fbpx
Lajme

EKSKLUZIVE: Prokuroria nis hetimet ndaj Martin Berishajt

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, për raportim të rremë të pasurisë. Një gjë e tillë vjen një muaj pasi Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) i kishte konfirmuar Nacionales se ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori.

Fillimin e hetimeve ndaj Berishajt për Nacionalen e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se rasti për të cilin keni parashtruar pyetje është duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit”, theksuan nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Të pyetur nëse ka një aktvendim për nisjen e hetimeve, Prokuroria thjesht konfirmoi nisjen e hetimeve pa dhënë detaje shtesë.

Martin Berishaj, siç ka shkruar në vazhdimësi Nacionale, po hetohet për veprën penale mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Nuk dihet nëse hetimet ndaj tij do të zgjerohen edhe në pista të tjera.

Rasti “Martingate”

Dje u bënë një muaj që kur Agjencia Kundër Korrupsionit kishte dorëzuar kallëzim penal në prokurori ndaj ambasadorit Martin Berishaj, pasi për të njëjtin rast AKK ishte njoftuar nga Nacionale.

Meqenëse afati për hudhje të kallëzimit penal, kur nuk ka elemente të veprës penale është një muaj, Gazeta Nacionale ka kontaktuar prokurorinë, nga ku ka mësuar se tashmë ka një aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj ambasadorit Berishaj.

Në prill të këtij viti, gazeta Nacionale ishte media e parë kosovare që raportoi për një skandal të madh financiar në Slloveni, e ku përfshihej edhe ambasaodori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

E një ditë pas, Nacionale zbuloi edhe një skandal tjetër të Berishajt. Ambasadori kishte fshehur pasurinë e tij në deklarimin në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Pasi u zbulua ky fakt, Nacionale dërgoi disa pyetje në adresë të AKK-së, duke e njoftuar Agjencinë se Berishaj nuk e kishte deklaruar kompaninë e tij në Mal të Zi me emerin “MB Consulting” në deklarimin e pasurisë. Madje, Nacionale ishte kujdesur t’i ofronte dëshmi AKK-së.

Gati katër muaj pas këtij raportimi, AKK ia konfirmoi Nacionales se tashmë ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori.

“Pas informacioneve tuaja të datës 22.04.2022, Agjencia kundër Korrupsionit (AKK) ka filluar procedurën e hetimit paraprak”, thuhej në hyrje të njoftimit të AKK-së dërguar në Nacionale.

Tutje, thuhej se të gjitha dokumentet janë dorëzuar në prokurori.

“Rasti me të gjithë dokumentacionin përcjellës me datë 05.08.2022 me Kallëzim Penal është përcjellë në Prokurorinë e Shtetit për procedim penal të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e AKK-së për gazetën Nacionale.

“Agjencia Kundër Korrupsionit u është mirënjohëse për bashkëpunimin tuaj dhe ju inkurajon që të vazhdoni këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen”, thuhej ndër të tjera në përgjigjen e dhënë për Nacionalen nga AKK.

Por, sa mund të dënohet Berishaj?

Neni 430 i Kodit Penaltë Republikës së Kosovës për këto raste parasheh dënim maksimal deri në 5 vjet burgim, e konfiskim të pasurisë, për vlerën e padeklaruar.

Gjoba, burgu:

“Çdo person i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave të dhuratave të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfillë urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.”

SKANDALI i madh

Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar sot, tregon se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close