjen dhe inkurajimin e Evropës, mund të japë një kontribut të madh. Jacques Baudouin dëshmon këtu se, nga ana kosovare, kushtet e nevojshme janë tashmë në fuqi.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close